'Hortikultura' ndan honorarë të jashtëligjshëm për Bordin

'Hortikultura' ndan honorarë të jashtëligjshëm për Bordin

Ekonomia June 21, 2019 - 08:15
Lexoni detajet
Image

Përpos shumës mujore të paraparë me ligj, ndërmarrja “Hortikultura” në Prishtinë në mënyrë të jashtë ligjshme ka shpërblyer anëtarët e Bordit me nga 50 euro për çdo mbledhje të mbajtur. Pagesat e tilla për mbledhjet e mbajtura për muajt nëntor dhe dhjetor 2018 kishin arritur totalin prej 1.700 eurosh, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Honorarë të jashtëligjshëm për anëtarët e Bordit, por edhe shumë shkelje tjera ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për ndërmarrjen komunale “Hortikultura” në Prishtinë.

LEXO EDHE: 'Trainkos'-i i shet naftë 'Infrakos'-it

Në raportin e ZKA-së thuhet se sipas Nenit 20.2 të Ligjit për Ndërmarrje Publike 03/L-087, Pika (ii), honorari themelor për drejtorët e Ndërmarrjes Publike (NP) do të përcaktohet me një vendim të komisionit përkatës komunal të aksionarëve, shkruan më tutje "Zëri".

Po ashtu Neni 20.6. parasheh se “NP-ja është përgjegjëse për pagesën dhe kompensimin për drejtorët e saj vetëm nga pagesat e parapara me vendimin e aksionarit. Drejtorët e NP-së nuk do të marrin asnjë kompensim ose përfitim tjetër nga NP-ja”.

Mirëpo gjatë rishikimit të pagesave për Bordin e Drejtorëve të “Hortikulturës” kemi vërejtur se janë bërë pagesa në kundërshtim me nenin në fjalë për kompensim të honorarëve nga 50 euro për çdo mbledhje të mbajtur shtesë, përveç asaj që është caktuar nga aksionari.

Pagesat e tilla për mbledhjet e mbajtura për muajt nëntor/dhjetor 2018 arrijnë totalin 1.700 € (për katër anëtarët e Bordit).

Pagesat janë ekzekutuar sipas vendimit me nr. 3921, të datës 30.11.2018, i nxjerrë nga Komisioni i Auditimit dhe pa miratimin paraprak të aksionarit. Këto pagesa janë bërë për shkak të punës së tyre shtesë për hartimin e rregulloreve të brendshme të ndërmarrjes.

“Pagesa të tilla në kundërshtim me ligjin, si dhe ekzekutimi i vendimeve për pagesa shtesë pa aprovimin e aksionarit rrit rrezikun e menaxhimit jo të duhur të mjeteve financiare të Ndërmarrjes. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se vendimi për kompensimin e punëve shtesë të anëtarëve të Bordit paraprakisht të jetë miratuar nga Aksionari, në të kundërtën të mos bëhen pagesa tjera përveç atyre që u takojnë si kompensime të rregullta”, thuhet në raport.

Dobësi në procedurat e rekrutimit

Sipas Udhëzimit Administrativ (MPMS4) Nr. 07/2015 për rregullimin e procedurave të konkursit për sektor publik, Neni 5 (pika 1.6) parasheh kohëzgjatjen e emërimit, një përshkrim nëse pozita është me afat të caktuar ose e përhershme, si dhe kohëzgjatjen e periudhës provuese.

Në bazë të rishikimit të konkursit të shpallur më datën 04.07.2018, për pozitën e një zyrtari certifikues dhe dy (2) kryepunëtorë për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve, ZKA-ja ka gjetur se konkursi nuk ka paraparë kohëzgjatjen e emërimit, pozitën me afat të caktuar, si dhe kohëzgjatjen e periudhës provuese.

Po ashtu sipas Nenit 7, pika 1, organi përkatës në afat prej tre ditësh nga data e publikimit të konkursit publik duhet të nxjerrë vendimin për themelimin e komisionit të përzgjedhjes së kandidatëve, derisa themelimi i këtij komisioni nga kryeshefi ekzekutiv është bërë një muaj pas datës e publikimit të konkursit. Për pozitën e zyrtarit certifikues të gjithë kandidatët që kishin konkurruar nuk i plotësonin kriteret e kërkuara me konkurs.

Pavarësisht kësaj është përzgjedhur njëri prej tyre, ndonëse nuk kishte dëshmi për përvojën e punës (që kërkohej minimumi tre vjet) dhe nuk kishte letër motivuese. Neni 6, Pika 5.1 e UA-së së lartpërmendur parasheh se konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku tre nga kandidatët nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs.

Sipas zyrtarëve të Ndërmarrjes, konkursi nuk është përsëritur duke pasur parasysh nevojën për mbulimin e kësaj pozite në kohë më optimale.

Gjithashtu në konkursin për pozitën kryepunëtor në mirëmbajtjen dhe në mbrojtjen e pyjeve kemi vërejtur që dy kandidatët e përzgjedhur në konkursin e shpallur më datën 04.07.2018 nuk e kanë plotësuar kriterin kryesor për përgatitje shkollore: shkolla e mesme, drejtimi i pylltarisë ose i bujqësisë, ose drejtimi përkatës.

Nga kandidatët e përzgjedhur njëri kishte shkollën e mesme teknike, ndërsa tjetri kishte shkollën e mesme ekonomiko-juridike. Kjo ka ndodhur pasi që, sipas komisionit, nuk ka pasur kandidatë të këtij profili dhe është vazhduar procesi me kandidatët ekzistues, në mënyrë që ajo pozitë të mos mbetet e paplotësuar.

Shmangie e procedurave të prokurimit

Në raportin e ZKA-së thuhet se sipas rregullave dhe Udhëzuesit të Prokurimit Publik, pika 54.1, autoriteti kontraktues mund ta përdorë procedurën me vlerë minimale për çdo kontratë publike vlera e përllogaritur e së cilës është më pak se 1.000 euro. Me dhënien e porosive për blerje në lidhje me prokurimin me vlerë minimale autoriteti kontraktues do të sigurojë një konkurrim efektiv, transparencë dhe efektivitet të lartë të përdorimit të fondeve publike.

“Gjatë testimit të 19 mostrave në 12 prej tyre kemi gjetur se ndërmarrja nuk ka zhvilluar fare procedura të prokurimit. Prej tyre nëntë (9) mostra ishin furnizime me mobile & inventar për zyrë dhe tre (3) raste tjera pajisje të teknologjisë informative. Vlera totale e furnizimeve për mobilie dhe inventar për zyrë sipas faturimit është 860 €, ndërsa vlera e pajisjeve të TI-së ishte 1.085 €.

Këto furnizime kanë qenë të planifikuara, por sipas zyrtarit të prokurimit nuk janë zhvilluar procedura të prokurimit për shkak se mobilet dhe pajisjet tjera janë blerë të kualitetit më të mirë nga operatori i përzgjedhur sesa nëse do të bliheshin përmes prokurimit”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, blerja e mobilieve dhe pajisjeve tjera duke anashkaluar procedurat e prokurimit ka ndikuar në favorizimin e një operatori të caktuar ekonomik dhe ka dëmtuar konkurrencën e lirë e transparencën.

“Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se të gjitha blerjet që i nevojiten Ndërmarrjes të planifikohen dhe pastaj të realizohen përmes procedurave adekuate të prokurimit, duke pasur parasysh konkurrencë e lirë dhe transparencën për të arritur vlerën e shtuar për para”, rekomandon ZKA-ja.

Avancat e dhëna për punëtorët

Sipas auditorit, për aprovimin e kërkesave të punëtorëve për pranimin e avancave duhet të ketë një politikë ose udhëzim të brendshëm, ku do të përcaktohen vlerat e avancave dhe kriteret e dhënies.

Kryeshefi ekzekutiv kishte aprovuar kërkesat e punonjësve për t’u dhënë avanca në shumën prej 50 € e deri në 100 € në të gatshme. Sipas librit kryesor, për vitin 2018 janë dhënë avanca në vlerë 15.009 €, ku prej kësaj shume për punëtorët e Ndërmarrjes janë dhënë 14.489 €. Ndërmarrja nuk kishte një bazë ligjore ose politikë të shkruar për dhënien e avancave ndaj punëtorëve.

Kjo ka ndodhur për shkak se ndërmarrja nuk kishte bord të drejtorëve nga viti 2013 deri në shtator 2018.

Sipas auditorit, dhënia e avancave ndaj punëtorëve përveçse është pa bazë ligjore, mund të ketë si rrezik moskthimin e mjeteve në llogarinë e ndërmarrjes. Sipas tij, kryesuesi i Bordit duhet të ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e dhënies së avancave ndaj punëtoreve pa bazë ligjore.

Mungesa e komisionit të auditimit

Sipas Ligjit për Ndërmarrje Publike Nr. 03/L -087, Neni 24 kërkon që ndërmarrja të ketë komisionin e auditimit, i cili ka autorizimet e veta që burojnë nga Ligji për Miratimin e Planeve dhe Mbikëqyrjen e Punëve të NJAB-së.

“Hortikultura” ishte pa bord të drejtorëve dhe pa komision të auditimit që nga viti 2014 deri në shtator 2018. Kjo ka reflektuar, përveç të tjerash, te rishikimi dhe miratimi i planeve vjetore të auditimit të brendshëm.

Megjithatë auditori i brendshëm kishte hartuar planet e auditimit duke bërë përpjekje të bazuara në rreziqet që i ka ndërmarrja, mirëpo këto plane ishin të pamiratuara nga komisioni i auditimit. Gjithashtu edhe raportet e auditimit të brendshëm ishin të pashqyrtuara nga komisioni i auditimit. Kjo për shkak të mungesës së komisionit të auditimit që nga viti 2014, të cilin nuk e kishte themeluar Komiteti Komunal i Aksionarëve deri në shtator 2018.

Por mungesa e gjatë e formimit të bordit të drejtorëve dhe e komisionit të auditimit kishte ndikuar në dobësimin e kontrolleve të brendshme dhe në adresimin e përgjegjësive lidhur me menaxhimin financiar dhe kontrollin.