Komuna e Skenderajt paguan 6 edukatore serbe, Mitrovica e Vushtrria asnjë
FOTO: Laura Hasani

Komuna e Skenderajt paguan 6 edukatore serbe, Mitrovica e Vushtrria asnjë

Ekonomia June 12, 2019 - 08:04
Lexoni detajet
Image

Komuna e Mitrovicës nuk paguan nga buxheti i Arsimit të Komunës asnjë mësimdhënës e asnjë edukator serbe, pasi në komunën jugore nuk ka asnjë shkollë në të cilën mësojnë nxënësit serbë e as ndonjë institucion parashkollor. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Iset Beka, i tha “Zërit” se në rajonin e komunës jugore nuk ka institucione arsimore serbe dhe për këtë arsye në listat e pagave të punëtorëve të arsimit nuk ka mësimdhënës dhe edukatorë serbë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

“Jo, jo nuk kemi asnjë mësimdhënës serb që paguhet nga buxheti i Komunës Veriore, sepse nuk ka as shkolla dhe institucione parashkollore serbe. Të gjitha janë në pjesën veriore”, tha ai.

LEXOE DHE: Forca e shpresës

Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Afrim Namani, bëri të ditur se drejtorët e tri shkollave fillore serbe, në Gojbulë, Gracë dhe Prelluzhë kanë shkuar te ai dhe kanë kërkuar që mësimdhënësit të përfshihen në listat e pagave nga buxheti i Arsimit të Komunës, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

“Kanë ardhur ata drejtorët me kontratat që i kanë nënshkruar me institucionet e arsimit të Serbisë, diku në Zveçan dhe kanë kërkuar të hyjnë në listat e pagave. Unë nuk i kam pranuar, sepse nuk e di me kë i kanë bërë kontratat. E kemi lënë një takim me ta edhe një herë për t’u sqaruar. Sigurisht se ata paguhen nga buxheti i Serbisë dhe tani dëshirojnë të marrin paga edhe nga buxheti i Kosovës”, ka thënë Namani. 

Në anën tjetër drejtori i Arsimit në Komunën e Skenderajt, Bekim Latifi, i tha “Zërit”, të martën, se Komuna nga buxheti i vet paguan pagat e 6 edukatoreve në Banjë, një fshat i banuar kryesisht me serbë.

Latifi tha gjithashtu se kur ishte emëruar drejtor i DKA-së kishte larguar nga listat e pagave të gjithë mësimdhënësit e shkollës fillore të Banjës, të cilët deri atëherë merrnin paga edhe nga buxheti i Komunës e edhe nga buxheti i Serbisë.

“Aktualisht i paguajmë edukatoret e institucionit parashkollor në Banjë, janë 6 sosh që marrin pagat nga buxheti i Arsimit të Komunës së Skenderajt. Në vitin 2014, kur kam ardhur drejtor i DKA-së i kam larguar nga buxheti i Komunës të gjithë mësimdhënësit serbë të shkollës së Banjës, për shkak se e kam ditur se ata paguhen edhe nga Serbia, e përveç kësaj ata punojnë me sistemin e arsimit të Serbisë”, tha drejtori Latifi.

Në paga të buxhetit të Kosovës janë përfshirë edhe punonjës shëndetësorë, ndonëse edhe ata marrin paga nga buxheti i Serbisë. Shumë serbë në Kosovë marrin paga nga shteti i Serbisë për punën që bëjnë në institucionet paralele. Një hulumtim i vitit 2015 tregon se mbi 5 mijë persona janë të punësuar në administrata komunale ose ndërmarrje publike të Kosovës që financohen nga Serbia. Numri i atyre që marrin paga minimale arrin në 22.000, por supozohen që gjysma e tyre as nuk jeton në Kosovë. Vetëm për paga në Kosovë Serbia ndan rreth 41 milionë euro në vit. Sipas një hulumtimi rreth 700 të punësuar në sistemin arsimor në Kosovë marrin paga nga Serbia. Një numër i serbëve merr paga edhe nga shteti serb edhe nga ai i Kosovës. Numri i saktë nuk dihet. Rrogat neto në Serbi dhe Kosovë janë të përafërta.

Në anën tjetër shumë serbë, edhe ish-pjesëtarëve të strukturave paralele të sigurisë, siç janë: “Mbrojtja Civile”, pastaj “Rojat e Urës” e ndonjë tjetër marrin paga pa punuar fare. Ata nuk shkojnë fare në punës, por vetëm evidencohen në listat e paga. Vetëm Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar 97.733 për pagat e 22 punonjësve të ish-strukturave paralele serbe, pa punuar fare. Edhe pse janë punësuar me vendim të Qeverisë së Kosovës, më 22 korrik 2015, duke u bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për shuarjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, gjatë 2018-s ata nuk janë paraqitur asnjëherë në vendin e punës.

Këta persona janë futur në listat e pagave në Spitalin e Mitrovicës dhe deri në integrimin e tyre në institucionet legale ata dhe organizata e tyre kanë operuar lirshëm në veri të Kosovës. Njësitë e “Mbrojtjes Civile” në veri të Kosovës kanë operuar jashtë kornizës ligjore të Kosovës deri në fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Shëndetësisë, ky lëshim ka ndodhur për shkak se ka munguar kontrolli menaxhues, i cili duhet të kujdeset që të gjithë nëpunësit publikë të jenë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës. Pagesa e këtyre punonjësve, në mungesë të dëshmive të vijueshmërisë në punë, sipas këtij raporti, dëmton buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rrit rrezikun e pagesave të parregullta. Lidhur me këto shkelje, ministrit të Shëndetësisë i rekomandohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm, siç parashihen me aktet ligjore.

“Nëse problemi nuk mund të zgjidhet brenda Ministrisë, ministri rekomandohet që këtë çështje ta adresojë edhe në Qeveri”, thuhet mes tjerash në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.