Kosova nuk e shfrytëzon potencialin e diasporës për investime

Kosova nuk e shfrytëzon potencialin e diasporës për investime

Ekonomia April 26, 2019 - 18:00
Lexoni detajet

Diaspora për çdo vit dërgon në Kosovë miliona euro. Por, këto para, sipas njohësve të çështjeve ekonomike duhet të shihen mundësitë e tërheqjes së kapitalit të bizneseve të diasporës në formë të investimeve.

Sipas tyre, rritja e investimeve të diasporës do të kishte rëndësi të madhe edhe për investitorët e huaj, meqë do të ishte indikator i sigurisë së investimeve që ofrohet në Kosovë.

Që nga paslufta investimet e diasporës kanë qenë kryesisht në patundshmëri dhe janë shfrytëzuar nga familjet e tyre për konsum të përditshëm.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovë (BQK), Fehmi Mehmeti, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se diaspora gjatë vitit 2018 në Kosovë ka kontribuar me 1 miliard e 800 milionë euro.

“Sipas të dhënave të vitit 2018, 800 milionë euro ka qenë vlera e remitencave që kanë hyrë në Kosovë, me një rritje vjetore prej 5.5 për qind. Një ndër faktorët kryesor për rritjen ekonomike janë remitancat. Përveç linjës zyrtare që kanë ardhur, ne e kemi edhe një zë që quhet shpenzimet e udhëtimit që kryesisht realizohen prej jorezidentëve, që në këtë rast janë realizuar nga bashkatdhetarët tonë që është rreth 1 miliard euro, që do të thotë janë 1 miliard e 800 milionë euro për vitin 2018”, ka thënë Mehmeti.