Klosi: Prishtina është pika më e fortë për vijën bregdetare të Shqipërisë
Foto: Laura Hasani

Klosi: Prishtina është pika më e fortë për vijën bregdetare të Shqipërisë

Ekonomia May 22, 2019 - 16:26
''Ne do të jemi të suksesshëm kur t’i bëjmë gjërat e përbashkëta''

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi gjatë takimit me presidentin e kompanisë “Eurokoha” Remzi Ejupi ka thënë se Prishtina është pika më e fortë për vijën bregdetare të Shqipërisë. Ejupi ka vlerësuar shumë lartë punën e kësaj ministrie të cilët sipas tij kanë bërë mjaft për qytetaret e Kosovës të cilët kanë kaluar pushimet në bregdetin shqiptar.

Image

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi, Rovena Mocka, drejtore e Zhvillimit të Turizmit, Zamir Dedej, drejtor i Zonave të Mbrojtura, Kornelia Ferizaj, drejtor i AKT-së, Marvi Barbullushi, Shpreza Mezini, Flori Zerja, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, kryetar i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, nënkryetari i Bashkisë Durrës Florian Tahiri, nënkryetari i Bashkisë së Lezhës Enver Hafizi, Klodiana Karaj, sekretar i parë në ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, Astrit Kurti, nga kompania “INTours”, Rrahman Kasa, president i Shoqatës së Turizmit, Seit Fishta – pronar i Hotel Fishta Velipojë, Mark Gjini pronar i Hotel Rafaelo Shëngjin janë takuar të mërkurën në Prishtinë me presidentin e kompanisë më të madhe turistike në vend “Eurokoha” Remzi Ejupin, me qëllim të promovimit dhe të zhvillimit të turizmit në bregdetin shqiptar. Me këtë rast ministri Klosi ka thënë se Shqipëria e ka shumë të nevojshme kontaktin me bizneset turistike të Kosovës, pasi Prishtina është pika më e fortë për vijën bregdetare të Shqipërisë.

Image

“Ne e kemi shumë të nevojshëm kontaktin me kompanitë turistike të Kosovës tani, pasi ka qenë një turizëm në Shqipëri vështirë që ne ta fusim Shqipërinë në një treg evropian. Tani Shqipëria ka hyrë në treg falë politikave të qeverisë dhe të biznesit privat ku është bërë shumë përpjekje, punë e madhe dhe e suksesshme. Ne duam që jo vetëm atë që bëjmë me shtetin tonë, por raporti i politikave tuaja të biznesit privat të jetë gjithmonë i suksesshëm. Ne do të jemi të suksesshëm kur t’i bëjmë gjërat e përbashkëta”, theksoi më tutje Klosi.

Image

Ejupi: E çmoj shumë prezencën tuaj

Në anën tjetër presidenti i kompanisë “Eurokoha” Remzi Ejupi e ka vlerësuar lartë punën e kësaj Ministrie, si dhe të qeverive paraprake, të cilat kanë bërë mjaft për qytetaret e Kosovës të cilët kanë kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. “E çmoj dhe e vlerësoj shumë prezencën tuaj dhe të qeverisë së mëhershme për punën e saj e çdo gjë që bëni me kryetarët e bashkive, pasi e vlerësoni lart pushuesin kosovar. Kjo dëshmon se ju vazhdimisht mundoheni që për të gjitha risitë ta informoni pushuesin kosovar. Edhe besoj se ju i çmoni ata pasi janë pushues të rregullt e besnikë sa i përket bregdetit shqiptar”, ka thënë Ejupi.

Image

Gjatë këtij takimi presidenti i kompanisë “Eurokoha”, Remzi Ejupi, ka njoftuar se kjo kompani ka filluar me fluturime “charter” dy herë në javë në linjat Zvicër – Shqipëri, si dhe linja nga Këlni dhe nga Stuttgarti. “Ne operojmë nga Perëndimi për në Shqipëri që nga viti 2006. Janë fluturime të organizuara vetëm gjatë sezonit veror. Fluturime të cilat janë të përziera ‘charter’, si dhe linjë është nga Këlni dhe nga Stutgarti. Arsyeja pse janë vendosur ato fluturime ka qenë vetëm t’i plotësojmë kërkesat e turizmit si të bashkatdhetarëve, të gjermanëve, ashtu edhe të të tjerëve. Kemi pasur sukses jashtëzakonisht të madh. Nga viti 2006 e deri më tani kemi transportuar rreth 150 mijë turistë”, ka theksuar ndër të tjera Ejupi.