Shala: Pronësia intelektuale ka një rëndësi të veçantë ekonomike për biznesin

Shala: Pronësia intelektuale ka një rëndësi të veçantë ekonomike për biznesin

Ekonomia prill 26, 2019 - 13:04
Lexoni detajet

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i ka dhënë përkrahje forcimit të sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë, në ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, duke shtuar se do të jetë prioritet i ministrisë deri në përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE-në.

Ministri theksoi se pronësia intelektuale ka një rëndësi të veçantë ekonomike për biznesin, vlerësohet se 70-80% e aseteve të një kompanie në vendet me ekonomi të bazuar në dije përbëhet nga pasuria jo-fizike ose kapitali intelektuale.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Pronësi Industriale dhe Inspektoratit të Tregut, është në bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha institucionet kosovare të pronësisë intelektuale. Konsideroj që bashkërisht kemi arritur të kompletojmë infrastrukturën ligjore primare dhe sekondare për të siguruar mbrojtje sa më efikase të të drejtave pronësore intelektuale; të themelojmë dhe vazhdojmë me takimet e rregullta të Këshillit Shtetërorë Për Pronësi Intelektuale; Task Forcën Kundër Piraterisë, dhe tani angazhohemi më shumë në informimin e qytetarëve tanë për rëndësinë e këtyre të drejtave në mënyrë që qytetarët dhe komunitetin i biznesit të jenë të më të vetëdijshëm për rëndësinë e mbrojtjes së produkteve me pronë industriale”, theksoi Shala.

Shala tha se Agjencia e Pronësisë Industriale gjatë vitit të kaluar ka bërë një punë të shkëlqyer në shqyrtimin e aplikimeve dhe organizimin e aktiviteteve promovuese.

“Këto aktivitete janë përkthyer me rritjen e të hyrave dhe aplikimeve për marka tregtare, krahasuar me vitin paraprak. Aplikimet me pronar vendor janë rritur për 40% dhe rritja e tyre vije nga aktiviteti promovues i realizuar nga Agjencia, për ndërgjegjësimit e biznesit dhe publikut mbi rëndësinë e mbrojtjes së produkteve të tyre me pronësi industriale”, tha ai.

Ministri bëri të ditur se MTI është e përkushtuar që të sigurojë një ambient sa më të shëndoshë për konsumatorët tanë.

“Dhe jo vetëm kaq, ne duam të sigurohemi që përmes mbrojtjes së pronësisë intelektuale të inkurajojmë zhvillimet e reja teknologjike, nxisim inovacionin dhe shpikjet, dhe të mbrojmë reputacionin e brendeve të kompanive vendore dhe ndërkombëtare”, tha ministri Shala.