'Eurowings'-i zbarkon në Kosovë
Foto: Laura Hasani

'Eurowings'-i zbarkon në Kosovë

Ekonomia June 18, 2019 - 19:36
Lexo tjera detaje
Image

Kosova të martën është bërë nikoqire e bazës së parë në Evropën Juglindore për kompaninë prestigjioze “Eurowings”, pjesë e “Lufthansa Grup”. Përmes një bashkëpunimi me kompaninë “Eurokoha”, “Eurowings”-i tani zyrtarisht ka zbarkuar edhe në Kosovë, shkruan "Zëri.info".

Kompania “Eurowings”, e cila është pjesë e një prej kompanive më të mëdha në botë “Lufthansa Group”, të martën zyrtarisht është stacionuar edhe në Kosovë.

Remzi Ejupi, president i kompanisë “Eurokoha”, e cila është partnere e kësaj kompania të madhe botërore, të martën bëri të ditur se ardhja e “Eurowings”-it në vendin tonë do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës që nga Aeroporti i Prishtinës të fluturojnë në më shumë se 180 destinacione në gjithë botën. Presidenti i kompanisë "Eurokoha", Remzi Ejupi, gjatë zyrtarizmit të bashkëpunimit të kompanisë së tij me kompaninë e aviacionit "Eurowings" tha se më në fund është shpërblyer mundi disavjeçar për ta sjellë një kompani si “Eurowings”-i në Kosovë. "Nuk ka qenë e lehtë për më shumë se 20 vjet për të ardhur deri këtu. I falënderoj gjithë ata që na kanë ndihmuar të jemi këtu. Tani e kemi kryeqytetin e Kosovës në hartën gjeografike të Aviacionit Botëror dhe tani presim sa më shpejt të ndodhë liberalizimi i vizave që qytetarët të lëvizin lirshëm sikurse gjithë bota", tha Ejupi.

Ai po ashtu theksoi se tani është momenti që politikanët e Kosovës ta bëjnë punën e tyre dhe t’ua heqin vizat kosovarëve.

Kurse zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, po ashtu pjesëmarrës në këtë eveniment, e vlerësoi zbarkimin e kompanisë "Eurowings" si ditë historike për Kosovën. "Kjo është ditë historike për Kosovën. Çdoherë kemi dashur ta kemi një bazë të aviacionit dhe tani do ta kemi ‘Eurowings’-in, i cili do të hapë transportin e qytetarëve të Kosovës në vende të ndryshme të botës", theksoi ndër të tjera Hoxhaj.

Në fund të fjalës së tij ai falënderoi presidentin e “Eurokohës” Remzi Ejupin për bashkëpunimin ndër vite me institucionet e Kosovës.

“Eurowings”-i dhe “Eurokoha” do të hapin rreth 300 vende pune, por njëkohësisht do të përmirësojnë dukshëm edhe imazhin e Kosovës karshi investitorëve ndërkombëtarë, të cilët planifikojnë të vijnë në Kosovë për të investuar. Në njoftimin e publikuara në medie të ndryshme botërore thuhet se “Eurowings”-i ka vendosur të hapë një bazë të re në Prishtinë, duke zgjeruar kështu shërbimet e saj në Evropën Lindore. Aty më tutje thuhet se kompania do të stacionojë një “Airbus A319” në kryeqytetin e Kosovës nga data 19 qershor. Kështu Prishtina do të bëhet lokacioni i trembëdhjetë i “Eurowings”-it.

Haradinaj: “Eurowings”-i dhe “Eurokoha” do të hapin 300 vende të reja pune

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Oliver Wagner, drejtorin gjeneral të kompanisë “Eurowings”, si dhe presidentin e “Eurokohës” Remzi Ejupin, me ç’rast ka theksuar se ardhja e kompanisë “Eurowings” në Kosovë është lajm tejet pozitiv dhe i kontribuon zhvillimit të aviacionit ajror të Kosovës.

Shefi i Qeverisë përmes një statusi në rrjetin e tij social “Facebook”, ka thënë se kompania gjigante “Eurowings” ka zgjedhur Kosovën si bazën e saj për të operuar në rajon dhe për të ofruar mundësi të shumta e konkurruese në tregun e aviacionit ajror. “I lumtur të kuptoj, përmes drejtorit gjeneral të kësaj kompanie, Thorsten Dirks, që ‘Eurowings’-i zgjodhi Kosovën si bazën e saj për të operuar në rajon dhe për të ofruar mundësi të shumta e konkurruese në tregun e aviacionit ajror. Nga ky operim, përveç linjave direkte të reja dhe shtimit të linjave ndërlidhëse, Kosova po shndërrohet në pikë orientuese dhe bazë për zhvillim e investime të huaja, me theks të veçantë të investimeve gjermane”, ka thënë ai.

Haradinaj po ashtu ka theksuar se ardhja e kompanisë “Eurowings” në Kosovë rezulton me hapjen e rreth 300 vendeve të punës. “Ky është një lajm i gëzueshëm për Kosovën dhe dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për rikthimin e besimit të plotë dhe për fuqizimin e partneritetit në mes të Kosovës dhe të Gjermanisë në të gjitha fushat. Lajmi i sotëm do t’i paraprijë një investimi tjetër që do të rezultojë me hapjen e rreth 300 vendeve të punës, përmes Akademisë që ‘Eurowings’-i dhe ‘Eurokoha’ do ta hapin nga muaji shtator 2019 për trajnimin e stafit dhe të ekuipazhit. Urime Kosovë!”, ka shtuar ai./ZËRI

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image