Hendeku mes pasurisë së politikanëve dhe të qytetarëve
FOTO: Laura Hasani

Hendeku mes pasurisë së politikanëve dhe të qytetarëve

Ekonomia June 17, 2019 - 15:16
Detajet

Numri i politikanëve që kanë pasuri mbi një milion euro po rritet nga dita në ditë, siç po rritet në anën tjetër edhe numri i qytetarëve të cilët jetojnë në kushte të mjerueshme. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë familje me mbi 100 mijë qytetarë vazhdojnë të jetojnë me asistencë sociale, shkruan gazeta "Zëri"

Sipas të dhënave në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, nga skema e ndihmës sociale gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë përfituar 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë, përderisa një numër i konsiderueshëm i politikanëve që kanë deklaruar pasurinë kanë pasuri në vlerë mbi 1 milion euro.

Nga organizata të shoqërisë civile vlerësohet se shtresa më e pasur e shoqërisë në Kosovë janë politikanët dhe kjo sipas tyre ngjall dyshime për përfitime të jashtëligjshme në pozitat që mbajnë.

LEXO EDHE: Politikanët milionerë, qytetarët të varfër

Artan Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë për “Zërin” se ka dallime të mëdha mes pasurisë së qytetarëve të thjeshtë dhe atyre që mbajnë pozita të larta ose janë pjesë e politikës.

“Duke u bazuar te pjesa e deklarimit të pasurive, po shohim që pjesa më e madhe e zyrtarëve politikanë kanë pasuri që është afër 1 milion ose e kalojnë këtë shifër, në anën tjetër gjendja e përgjithshme e qytetarëve është e rëndë. E dimë që një pjesë e madhe e tyre janë në social dhe janë me të ardhura të ulëta. Kjo tregon që në një ose në një tjetër mënyrë kategoria më e pasur e këtij vendi janë politikanët dhe zyrtarët e lartë publikë e kjo atëherë automatikisht na lidh me dyshimet që këtu ka përfitime të paligjshme”, ka deklaruar Demhasaj./ZERI