Hungarezët investojnë në sigurimin e ujit për 40 mijë banorë

Hungarezët investojnë në sigurimin e ujit për 40 mijë banorë

Ekonomia April 18, 2019 - 08:16
Lexo tjera detaje
Image

Presidenti i Komitetit të Ballkanit Perëndimor nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Hungarisë, Attila Galambos, gjatë një takimi me të parin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar për veprimet që duhet të ndërmerren bashkërisht, në mënyrë që projekti të fillojë sa më shpejt, shkruan Gazeta "Zëri".

Së shpejti do të fillojë realizimi i projektit “Ujëmbledhësi për ujë të pijshëm” në Verbovc të Drenasit, pasi që financuesit e projektit tashmë janë gjetur. Hungarezët janë ata që do të financojnë realizimin e këtij projekti, i cili do të sigurojë ujë të pijshëm për 40 mijë banorë. Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, pati një takim me presidentin e Komitetit të Ballkanit Perëndimor nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Hungarisë Attila Galambos, i cili shoqërohej edhe nga deputeti i Parlamentit të Kosovës Elmi Reçica, që kanë premtuar financimin e projektit. Projekti “Ndërtimi i pendës ujëmbledhëse për ujë të pijes në fshatin Vërboc” është miratuar nga Këshilli Kombëtar për Investime nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 13 korrik 2018, i cili do të financohet nga hungarezët.

Diskutuan edhe për stadiumin nacional

Vizita e presidentit të Komitetit të Ballkanit Perëndimor nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Hungarisë, Attila Galambos, në Drenas dhe takimi me kryetarin Lladrovci ishte takimi i parë zyrtar i Komunës së Drenasit dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Hungarisë, ku është diskutuar për hapat e mëtejmë, në mënyrë që sa më parë të fillojë zbatimi i projektit të pendës ujëmbledhëse, që do të shërbejë për furnizimin e 40 mijë banorëve me ujë të pijes. Galambos ka njoftuar kryetarin Lladrovci për veprimet të cilat duhet të ndërmerren bashkërisht, në mënyrë që ky projekt të fillojë sa më parë. Ndërkaq kryetari Lladrovci është zotuar se të gjitha çështjet teknike dhe administrative do të kryhen me prioritet të lartë nga ana e Komunës së Drenasit për realizimin e këtij projekti, i cili është shumë i rëndësishëm për banorët e Drenasit, shkruan Gazeta "Zëri".

Lladrovci dhe Galambos kanë diskutuar po ashtu edhe për stadiumin nacional, i cili do të ndërtohet në territorin e komunës së Drenasit me mundësi financimi me kredi të butë nga shteti hungarez. Ata gjithashtu kanë pasur një diskutim të frytshëm edhe për ndërtimin e tramvajit, që ishte një zotim i mëhershëm i kryetari të PDK-së, Kadri Veseli.

Në komunën e Drenasit do të realizohet edhe një projekt i rëndësishëm, që do të financohet nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit me ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Rasim Demiri për bashkëfinancimin e projektit “Rregullimi i shtratit të lumit Drenica, faza e parë” (pastrimi dhe thellimi i lumit). Sipas kësaj marrëveshjeje të bashkëfinancimit mes Komunës dhe MZHR-së për rregullimin e shtratit të lumit Drenica, faza e parë, vlera e përgjithshme e projektit është 250 mijë euro.

Pranohet teknikisht projekti i papërfunduar

Ministria e Zhvillimit Rajonal nga buxheti i vet për vitin 2019 do të ndajë mjete në vlerën prej 70 mijë eurove, ndërsa Komuna nga buxheti i saj vjetor për vitin 2019 do të ndajë mjete në vlerën prej 120 mijë eurove, kurse pjesa prej 60 mijë eurosh do të ndahet nga Komuna e Drenasit në një fazë tjetër të realizimit të projektit.

Një projekt që ka dështuar për t’u realizuar për shkak të keqpërdorimeve, siç është thënë, ai i ujësjellësit për 22 fshatra të Drenasit deri në Kamenicë, nuk do të mundë të përfundojë as në qershor, siç ishte paraparë me kontratë.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se në disa segmente mungojnë gypat dhe janë duke u hetuar keqpërdorimet gjatë zbatimit të projektit.

“Nga ky keqpërdorim do të goditen me vonesa 22 fshatra të komunës së Drenasit, të cilat kanë pritur se nga qershori i këtij viti të jenë funksionalë gypat e ujit. Ndiej për obligim t’i njoftoj qytetarët e Komunës dhe njëherësh kërkoj falje lidhur me mosrealizimin e projektit ‘Ndërtimi i gypit nga rezervuari i Ferronikelit deri te rezervuari i ri në Kamenicë’, në qershor. Projekti është i vitit 2012, gjatë kryerjes së punimeve në vitet 2012-2014 projekti ka pasur defekte të rënda, nuk janë vendosur gypat në tërë segmentet e planifikuara, sipas paramasës dhe parallogarisë.

Mungesa e gypave në gjatësi të konsiderueshme është vërtetuar nga Drejtoria e Infrastrukturës Lokale. Kjo Drejtori konstaton se gypi i ujësjellësit në disa segmente (llote) nuk është vendosur fare nga kompania e kontraktuar. Kompania është paguar, madje është bërë edhe pranimi teknik. Kur kemi marrë informacionin zyrtar kam njoftuar organet kompetente dhe kanë filluar procedurat hetimore, si pasojë e kësaj punimet nuk mund të vazhdojnë derisa të kryhen hetimet”, ka shpjeguar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci./ZËRI