Konkurse vetëm për militantë
Foto: Laura Hasani

Konkurse vetëm për militantë

Ekonomia qershor 08, 2019 - 07:56
Lexo tjera detaje
Image

Pothuajse të gjitha institucionet qendrore, lokale, por edhe ato të pavarura janë mbushur me punëtorë me kontrata mbi vepër, të cilët janë punësuar nëpër institucione pa përfillur asnjë procedurë të rekrutimit të paraparë me ligj. Vetëm gjatë vitit që lamë pas në këtë formë Komuna e Malishevës kishte angazhuar 66 punëtorë, ajo e Mitrovicës 46 punëtorë, Komuna e Obiliqit 34 punëtorë, Komuna e Skenderajt 19 punëtorë, Ministria e Punëve të Brendshme 11 punëtorë, shkruan gazeta "Zëri".

Numri i të punësuarve me kontrata mbi vepër nëpër institucionet e shtetit po vazhdon të rritet nga dita në ditë. Pa përfillur asnjë procedurë të prokurimit të paraparë me ligj pothuajse në të gjitha institucionet qendrore, lokale, por edhe në ato të pavarura në vend po shtohet numri i punëtorëve në këtë formë. Në raportet e Auditorit shihet qartë se në pjesën dërrmuese të komunave, të ministrive, por edhe nëpër agjenci të pavarura është punësuar një numër i madh i punëtorëve.

Në raportin e Auditorit thuhet se Komuna e Malishevës gjatë vitit kishte angazhuar 65 punonjës përmes MSHV-ve, por që në kontrata nuk ishte e specifikuar se në cilën bazë ligjore ishin thirrur gjatë hartimit të kontratave. Prej tyre 53 persona të njëjtë ishin angazhuar dy herë brenda vitit, pra në njëfarë forme këto kontrata vetëm ishin vazhduar.

Po ashtu për këto angazhime nuk ishte zhvilluar ndonjë procedurë e thjeshtuar e rekrutimit dhe mungonin kërkesat ose arsyetimet për nevojën e angazhimit të punonjësve përmes kësaj forme të punësimit dhe vërehet se angazhimet ishin kryesisht për pozita të rregullta, shrkuan Gazeta "Zëri"

“Komuna kishte ndalur në burim dhe kishte paguar kontributet pensionale për këta punonjës, por meqenëse këta kontraktues të shërbimeve nuk janë punonjës të rregullt dhe nuk janë të përfshirë në listën e pagave, Komuna me rastin e pagesës së kompensimit mujor nuk ua kishte ndalur kontributin e paguar në emër të punëdhënësit prej 5%. Në këtë rast, kostoja mujore e pagesës për personin e angazhuar i kishte kushtuar Komunës 5% më tepër sesa shuma e përcaktuar me MSHV në mes të Komunës dhe kontraktuesit. Angazhimi i stafit për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit dhe pa e specifikuar se në cilën bazë ligjore janë këto kontrata krijon konfuzion rreth afateve të lejuar të tyre dhe rrit rrezikun që angazhimet të mos jenë të duhura. Pagesa prej 5% nga kompensimi i përcaktuar me MSHV-në i ka shkaktuar Komunës kosto shtesë buxhetore”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

46 të angazhuar në Komunën e Mitrovicës

Po ashtu sipas Auditorit, Komuna e Mitrovicës kishte angazhuar 46 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta, duke mos aplikuar procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit ashtu siç parashihet me Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil (LSHV), Neni 12 pika 4. Sipas Auditorit për më tepër në tri raste të angazhuarit me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin për pozita të rregullta dhe nuk kishin të bënin me punë specifike. “Mosaplikimi i procedurave të thjeshtësuara të rekrutimit ishte si pasojë e moszbatimit të kërkesave ligjore nga Komuna. Sipas zyrtarëve kjo ka ndodhur meqë drejtoritë kanë bërë kërkesë për rekrutim pa procedura të thjeshtësuara. Mungesa e konkurrencës së mirëfilltë rrit rrezikun që të angazhohen personat jokompetentë për pozitat përkatëse. Mbulimi i pozitave të rëndësishme me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe me monitorim të dobët të stafit dhe rrit pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

Auditori rekomandon se kryetari duhet të sigurojë një plan të arsyeshëm për punët që ndërlidhen me shërbimet me marrëveshje të veçanta.

35 punëtorë me kontratë mbi vepër në Komunën e Klinës

Ligji për Shërbimin Civil Nr. 03/L-149 në Nenin 12 përcakton se emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”. Komuna gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 35 punonjës të angazhuar. Prej tyre 30 janë angazhuar me kontrata pune me kohë të caktuar, duke u bazuar në Ligjin e Punës dhe 5 prej tyre ishin me marrëveshje për shërbime të veçanta, duke u bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil.

Të gjithë të angazhuarit janë paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve edhe pse të angazhuarit me kontrata me afat të caktuar konsiderohen punonjës në marrëdhënie pune dhe pagesa duhet të jetë kryer nga kategoria e Pagave dhe e Mëditjeve dhe ka një konfuzion te këto kontrata pasi për të njëjtën pozitë angazhimi bëhet herë me Ligjin e Shërbimit Civil e herë me Ligj të Punës. Po ashtu vërehet se stafi ishte i angazhuar kryesisht për pozita të rregullta të punës. Sipas zyrtarëve komunalë, mangësitë e identifikuara janë pasojë e mungesës së buxhetit për staf të ri për programet e përhershme dhe të aprovimit të kufizuar të vendeve të punës nga Ministria e Financave (MF) krahasuar me kërkesat. “Mbulimi i pozitave me kontrata të përkohshme rrit rrezikun për rritje të paplanifikuar të shpenzimeve dhe mund të ndikojnë në mosrealizimin e objektivave tjera të përcaktuara. Kryetari duhet të sigurojë ndërprerjen e një praktike të tillë të angazhimeve dhe për të gjitha pozitat e rregullta të punës për të cilat Komuna ka nevoja afatgjata kërkesat t’i adresojë me rastin e planifikimit buxhetor. Duke bërë kërkesë për rritje të stafit dhe t’i trajtojë dhe diskutojë me MF-në. Pagesat e tilla duhet kryer nga kategoria e pagave dhe e mëditjeve”, thuhet në raportin e ZKA-së.

11 të punësuar në Komunën e Graçanicës

Sipas ZKA-së,sipas Udhëzimit Administrativ Nr.01/2018 për përcaktimin e stafit ndihmës për komuna, Neni 4, thuhet: “Për të siguruar asistencë teknike kryetari i Komunës mund të caktojë katër (4) zyrtarë mbështetës në zyrën e tij - shefin e kabinetit, zyrtarin për marrëdhënie me publikun, zyrtarin administrativ dhe zyrtarin e logjistikës (vozitës)”.

Por sipas Auditorit, Komuna kishte angazhuar 11 (njëmbëdhjetë) punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta në cilësinë e këshilltarëve komunalë, ku kontrata u vazhdohet çdo gjashtë muaj. Këta këshilltarë janë caktuar për të dhënë këshilla në fushën e financave, të administratës, të rinisë e të sporteve, për të bashkëpunuar me komunitetet joshumicë etj. Përveç kësaj, njëri prej tyre është në detyrë të këshilltarit të kryetarit që nga viti 2015. Komuna për këto shërbime gjatë vitit 2018 ka paguar 41.146 euro. Sipas Auditorit, Komuna për këta të punësuar nuk kishte aplikuar procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit ashtu siç parashihet me aktet e përcaktuara ligjore. “Po ashtu në vitin 2015 Komuna ka angazhuar avokatin për të përfaqësuar Komunën në të gjitha kontestet gjyqësore për një periudhë të pacaktuar kohore. Komuna ka një nëpunës civil për çështje ligjore, por nuk kryen punën e përfaqësimit në procese gjyqësore, megjithatë sipas Rregullores për Sistematizimin e Vendeve të Punës në Administratën Komunale, Neni 13 thekson që kreu i shërbimit juridik duhet të përfaqësojë Komunën në gjykata, si dhe në organe të tjera. Kjo ka ndodhur për shkak se Komuna nuk ka respektuar rregullat dhe kuadrin ligjor për angazhimin e individëve për shërbime të veçanta. Në anën tjetër, kjo është ndikuar edhe për shkak të funksionit jo të mjaftueshëm të Zyrës për Çështje Ligjore në Komunë. Ndërsa për angazhimin e këshilltarëve, sipas menaxhmentit, kjo ka ndodhur për shkak se Komuna ka nevojë për këta punëtorë dhe nuk ka të aprovuar punëtorë të mjaftueshëm për këto pozita”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se “mbulimi i pozitave të rregullta me kontrata për shërbime të veçanta duke vazhduar për vite me radhë nuk është në pajtim me rregulloret dhe rrit pasigurinë e stafit për qëndrim të gjatë në këto pozita, çka mund të reflektojë edhe në performancë dhe në monitorim të dobët të stafit. Auditori rekomandon se kryetari duhet të sigurojë një plan të arsyeshëm për punët që ndërlidhen me shërbimet me marrëveshje të veçanta. Po ashtu nevojat shtesë për punëtorë me pozita të rregullta t’i trajtojë me organet përkatëse dhe të gjendet zgjidhja e pranuar. Në këtë mënyrë do të mënjanohen kërkesat për kontrata për shërbime të veçanta, që mund të kalojnë periudhën e përcaktuar”, thuhet më tutje në raport.

MPB-ja në pozita të rregullta emëroi zyrtarë me kontrata të veçanta

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës thuhet se në këtë Ministri kanë hasur në marrëveshje për shërbime të veçanta në pozitat e rregullta dhe në afat më të gjatë sesa lejohet me ligj. Sipas Nenit 12.4 të Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Por sipas Auditorit, në AME numri i të punësuarve me marrëveshje për shërbime të veçanta ishte 11 (7 prej tyre në pozita të rregullta si zyrtarë të financave, të personelit, për marrëdhënie me publikun, logjistikë etj).“Në katër raste kohëzgjatja e marrëveshjeve ishte nga data 01.01.2018 – 31.12.2018 duke e tejkaluar afatin ligjor të paraparë për zbatim të këtyre marrëveshjeve. Angazhimi i punonjësve me kontrata mbi shërbimet e veçanta në pozitat e rregullta të punës dëmton konkurrencën dhe rrit rrezikun e angazhimit të stafit jokompetent që mund të afektojë edhe arritjen e objektivave të organizatës. Ndërsa angazhimi i tyre më gjatë se gjashtë muaj brenda një viti është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Ministri në bashkëpunim me drejtorin e përgjithshëm të AME-së duhet t’i shqyrtojnë arsyet pse rastet e tilla kanë ndodhur dhe t’i ndërpresin praktikat e angazhimit të përkohshëm të stafit për pozitat e rregullta. Në rast të nevojave për shërbime të veçanta, ato duhet të sigurohen duke u nënshtruar kërkesave dhe procedurave ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se në këtë rast kanë hasur edhe mangësi në procedurën e angazhimit me marrëveshje për shërbime të veçanta. Sipas konkursit të shpallur nga AME-ja për angazhim me marrëveshje për shërbime të veçanta në pozitën e zyrtarit të financave ishin përcaktuar kriteret specifike, të cilat kandidatët do të duhej t’i plotësonin. Te kualifikimi profesional ishte kërkuar diplomë universitare në drejtimin ekonomik, financa, biznes ose të ngjashme.

9 të punësuar me kontrata të veçanta në Komunën e Rahovecit

Po ashtu Zyra Kombëtare e Auditimit ka hasur në parregullsi në angazhimin e stafit për shërbime të veçanta edhe në Komunën e Rahovecit. Sipas Auditorit, Neni 12 pika 4 e Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Komuna në vitin 2018 kishte lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta me nëntë (9) punonjës, nga gjashtë (6) mostrat e audituar ka rezultuar se Komuna ka angazhuar dhe ka paguar këta punonjës në kohëzgjatje mbi gjashtë (6) muaj.“Komuna fillimisht kishte përdorur bazën e gabuar ligjore duke lidhur kontrata për punë dhe detyra specifike me kohëzgjatje 120 ditë sipas Ligjit të Punës për angazhimin e stafit civil (si anketues, zyrtarë etj) dhe pas përfundimit të këtyre kontratave ka vazhduar edhe për 6 muaj tjerë me marrëveshje për shërbime të veçanta, duke u bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil. Një dukuri e tillë sipas menaxherit të personalit ka ndodhur për shkak të keqinterpretimeve ligjore”, thuhet në raport.

Më tutje aty thuhet se angazhimet e tilla rezultojnë me parregullsi ligjore dhe mungesa e monitorimit rrezikon që Komuna të pranojë si kundërvlerë kontributin/performancën/shërbimin e duhur nga stafi i angazhuar në ketë formë.

34 të punësuar në Komunën e Obiliqit

Po ashtu në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se në bazë të kësaj Komuna për realizimin e shërbimeve të domosdoshme kishte angazhuar 34 persona përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta.

Sipas ZKA-së, angazhimi i tyre ishte bërë përmes procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit.“Nga nëntë (9) rastet e testuar në katër (4) prej tyre personat ishin angazhuar në pozita të rregullta të punës. Ata persona kryenin detyrat e tyre përmes këtyre kontratave edhe në vitin paraprak. Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme, zyrtarë transporti, lektorë, mirëmbajtës etj. Sipas Komunës, kjo ishte pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit.

Mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe me monitorim të dobët të stafit dhe rrit pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi meritor. Kryetari duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike. Për të gjitha pozitat e rregullta të punës duhet të sigurohet se buxhetohen”, thuhet në raport.

19 të punësuar në Komunën e Skenderajt

Shkelje të punësimeve me kontrata për shërbime të veçanta Auditori ka gjetur edhe në Komunën e Skenderajt. Sipas ZKA-së, Komuna gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 19 punonjës me MSHV-në. “Në dy raste kemi vërejtur se angazhimi ishte bërë pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, kurse në dy të tjera kemi tejkalim të afatit të angazhimit për tre muaj. Arsyeja pse janë lidhur këto kontrata ishte mungesa e planifikimit buxhetor për këto pozita dhe mundësia më e lehtë e angazhimit, pavarësisht faktit se këto shërbime ishin kryesisht për pozita të rregullta”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas tij, angazhimi i stafit për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit kufizon konkurrencën dhe si pasojë mund të pranohet staf me kompetencë të ulët, i cili ka ndikim që cilësia e shërbimeve të pranuara të mos jetë në përputhje me nevojat. “Kryetari duhet të sigurojë se marrëveshjet për shërbime të veçanta janë për punë specifike dhe për to zhvillohet një procedurë e thjeshtuar e rekrutimit dhe kontratat nuk zgjasin më shumë se afati i paraparë ligjor. Po ashtu duhet të ndërmerren veprime që nevojat për pozitat të rregullta të adresohen në MF gjatë planifikimit buxhetor, me qëllim që këto të mos mbulohen me MSHV-në”, ia rekomandon Auditori Komunës së Skenderajt./ZËRI