Shqiptarët e veriut apel institucioneve të Kosovës, ndalojeni kolonizimin në veri
FOTO: Laura Hasani

Shqiptarët e veriut apel institucioneve të Kosovës, ndalojeni kolonizimin në veri

Ekonomia qershor 10, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image

Disa shtëpi të serbëve që kanë filluar të ndërtohen në lagjen e banuar kryesisht me shqiptarë, “Kroi i Vitakut”, kanë shqetësuar dhe kanë pezmatuar banorët e asaj pjese. Përfaqësuesit e kësaj lagjeje (Skender Rama, Ramadan Ademi dhe Musa Haliti) kanë takuar kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, të cilin e kanë njoftuar për situatën aktuale në atë pjesë. Sipas tyre, serbët kanë filluar të ndërtojnë shtëpi në këtë lagje dhe kjo për ta është e papranueshme, sepse asnjë shtëpi e banorëve serbë nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në atë pjesë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Skender Rama, banor i lagjes “Kroi i Vitakut”, ka kërkuar që shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës duhet të kenë mbështetjen e nivelit qendror.

LEXO EDHE: Opozita: Zgjedhjet në nëntor

“Ne si banorë të kësaj lagjeje kemi qenë gjithmonë për bashkëjetesë, mirëpo asnjë shtëpi e banorëve serbë nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve dhe ndërtimet e serbëve duhet të ndalohen në çdo mënyrë, nëse nuk ka fuqi shteti, institucionet e vendit, atëherë këtë do ta bëjmë vetë, sepse nuk lejojmë të ndërtohen shtëpi për serbët që nuk kanë jetuar kurrë këtu”, tha Rama.

Ai ka shtuar se të gjithë banorët shqiptarë janë të pajtimit që të iniciojnë një peticion me të cilin do të kërkohet nga institucionet e nivelit qendror që të pengohet ndërtimi i banesave dhe shtëpive serbe. 

Bahtiri: Të reagojë Qeveria

Ndërkaq kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri, duke dëgjuar për shqetësimet këtyre banorëve, ka thënë se në të gjitha takimet e tij me përfaqësues të nivelit qendror dhe ndërkombëtarë ka ngritur zërin për 13 mijë shqiptarët e dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës e veçanërisht nga pjesa veriore e Mitrovicës, të cilët akoma nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërkohë vazhdojnë të jetojnë si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe në qytete tjera të Kosovës.

“Projektet e tilla kanë për qëllim kolonizimin e veriut dhe ndryshimin e strukturës etnike, duke mundësuar kështu kthimin e serbëve që asnjëherë nuk kanë jetuar në Kosovë, andaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës dhe organeve tjera kompetente që të mos i mbyllin sytë përballë kësaj situate të krijuar, e cila nuk i konvenon bashkëjetesës së qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Cimili: Janë qindra banesa të shqiptarëve të uzurpuara në veri

Në anën tjetër shqiptarët e veriut të Mitrovicës janë të vetmit në Kosovës që u kërkohet leje për ndërtimin e shtëpive në pronat e veta në veri.

Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, ka thënë të dielën se shqiptarët e veriut të Mitrovicës janë të vetmit në Kosovë të cilëve u kërkohen leje për rindërtimin e shtëpive të tyre të djegura dhe të rrënuara gjatë luftës dhe pas lufte, ndonëse ata nuk kanë faj pse u janë djegur shtëpitë.

Cimili tha gjithashtu se shqiptarët e dëbuar nga veriut i Mitrovicës jo vetëm që po lejohen t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre, por nuk po lejohen të kthehen në banesat e uzurpuara në ndërtesa kolektive.

“Edhe më tutje mbahen të uzurpuara mbi 400 banesa të shqiptarëve në veri të Mitrovicës, nëpër ndërtesa kolektive. Janë mbi 250 shtëpi të djegura që ende nuk janë rindërtuar. Shqiptarët e veriut të Mitrovicës janë të vetmit banorë të Kosovës të cilëve u kërkohet leja për rindërtim të shtëpive të tyre edhe pse ata nuk janë aspak fajtorë pse u janë djegur shtëpitë”./ZERI