'Trainkos'-i i shet naftë 'Infrakos'-it

'Trainkos'-i i shet naftë 'Infrakos'-it

Ekonomia June 21, 2019 - 08:10
Lexoni detajet
Image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se ndërmarrja publike (NP) “Trainkos” në kundërshtim me ligjin i ka shitur naftë në vlerë prej 51.324 eurosh NP-së tjetër “Infrakos”. Sipas auditorit, plani i biznesit të cilin e ka miratuar Bordi i Drejtoreve nuk parasheh të hyra nga shitja e naftës, pasi që shitja dhe blerja e naftës në vendin tonë bëhet vetëm nga operatorët e licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Plot shkelje ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për ndërmarrjen publike “Infrakos”.

Sipas auditorit, “Trainkos”-i sipas statutit të saj fushëveprim kryesor e ka menaxhimin, operimin dhe ofrimin e shërbimeve të transportit për udhëtarë, transportin e mallrave, ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtës dhe renovimit të të gjitha mjeteve lëvizëse për institucionet tjera jashtë hekurudhës.

Në raportin e siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se “Trainkos”-i gjatë vitit 2018 ka realizuar të hyra tjera, duke i shitur naftë ndërmarrjes publike “Infrakos” në shumën prej 51.324 eurosh (duke përfshirë 18% TVSH).

Po ashtu plani i biznesit të cilin e ka miratuar Bordi i Drejtoreve nuk parasheh të hyra nga shitja e naftës.

Shitja e naftës është bërë në bazë të marrëveshjes për shërbimet e përbashkëta, e cila daton nga viti 2015. “Shitja e naftës nga ‘Trainkos’-i është në kundërshtim me statutin e ndërmarrjes.

Prandaj, duke marrë parasysh edhe humbjet e naftës, ekziston një rrezik potencial për menaxhim jo të mirë të shitjes së naftës dhe krijim të të ardhurave jo të ligjshme.

Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se ofrimi i shërbimeve bëhet vetëm për ato veprimtari të cilat janë të përcaktuara me statut dhe të marrë masat e duhura për ndërprerjen e shitjes së naftës ndaj kompanisë tjetër derisa kjo nuk është e përfshirë në fushëveprimtarinë e ‘Trainkos’-it”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Prokurime të shpeshta me vlera minimale

Sipas rregullave dhe udhëzuesit të prokurimit publik, autoriteti kontraktues mund ta përdorë procedurën me vlerë minimale për çdo kontratë publike, vlera e përllogaritur e të cilës është më pak se 1.000 euro. Me dhënien e porosive për blerje në lidhje me prokurimin me vlerë minimale autoriteti kontraktues do të sigurojë një konkurrim efektiv, transparencë dhe efektivitet të lartë të përdorimit të fondeve publike.

Në bazë të rishikimit të listës së prokurimeve/kontratave të realizuara “Trainkos”-i ka realizuar gjithsej 95 kontrata të ndryshme gjatë vitit 2018, ku 49 prej tyre janë me vlera minimale nën 1.000 euro.

“Në bazë të testimit të 10 mostrave kemi gjetur se në katër (4) raste ishin zhvilluar procedura të prokurimit duke zbatuar kontrata me vlerë minimale për projektin e njëjtë ‘Furnizim me ujë të pijshëm’, si dhe në tre (3) raste kemi gjetur se janë furnizuar me bateri me vlerë minimale nën 1.000 euro. Ndarja e kërkesave ka rrjedhur si rezultat i mosidentifikimit të nevojave për furnizime me kohë dhe mosplanifikimit të duhur të sasisë për këto furnizime. Aplikimi i procedurave me vlerë minimale për artikujt e njëjtë mund të rezultojë me kosto më të lartë, duke e krahasuar me aplikimin e procedura tjera të zhvilluara në konkurrencë të hapur. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se bëhet identifikimi i nevojave për furnizime nga të gjitha njësitë kërkuese dhe të njëjtat përfshihen në planin vjetor të prokurimit. Përgatitja adekuate e planeve për furnizime ndihmon në zhvillimin e procedurave adekuate dhe në shtim të vlerës për para”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Regjistrimi i gabuar i Tatimit të Vlerës së Shtuar

Më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se sipas detyrave dhe përgjegjësive zyrtari certifikues siguron se janë plotësuar kushtet e kontratës para se të bëhet pagesa dhe që kërkesa për pagesë është e koduar në zërin e duhur të shpenzimeve, si dhe fatura është e rregullt.

Gjatë testimit të 33 mostrave ZKA-ja ka vërejtur se dy (2) prej tyre kanë rezultuar me gabime, njëra në shumën prej 640 € dhe tjera në shumën 450 €, të cilat janë paguar në emër të pastrimit të rezervarëve të ujërave të zeza në vagonë dhe të pusetave.

“Pagesa totale prej 1.090 € ishte bërë me TVSH të llogaritur nga operatori prej 8%, derisa do duhej të llogaritej me 18%. Sipas faturës së operatorit, TVSH-ja për dy pagesat prej 8% ishte rreth 81 €, mirëpo kjo vlerë ishte nënvlerësuar për 85 €. Faturat janë pranuar duke mos u verifikuar vlera e TVSH-së dhe kjo ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë së zyrtarëve për pranim të faturës dhe si e tillë me gabim është regjistruar në kontabilitet”, thuhet më tutje në raport.

Sipas ZKA-së, mosrishikimi i faturave të pranuara, duke mos verifikuar llogaritjen e TVSH-së, rezulton me gabim financiar dhe në deklarim të gabuar për TVSH-në e arkëtueshme.

“Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se çdo faturë kontrollohet me kujdesin e duhur nga zyrtarët përgjegjës para se të procedohet më tutje në kontabilitet, ndërsa për rastet e identifikuara me gabime të kërkojnë që të bëhen korrigjimet e nevojshme për t’i eliminuar efektet e gabimit”, rekomandon auditori.

Plani për menaxhim të kontratës, jo sipas formës standarde

Sipas Nenit 81 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), autoritetet kontraktuese janë të obliguara të përgatisin planin për menaxhimin e kontratës.

Plani i Menaxhimit të Kontratës (PMK) është dokument i cili do të përditësohet duke u bazuar në mbikëqyrjen e punëve, shërbimeve ose mallrave në pajtim me kushtet e parashtruara në kontratën origjinale.

Plani i Menaxhimit të Kontratës është dokument i hapur për monitorim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) gjatë implementimit të kontratës. Në tri (3) projekte PMK-ja nuk ishte plotësuar nga mbikëqyrësi i projektit sipas formës standarde. Rastet e tilla janë si në vijim: projekti “Renovimi i objektit të tërheqjes së trenave”; projekti “Furnizim me vagonë të përdorur të udhëtareve me riparim të mesëm; dhe projekti “Furnizimi dhe montimi i vinçave dhe mjeteve tjera”.

Sipas zyrtarit të prokurimit, ndërmarrja ka pasur të kontraktuar organin mbikëqyrës dhe duke pasur parasysh rregullat e ndërtimit janë pajtuar që firma mbikëqyrëse të mbajë ditarët e punës dhe raportin të cilin e përdor ajo.

Po ashtu “Trainkos”-i kishte përdorur një formë tjetër të raportimit të adaptuar për nevojat e veta.

“Mospërgatitja e planit për menaxhimin e kontratës sipas kërkesave të LPP-së është në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik dhe mund të rrezikojë që të mos përfshihen të gjitha informatat relevante që i kërkon forma standarde. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se menaxheri i kontratës përgatit formën standarde të menaxhimit të secilit projekt, me qëllim të raportimit të saktë të situacioneve të kryera dhe lehtësimit të monitorimit nga organet kompetente dhe palët e interesit”, thuhet më tutje në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për ndërmarrjen publike “Trainkos”.

Mosbarazimi i gjendjes faktike të stoqeve me regjistrat kontabël

Më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se regjistrat kontabël duhet të përmbajnë informata të plota dhe të sakta lidhur me gjendjen e pasurisë së NP-së. Ndërmarrja në fund të vitit kishte bërë numërimin e stoqeve dhe kishte përgatitur raportin e inventarizimit, mirëpo ky raport nuk përputhet me evidencat kontabël.

Në raportin e Komisionit të Inventarizimit ishte paraqitur vlera 424.499 euro, ndërsa në shënimet e kontabilitetit ishte prezantuar vlera 428.509 €, pra me një mospërputhje në shumën prej 4.010 euro.

Sipas ZKA-së, ndërmarrja kishte marrë disa veprime për barazimin e gjendjes së stoqeve sipas regjistrimit të komisionit me evidencat kontabël, mirëpo nuk kishte arritur ta përfundonte me sukses këtë proces.

“Mungesa e një pasqyre të saktë të gjendjes së stoqeve rrit rrezikun që Ndërmarrja të bëjë furnizime të panevojshme ose të mos jetë në gjendje t’i bëjë furnizimet e duhura për shkak të informacioneve të mangëta kontabël. Për më tepër, kjo situatë rrit edhe rrezikun e keqpërdorimit të stoqeve nga personat përgjegjës. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë që bëhen barazimet e gjendjes së stoqeve në evidencat kontabël me gjendjen e tyre faktike, si dhe të sigurojë se janë shtuar kontrollet për monitorimin e vazhdueshëm të tyre. Po ashtu kurdo që paraqiten diferenca të tilla të vazhdohet me hulumtimin e tyre deri të identifikohen diferencat dhe shkaktarët”, thuhet në raport.

Planifikimi dhe realizimi jo i duhur i planit të biznesit

Sipas raportit të hartuar nga ZKA-ja thuhet se qëllimi i planit të biznesit në përgjithësi është arritja e synimeve të kompanisë sipas prioriteteve të saj. Sipas analizave të buxhetit, realizimi i të hyrave në raport me planin e rishikuar të biznesit ishte rreth 75%, ndërsa realizimi i të hyrave nga transporti i udhëtarëve dhe i të hyrave nga grantet për investime kapitale ishin 66% dhe 33% respektivisht.

Në raport thuhet se sa u përket shpenzimeve realizimi i planit për investime kapitale ishte në nivelin 32%, ndërsa buxheti për kostot e shërbimit në raport me planin përfundimtar ishte tejkaluar. Kjo ka ndodhur në mungesë të një analize të saktë lidhur me aftësinë e kompanisë për gjenerimin e të hyrave, si dhe për shkak të analizave joadekuate për realizimin e projekteve kapitale.

“Planifikimi jo i duhur i buxhetit dhe realizimi i ulët, sidomos për të hyrat dhe investimet kapitale, mund të rezultojë në mosarritjen e objektivave të kompanisë. Ndërsa mungesa e informatave lidhur me burimet e financimit mund të rezultojë me mosrealizim të projekteve. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se me rastin e rishikimit të planit të biznesit bëhen analiza më të sakta lidhur me gjenerimin e të hyrave nëpër secilën kategori. Po ashtu të bëhet një analizë e detajuar e aktiviteteve investuese të planifikuara për t’u realizuar gjatë vitit dhe të merren veprimet e nevojshme që këto projekte të realizohen sipas planit”, rekomandon auditori.

Po ashtu gjetje ka edhe në rastet e furnizimit me derivate. Sipas ZKA-së, proceduat e pranimit të naftës bëhen nga Komisioni për Pranim të Naftës dhe pas pranimit të mallit konstatohet nëse mallrat ose furnizimet janë në përputhje me dokumentet përcjellëse si fletëdërgesa ose fatura e furnizuesit.

“Me rishikimin e listës së ofruar për 12 muaj të vitit 2018 kemi vërejtur se furnizimi sipas furnizuesit ishte 637.962 litra (volum metrit) derisa sipas mjetit matës (shipkë) nga ‘Trainkos’i sasia ishte 634.306 litra naftë. Sipas kësaj rrjedh se ‘Trainkos’-i ka një diferencë prej 3.656 litra më pak nga matja me mjetin matës (shipkë e shkallëzuar në milimetra).

Në regjistrat kontabël me 31.12.2018 janë regjistruar në kontabilitet dy humbje sipas matjes me mjetin matës në sasi prej 3.656 litrash ose 2.888 € dhe humbja e dytë në bazë të komisionit ishte në sasi prej 6.950 litrash ose 5.490 €. Shuma totale e humbjes sipas regjistrit kontabël në fund të vitit ishte 10.606 litra ose 8.378 €.

Kryeshefi ekzekutiv më datën 22.11.2018 ka nxjerrë vendim për formimin e komisionit në përbërje prej pesë (5) anëtarësh lidhur me hetimin e mungesës së naftës në depo.

Sipas vlerësimit dhe konstatimit të komisionit, defektet ishin te pajisjet e ‘Trainkos’-it, pasi që pajisjet e matjes së naftës nuk kanë bërë regjistrimin në mënyrë të saktë, ngase është vërejtur se furnizimi me naftë nga pompa bëhet duke regjistruar më pak furnizim.

Departamenti i Administratës kishte pohuar se vëzhgimi me kamera në depo të naftës nuk ka funksionuar në kohën e konstatimit të mungesës dhe kjo humbje ka mbetur si e pazbuluar”, thuhet në raport.

Të hyrat zvogëlohen për 40%

Të hyrat nga transporti i mallrave me plan fillestar ishin paraparë 1.205.323 euro, derisa me rishikim të planit të biznesit janë zvogëluar për 484.991 euro, ose 40%. Kjo ka ndodhur për shkak se klienti kryesor (operator ekonomik) i “Trainkos”-it nuk ka punuar për pesë (5) muajt e parë të vitit si rezultat i ndërrimit të aksionarit.

Po ashtu hyrja në treg e një operatori privat në transportin e mallrave ka ndikuar në rënien e të hyrave nga kjo kategori. Edhe të hyrat nga transporti i udhëtarëve të parapara me plan të biznesit ishin zvogëluar me rishikim të planit të biznesit për 99.800 €, ose 40%. Po ashtu edhe realizimi i të hyrave është më i ulët në raport me planifikimin përfundimtar për 50, 733 €.

Rënia e të hyrave nga udhëtarët është rezultat i rënies së vazhdueshme të frekuencës së përdorimit të trenave nga udhëtarët. “Me rishikim të planit të biznesit

‘Kategoria për mallra dhe shërbime’ ishte zvogëluar për 193.115 €, ose 43% si rezultat i mosvlerësimit të saktë të shpenzimeve për pajisje dhe mobile. Po ashtu edhe zvogëlimi i të hyrave ka ndikuar në reduktimin e shpenzimeve për mallra dhe shërbime. Kostot e shërbimit me plan të biznesit të rishikuar janë zvogëluar për 880.000 €, ose 51% për shkak se zvogëlimi i transportit të mallrave ka pasur ndikim direkt edhe në koston e shërbimeve; dhe investimet kapitale sipas planit fillestar ishin paraparë 1.000.000 €, derisa me rishikim të këtij plani janë zvogëluar në 800.000 €. Përveç kësaj, 539.646 € nuk janë alokuar nga MZHE-ja për shkak se një projekt kapital i planifikuar shumëvjeçar ‘Blerja e një treni motorik’, ndonëse i buxhetuar si projekt, ka dështuar procesi i ritenderimit për katër herë me radhë. Dështimi në këtë projekt ka ndodhur për shkak të mungesës së ofertuesve”, thuhet në raport.