Intriga dhe luftë për privatizimin e Hotel Grandit

Intriga dhe luftë për privatizimin e Hotel Grandit

Ekonomia June 18, 2019 - 23:11
Lexo tjera detaje

Dy vëllezërit Devolli, Blerimi dhe Shkelqimi, përmes mbështetjes politike të Thaçit, Haradinajt dhe Veselit, kanë shprehur interesim për ta bërë të vetin Hotelin Grand. Behgjet Pacolli po ndihet i mashtruar.

Objekti që po qëndron si monument i korrupsionit dhe krimit mu në qendër të Prishtinës është duke i ngritur përsëri tensionet në mes të partive politike dhe krerëve të institucioneve. Drama për privatizimin e Hotelit Grand, që është mbajtur jashtë radarit që disa vite, po rikthehet përsëri në temë kryesore ekonomike, por edhe politike.

Gazeta Express ka mësuar që ka tensione të mëdha, që ende nuk kanë dalë në sipërfaqe, ku janë të përfshirë vëllezërit Devolli, Shkelqimi dhe Blerimi, Behgjet Pacolli, si dhe në prapavijë të gjithë kësaj edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj.

Si pikë e parë, sipas burimeve të gazetës, zëvendëskryeministri Pacolli është duke insistuar që ky objekt i takon atij, sepse ai e kishte blerë atë në një proces të privatizimit para një dekade, por që padrejtësisht, sipas Pacollit, atij i ishte rrëmbyer pronësia nga një ish partner, Zylqyfli Berisha. Ky i fundit nuk kishte pasur buxhet të mjaftueshëm për ta blerë Grandin, prandaj kishte kërkuar nga Pacolli që të bëhet partner i tij, duke ia huazuar disa miliona euro. Berisha, blerës zyrtar, pas procesit të privatizimit e kishte dëbuar Pacollin nga partneriteti, ndërsa vetë kishte dështuar që t’i kryente investimet e kërkuara. Për shkak të kësaj Agjencia për Privatizim ia kishte konfiskuar Berishës hotelin e blerë, kurse Pacollit nuk ia kishte pranuar humbjet prej disa milionave. Pacolli asnjëherë nuk ka hequr dorë prej kësaj të drejte. Burimet thonë se Pacolli, kur kishte pranuar që të futej në këtë koalicion qeveritar kishte kërkuar garancion që Grandi do t’i jepej atij. Në ato ditë të rënda, kur PAN’it i mungonin numrat, Pacollit i ishte premtuar cdo gjë. Mirëpo tash duket që gjërat kanë ndryshuar. Gjërat janë vështirësuar për Pacollin posacërisht pas rritjes së ambicieve për këtë objekt të dy vëllezërve Devolli. Sikurse për shumë projekte të tjera, as për këtë projekt Blerimi dhe Shkelqimi nuk janë bashkë. Mirëpo të dytë këta kanë lobues të fuqishëm në institucione. Express ka mësuar se avokat i Blerimit në këtë proces është hic më pak se Presidenti Thaci, kurse Shkelqimi i ka në anën e tij Kryeministrin Haradinaj dhe Kryeparlamentarin Veseli. Dëshmi për interesimin e Shkelqim Devollit për këtë projekt është edhe një kronikë e sotshme e Klan Kosovës, pronë e Shkelqim Devollit, ku tregohet për interesimin e zinxhirit Marriot për këtë hotel, e prapa këtij interesimi është Shkelqimi.

Gazeta Express ka mësuar se zëvendëskryeministri Pacolli është i frustruar nga këto lojëra që po bëhen për objektin që ai e konsideron të tij.