Komuna e Zubin Potokut mban punëtorë pa kontrata pune
FOTO: Laura Hasani

Komuna e Zubin Potokut mban punëtorë pa kontrata pune

Ekonomia May 24, 2019 - 08:03
Lexoni detajet
Image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në Komunën e Zubin Potokut së paku 7 pozita mbulohen nga persona pa kontrata të punës. Sipas Auditorit, pa kontrata janë duke punuar zyrtari i arsimit, zyrtari për buxhet e financa, zyrtari komunal për çështje gjinore, udhëheqës i sektorit në shëndetësi etj, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Plot shkelje ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për Komunën e Zubin Potokut.

LEXO EDHE: 92 aktakuza për 24 orë

Në raportin e Auditorit thuhet se menaxhmenti edhe pse në shkurt të vitit 2018 ka miratuar një rregullore të brendshme për strukturën organizative, për sistematizimin e vendeve të punës dhe për harmonizimin e saj me nevojat e me buxhetin e Komunës, ajo ende nuk ka filluar së zbatuari.

Kjo ka ndikuar që disa pozita kyçe të mos plotësohen, shkruan më tutje "Zëri". 

“Nga shqyrtimi i 65 dosjeve të personelit ne kemi identifikuar se dokumentacioni i kërkuar me Rregullore për Dosjet dhe Regjistrin Qendror të Nëpunësve Civilë 03/2011, për 30 raste ishte i pakompletuar, ku kryesisht mungonin përshkrimi i detyrave të punës, vlerësimet vjetore të performancës etj., ndërsa në 35 raste mungonin kontratat e punës dhe nuk ka dosje të punëtorëve. Kjo pasqyron një mungesë të specifikave të qarta për stafin e Burimeve Njerëzore (BNJ) që ndërlidhen me zbatimin e kërkesave të UA-ve si pjesë e përshkrimit të detyrave të tyre të punës. Kjo ka ndodhur pasi me vonë është caktuar menaxherin për Burime Njerëzore (BNJ) dhe deri në shkurt të viti 2018 nuk ka pasur të miratuar Rregulloren e Brendshme për Strukturën Organizative”, thuhet në rapor.

Aty më tutje thuhet se nga Komuna nuk kishte sqarime se pse ka ndodhur kjo gjë përveç sqarimit se kjo gjendje është nga koha e administrimit të UNMIK-ut.

Mangësi në mirëmbajtjen e dosjeve

“7 pozitat e disa punëtorëve pa kontrata: zyrtar i arsimit, zyrtar për buxhet dhe financa, zyrtar komunal për çështje gjinore, udhëheqës i sektorit në shëndetësi etj”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së. Sipas Auditorit, moszbatimi i strukturës organizative të personelit dhe mosemërimi i menaxherit të burimeve njerëzore nuk ofron siguri në organizimin e brendshëm të Komunës, njëkohësisht në ndarjen e detyrave dhe në përshtatshmërinë e vendeve të punës.

“Mangësitë e paraqitura në mirëmbajtjen e dosjeve dhe mospërcaktimi i zyrtarëve në pozitat e rregullta do të rezultojnë me kontrolle të dobëta në menaxhimin e BNJ-së. Mospërshkrimi i detyrave/i përgjegjësive të punonjësve mund të ketë ndikim negativ në performancën e tyre dhe të organizatës në përgjithësi. Kjo gjithashtu pamundëson identifikimin e fushave për përmirësim dhe për zhvillimin në karrierë të zyrtarëve. Kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarrë veprimet e duhura për t’i adresuar në mënyrë urgjente çështjet e përmendura më lart, ashtu që Komuna të zbatojë Rregulloren e Brendshme për Strukturën Organizative dhe që pozitat kyçe të plotësohen me personelin adekuat dhe me një përshkrim të qartë të detyrave dhe të përgjegjësive”, thuhet më tutje në raport.

Mosthemelimi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm

Pavarësisht rekomandimeve tona të përsëritura, Komuna ende nuk ka arritur t’i sigurojë shërbimet e auditimit të brendshëm dhe nuk janë mbuluar as nga ndonjë organizatë tjetër.

Kjo për shkak se menaxhmenti i Komunës nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur auditimit të brendshëm dhe përmirësimit të aktiviteteve të kontrollit të brendshëm të Komunës.

Sipas Auditorit, mungesa e aktiviteteve të auditimit të brendshëm mund të ndikojë në vazhdimin e përsëritjes së dobësive në sistemet kyçe të kontrollit të brendshëm. Për më tepër, menaxhmenti mund të mos jetë në gjendje t’i identifikojë dobësitë e kontrolleve dhe të reagojë me kohë për eliminimin e tyre.

“Kryetari duhet të themelojë NJAB-në, me qëllim për të siguruar mbështetje në menaxhimin e fushave me rrezik dhe e cila do t’i ndihmonte aktivitetet operative në vazhdim. Përveç kësaj ne sugjerojmë edhe themelimin/funksionimin e KA-së t’i rishikojë rezultatet e auditimit të brendshëm dhe veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me rekomandimet e dhëna”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.