Gjatë vitit 2018 u sekuestruan 28.000.000 € pasuri e jashtëligjshme

Gjatë vitit 2018 u sekuestruan 28.000.000 € pasuri e jashtëligjshme

Ekonomia prill 12, 2019 - 08:38
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se gjatë vitit 2018 në kuadër të krimeve të rënda janë intensifikuar veprimet në drejtim të sekuestrimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, ku janë ngrirë dhe janë sekuestruar pasuri që kapin shifrën prej 27 milionë e 867.000 eurosh. Por sipas Prokurorisë fatkeqësisht konfiskimet përfundimtare janë shumë më të vogla, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Vetëm gjatë vitit 2018 Prokuroria e Shtetit ka sekuestruar pasuri në vlerë prej 28 milionë eurosh, e cila dyshohet se është përfituar me vepër penale. Por sipas Prokurorisë fatkeqësisht konfiskimet përfundimtare janë shumë më të vogla, shkruan më tutje "Zëri". 

LEXO EDHE: Institucionet, 260 milionë euro borxhe

“Dua të theksojmë se prokurorët nuk nxjerrin vendime përfundimtare për konfiskim. Të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor duhet të japin kontribut në këtë drejtim dhe duhet të kuptojnë se çelësi i suksesit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë qëndron në konfiskimin e pasurisë dhe në dobësimin e fuqisë ekonomike të grupeve kriminale”, thuhet në njoftimin për medie të Zyrës së kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Më tutje në njoftimin e Prokurorisë thuhet se gjatë vitit që lamë pas janë zgjidhur 74.031 dosje penale të natyrave të ndryshme, ndërsa në punë janë 59.788 dosje penale, që do të thotë se janë zgjidhur 12.243 lëndë më shumë sesa janë pranuar në punë.

“Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 27.484 kallëzime penale për kryerësit madhorë, ndërsa janë zgjidhur 30.478 kallëzime penale e janë kryer 2.994 lëndë më shumë me kryerësit madhorë. Në fund të vitit kanë mbetur të pazgjidhura 11.958 kallëzime penale. Sa u përket kallëzimeve penale me kryerësit e mitur, janë pranuar në punë 2.540 kallëzime penale, ndërsa janë zgjidhur 2.746 kallëzime ose 206 lëndë më shumë sesa janë pranuar. Mesatarisht secili prokuror në departamentet e të miturve ka zgjidhur nga 392 lëndë në vit. Në fund të vitit kanë mbetur të pazgjidhura 883 kallëzime penale me persona të mitur”, thuhet më tutje në njoftim.

Departamenti i Krimeve të Rënda pranoi 1553 kallëzime penale

Më tutje në njoftimin e Prokurorisë Themelore thuhet se departamentet e krimeve të rënda të prokurorive themelore gjatë vitit 2018 ka pranuar në punë 1.553 kallëzime penale, ndërsa janë zgjidhur 1.788.

“Kemi kryer 235 lëndë më shumë sesa janë pranuar, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 1.162 lëndë. Departamentet e përgjithshme në kuadër të prokurorive themelore, të cilat i trajtojnë lëndët deri në 10 vjet burg, kanë pranuar në punë 25.898 kallëzime penale për vepra të ndryshme penale, ndërsa janë zgjidhur 28.627 kallëzime penale. Edhe në këtë departament janë kryer 2.729 lëndë më shumë sesa janë pranuar, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 10.298 kallëzime penale. Po ashtu gjatë periudhës raportuese janë pranuar 11.821 raporte të veçanta, ndërsa janë zgjidhur 16.892 dosje, pra janë zgjidhur 5.071 lëndë më shumë sesa janë pranuar, kurse të pazgjidhura kanë mbetur 19.893 lëndë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Derisa sa u përket lëndëve me persona të panjohur, janë pranuar 10.784 lëndë e janë zgjidhur 16.828 lëndë, pra janë zgjidhur 6.044 lëndë më shumë.

Po ashtu sipas Prokurorisë vëmendje e posaçme u është kushtuar edhe kërkesave që kanë ardhur nga shtetet e huaja për ndihmën juridike ndërkombëtare. Në këtë fushë janë zgjidhur 270 raste, duke ndërmarrë veprime hetimore sipas kërkesave të shteteve tjera.

Gjatë vitit të kaluar rëndësi e posaçme i është dhënë edhe mekanizmit ndërinstitucional për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve më të rënda, ku janë shenjëstruar 11 lëndë të profilit të lartë, që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë dhe janë ngritur 9 aktakuza.

Zgjidhen 408 raste të korrupsionit

Rëndësi të veçantë Prokuroria i ka kushtuar edhe luftës kundër korrupsionit, ngaqë në këtë drejtim janë ndërmarrë veprime konkrete, duke zgjidhur 408 raste të korrupsionit dhe 435 dosje penale, që kanë të bëjnë me krime ekonomike dhe financiare.

Në kuadër të krimeve të rënda janë intensifikuar veprimet në drejtim të sekuestrimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, ku janë ngrirë dhe janë sekuestruar pasuri që kapin shifrën prej 27 milionë e 867.000 eurosh.

Fatkeqësisht konfiskimet përfundimtare janë shumë më të vogla, mirëpo dua të theksoj se prokurorët nuk nxjerrin vendime përfundimtare për konfiskim.

Të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor duhet të japin kontribut në këtë drejtim dhe duhet të kuptojnë se çelësi i suksesit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë qëndron në konfiskimin e pasurisë dhe në dobësimin e fuqisë ekonomike të grupeve kriminale.

“Sa u përket rasteve të krimeve të luftës, janë përfunduar 16 raste, ndërsa Departamenti i Krimeve të Luftës është plotësuar edhe me dy prokurorë. Nga prokurorët e EULEX-it janë transferuar te prokurorët vendorë 970 dosje penale, që kryesisht kanë të bëjnë me krime lufte, të cilat janë ndarë në punë. Gjithashtu janë zgjidhur edhe 1.581 lëndë, që kanë të bëjnë me veprat penale kundër trafikimit të substancave narkotike dhe psikotropike. Në vijim të vitit paraprak janë edhe 25 raste me 72 persona, që kanë të bëjnë me trafikim të qenieve njerëzore, me ç’rast është përmirësuar hetimi i këtyre rasteve dhe në 92% ka pasur aktgjykime për këto raste”, thuhet më tutje në njoftimin e Prokurorisë.