Institucionet, 260 milionë euro borxhe

Institucionet, 260 milionë euro borxhe

Ekonomia April 12, 2019 - 08:35
Lexoni detajet!
Image

Në fund të vitit që lamë pas shuma e borxheve të institucioneve qendrore, lokale, por edhe të atyre të pavarura në vend ka arritur në 226 milionë euro. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prin me 161 milionë euro borxhe, duke pasuar nga Ministria e Infrastrukturës me 38 milionë euro. Derisa prej komunave prin Gjilani me 7.7 milionë euro borxhe, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në fund të vitit që lamë pas shuma e borxheve të institucioneve ndaj qytetarëve, por edhe ndaj kompanive private ka arritur rekordin në 226 milionë euro, nga 170 milionë euro sa kishte qenë më 31 dhjetor të vitit 2017.

LEXO EDHE: Mund të organizohen takime private mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë në Berlin

Duke u bazuar në dokumentet zyrtare që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prin me 161 milionë euro borxhe, duke pasuar nga Ministria e Infrastrukturës me 38 milionë euro.

Shërbimi Spitalor, Klinik e Universitar i Kosovës sipas të dhënave të Ministrisë së Financave shihet se në fund të vitit që lamë pas ka pasur borxhe prej 2.4 milionë eurove.

Po ashtu borxhe ndaj qytetarëve, por edhe ndaj kompanive private, sipas të dhënave zyrtare, ka edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Borxhet e kësaj ministrie më 31 dhjetor të vitit që lamë pas kanë arritur në 3.7 milionë euro, derisa borxhet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë arritur në mbi 3 milionë euro.

7.9 milionë euro borxhe Ministria e Shëndetësisë

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se në fund të vitit që lamë pas borxhet e Ministrisë së Shëndetësisë kishin arritur në 7.9 milionë euro, derisa borxhet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë qenë 1.8 milion euro.

Gjatë vitit 2018 në borxhe kishte mbetur edhe Ministria e Drejtësisë, ku sipas të dhënave zyrtare borxhet e saj më 31 dhjetor të vitit që lamë pas kishin arritur në 1.2 milion euro. Në këtë drejtim mirë nuk qëndron as Universiteti i Prishtinës, ku kishte arritur të futet në borxhe për rreth një milion eurove.

Po ashtu borxh kompanive ose edhe qytetarëve prej 180 mijë eurosh gjatë vitit 2018 u kishte mbetur Zyra e presidentit të Kosovës.

Borxh prej 270 mijë eurosh po ashtu ka mbetur edhe Zyra e kryeministrit, derisa Kuvendi ka pasur një shumë më të vogël prej 79 mijë eurove.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se prej institucioneve qendrore dhe atyre të pavarura më së paku borxhe kishte pasur Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Në fund të vitit që lamë pas borxhet e këtij institucioni kishin qenë vetëm 164 euro, derisa Ministria e Administrimit dhe Pushtetit lokal kishte mbetur borxh më pak se 500 euro.

Komuna e Gjilanit, 7.7 milionë euro borxhe

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në nivel lokal Komuna e Gjilanit prin për nga shuma e borxheve, ku deri në fund të vitit që lamë pas shuma e borxheve të kësaj komune ndaj qytetarëve dhe kompanive kishte arritur në 7.7 milionë euro, duke pasuar nga Komuna e Prishtinës me 7.5 milionë euro, Komuna e Ferizajt me 3.1 milionë euro, Komuna e Gjakovës me 2.5 milionë euro borxhe, Komuna e Mitrovicës me 2.1 milionë euro, Komuna e Rahovecit dhe ajo e Leposaviqit më nga1 milion euro borxhe. Po ashtu borxhe në shuma më të vogla kanë edhe të gjitha komunat tjera të Kosovës.