95% e investimeve të huaja në patundshmëri
Foto: Laura Hasani

95% e investimeve të huaja në patundshmëri

Ekonomia April 25, 2019 - 08:10
Lexo tjera detaje
Image

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2018 shihet se nga 213.7 milionë euro sa ka qenë shuma totale e investimeve të huaja në Kosovë gjatë vitit 2018, 202.3 milionë euro janë investime në patundshmëri. Duke bërë një kalkulim të thjeshtë del se 95% e investimeve të huaja në Kosovë kanë përfunduar në sektorin e patundshmërive, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Thuajse të gjitha mjetet e destinuara në emër të investimeve të huaja në Kosovë gjatë vitit 2018 kanë përfunduar në sektorin e patundshmërive, derisa në sektorët tjerë thuajse nuk ka fare investime, madje në disa prej tyre kemi edhe tërheqje të investimeve.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për vitin 2018 shihet se nga 213.7 milionë euro sa ka qenë shuma totale e investimeve të huaja në Kosovë gjatë vitit 2018, 202.3 milionë euro janë investime në patundshmëri. Duke bërë një kalkulim të thjeshtë del se 95% e investimeve të huaja në Kosovë kanë përfunduar në sektorin e patundshmërive, shkruan Gazeta "Zëri".

Po ashtu situatë e njëjtë thuajse është edhe gjatë muajit janar të vitit 2019. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së shihet se nga 24.7 milionë euro sa është shuma e investimeve të huaja në Kosovë, 15.4 milionë euro kanë përfunduar në sektorin e patundshmërive.

Më pak se 100 mijë euro investime në bujqësi për një vit

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se në sektorin e bujqësisë gjatë gjithë vitit që lamë pas në emër të investimeve të huaja janë investuar më pak se 100 mijë euro. Situatë jo e kënaqshme është edhe në sektorin e minierave, ku brenda një viti investitorët e huaj këtu investuan rreth 4 milionë euro.

E shumë më keq qëndrojmë në sektorin e industrisë. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet se në këtë sektor gjatë vitit 2018 janë tërhequr investime në vlerë prej rreth 17 milionë eurosh. Ndërkaq sipas të dhënave të muajit janar të vitit 2019 shihet se për një muaj në këtë sektor janë investuar 1.2 milion euro në emër të investimeve të huaja. Në sektorin e energjetikës gjatë vitit që lamë investitorët e huaj kanë investuar 9.1 milionë euro, derisa gjatë muajit janar të këtij vitit në këtë sektor janë tërhequr investime prej rreth 100 mijë eurosh.

Po ashtu gjatë vitit që lamë pas rreth 20 milionë euro investime janë tërhequr edhe nga sektori i ndërtimtarisë. Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se në sektorin financiar gjatë vitit që lamë pas janë investuar rreth 6.1 milionë euro, në sektorin e hoteleve dhe të restoranteve 1.8 milion euro, shkruan Gazeta "Zëri".

Gjermania prin me investime

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se Zvicra edhe më tutje prin për nga shuma e investimeve te huaja në vendin tonë. Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së shihet se nga ky shtet në vendin tonë brenda një viti kanë ardhur 70.8 milionë euro, derisa vetëm gjatë muajit janar të këtij viti në emër të investimeve të huaja kanë ardhur 3.8 milionë euro.

Gjatë vitit 2018 në emër të investimeve të huaja nga Gjermania në vendin tonë kanë ardhur hiç më pak se 59.1 milionë euro investime, derisa vetëm gjatë muajit janar nga ky shtet në vendin tonë kanë ardhur 6 milionë euro mjete të destinuara ne emër të investimeve të huaja. Investime të huaja direkte gjatë vitit që lamë pas ka pasur edhe nga shumë shtete tjera të Evropës, por edhe më larg, ku shuma e investimeve është minimale. Madje nga disa shtete kemi pasur edhe tërheqje të investimeve./ZËRI