AKP-ja do t’i shpenzojë 150 mijë euro për regjistrimin e aseteve

AKP-ja do t’i shpenzojë 150 mijë euro për regjistrimin e aseteve

Ekonomia April 20, 2019 - 07:58
Lexo tjera detaje
Image

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka paraparë që t’i shpenzojë hiç më pak se 150 mijë euro për tenderin “Regjistrimi i aseteve - dokumentimi vizual i aseteve nën administrim të Agjencisë”. Operatorët ekonomikë që dëshirojnë të aplikojnë në këtë proces të prokurimit gjatë tre vjetëve të fundit duhet të kenë qarkullim prej 300 mijë eurove, shkruan Gazeta "Zëri".

Një shumë e konsiderueshme e mjeteve do të shpenzohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për regjistrimin e aseteve. Në platformën elektronike të Prokurimit Publik shihet se për këtë qëllim AKP-ja ka paraparë që të shpenzojë hiç më pak se 150 mijë euro. Në njoftimin e publikuar thuhet se tenderi në fjalë po zhvillohet për të evidentuar gjendjen e saktë të aseteve.

“Me qëllim të krijimit të një pasqyre sa më të qartë të gjendjes së aseteve të pashitura që janë nën administrim të Agjencisë deri më tani janë shfrytëzuar fotografi të rastit të bëra gjatë procesit të përgatitjes së aseteve për shitje dhe ortofotot, fotografi të nxjerra nga gjeoportali. Prandaj nevojitet të sigurohet një ofrues i shërbimeve, i cili do të ofrojë xhirime që janë të zhvilluara me kamerë profesionale, me dron dhe dokumentimin fotografik të të gjitha aseteve të përzgjedhura nga Agjencia”, thuhet në njoftimin e publikuar në platformën online të Prokurimit.

Në njoftim më tutje thuhet se operatorët ekonomikë që dëshirojnë të aplikojnë në këtë proces të Prokurimit gjatë tre vjetëve të fundit duhet të kenë qarkullim prej 300 mijë eurove. Po ashtu sipas njoftimit të publikuar tenderuesi duhet të ofrojë dëshmi për kontratat e realizuara të shërbimeve relevante të realizuara në tre (3) vjetët e fundit nga data e publikimit të njoftimit për kontratë në projekte të xhirimeve dhe montimeve të videove profesionale me dron, duke përfshirë postproduksionin.

“Të dëshmohet me listën e kontratave paraprake duke saktësuar shërbimet e realizuara të kësaj natyre, shumën e kontratave dhe datën e kontratave. Kësaj liste duhet t’i bashkëngjiten si dëshmi kur shërbimi është bërë për një autoritet publik në Kosovë ose në një vend tjetër, për dëshmi të këtij shërbimi shërben kopja e certifikatës (certifikata, raportpranimi, referenca, të cilat janë të rëndësishme dhe duhet të jenë të lëshuara ose të bashkënënshkruara nga autoriteti i tillë). Të gjitha këto dëshmi duhet të kenë vlerën e realizuar kur shërbimi është bërë për një operator privat, për dëshmi të këtij shërbimi shërben kopja e çdo dokumenti të nënshkruar”, thuhet më tutje në njoftimin e publikuar./ZËRI