Gurëthyesi po rrezikon banorët e Qirezit

Gurëthyesi po rrezikon banorët e Qirezit

Ekonomia March 26, 2019 - 08:05
Lexo Detajet
Image

Një gurthyes, i cili vepron në Qirez të Skenderajt, së fundmi është bërë rrezik për jetën e banorëve të fshatit, pasi nga minimet gurët bien mbi çati, në rrugë dhe në oborret e shtëpive. Ndaj protestave dhe një peticioni të nënshkruar nga banorët nuk kanë reaguar deri të hënën as Komuna e as MMPH-ja. Deputetja Musliu ka thënë se nuk guxojmë të presim të ndodhë ndonjë tragjedi, në mënyrë që të reagojmë, shkruan gazeta "Zëri".

Ka kohë që një gurthyes, i cili zhvillon veprimtarinë e vet në Qirez të Skenderajt, është shndërruar në rrezik për jetën e banorëve. Nga minimet gurët fluturojnë mbi çati, në rrugë dhe në oborre të shtëpive dhe në këtë mënyrë jeta e banorëve të këtij fshati është bërë e padurueshme dhe e rrezikshme.

LEXO EDHE: Shoferët e dehur, spitalet s’kanë instrument për matje të alkoolit në gjak

Banorët e Qirezit, sipas Albert Rexhepit nga ky fshat, asamblist në Kuvendin e Skenderajt, banorët kishin nënshkruar një peticion, i cili i ishte dorëzuar kryetarit të Skenderajt Bekim Jasharit, në dhjetorin e vitit 2018, por ata nuk kishin marrë përgjigje deri në janar të vitit 2019, me ç’rast kryetari Bekim Jashari ua kishte rekomanduar atyre që me peticion t’i drejtohen Qeverisë së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Madje Rexhepi thotë se protestave të banorëve u është dhënë edhe kahe politike.

“Banorët e fshatit ëirez nuk ndjekin agjenda politike dhe përpjekja e një prej asamblistëve të kësaj ane në Kuvendin e Skenderajt për t’i dhënë kahe politike protestave të banorëve është e pamoralshme dhe e turpshme. Banorët e fshatit ëirez protestojnë sepse peticionet e drejtuara pushtetit lokal nuk u morën parasysh. Banorët e fshatit ëirez protestojnë sepse nuk u morën parasysh as nga niveli qendror, pra nga MMPH-ja.

Ata protestojnë sepse përballen me situatën ku po u rrezikohet jeta”, i ka thënë “Zërit” asamblisti Rexhepi, sipas të cilit gurthyesi “Erti” SHPK që operon në fshatin e tij (Qirez) me 18 mars rreth orës 15:30 ka filluar edhe “të bombardojë”.

Rexhepi: Nga detonimet kanë mundur të pësojnë edhe me jetë familjarët Zena

“Nga detonimet, të cilat gjithmonë i kryejnë pa paralajmërim, kanë mundur të pësojnë edhe me jetë familjet Zena, por fatmirësisht Zoti i shpëtoi. U bënë vite prejse ky gurthyes, lagjja ‘Shpatolli’ nuk bën jetë normale, i duron dridhjet e shtëpive, e duron zhurmën, e shpeshherë e duron edhe pluhurin, por nga tani si duket duhet t'i durojnë edhe gurët e madhësive të ndryshme që fluturojnë mbi kokat tona dhe mbi kulmet e shtëpive tona. U bënë vite që shpërfillen ankesat dhe kërkesat tona, ku ende po vazhdojnë të shpërfillen nga ministria përkatëse dhe nga Komuna. Ne kemi paralajmëruar vazhdimin e protestave për ta ndalur zullumin, që gurëthyesi po ua bën banorëve”, është shprehur asamblisti Rexhepi.

E ndërkaq në protestën e banorëve të fshatit të shtunën protestuesit kanë bllokuar rrugën e gurëthyesit. Banorët thanë se me protesta dëshirojnë t’ua tërheqin vërejtjen autoriteteve të pushtetit lokal dhe atij qendror për rrezikun që u kanoset nga minimet që po bën ky gurëthyes, ku shpeshherë gurët e gurëthyesit nga minimet e bëra bien në çati të shtëpive e në oborre të shtëpive dhe kështu mund të rrezikojë seriozisht jetën e ndonjë banori. Por siç thonë ata ndonëse kanë protestuar dhe gjithmonë kanë paralajmëruar për protesta, ata janë injoruar nga pushteti lokal dhe ai qendror sikurse janë injoruar me vite të tëra. “Askujt nuk i bëri përshtypje, si pushtetit lokal, ashtu edhe atij qendror protesta e këtyre banorëve. Askush nga përfaqësuesit e nivelit lokal dhe atij qendror madje nuk e morën mundin të paktën të vijnë dhe t’i dëgjojnë kërkesat e këtyre banorëve. Por banorët e fshatit Qirez janë të vendosur t’i vazhdojnë protestat për ta mbrojtur jetën dhe shtëpitë e tyre. Banorët e fshatit Qirez nuk do të ndalen deri në përmbushje të kërkesës së tyre: ndërprerja e veprimtarisë së operatorit ekonomik ‘Ert’ SHPK, ka siguruar këshilli organizativ i protestave në përbërje: Fetah Fetahu, Albert Rexhepi, Basri Rama, Azem Zena dhe Fatmir Bajrami.

Deputetja, përkrah banorëve

Në përkrahje të banorëve të Qirezit ka dalë deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila kërkesën e banorëve të Qirezit e ka quajtur të drejtë dhe që duhet plotësuar. “Banorët e Qirezit me të drejtë ankohen për pasigurinë që ua shkakton gurëthyesi në këtë fshat. Asamblisti i këtij fshati Albert Rexhepi ka bërë ankesa të vazhdueshme në emër të fshatit në të gjitha institucionet, të cilat ankesa po del se po shpërfillen dhe po neglizhohen nga organet kompetente. Edhe më herët, por edhe tani jam takuar me përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor dhe zotohem se do të merrem me këtë çështje deri në zgjidhjen e këtij problemi, sepse siguria dhe mirëqenia e qytetarëve duhet të vihet gjithmonë në rend të parë dhe të jetë prioritet yni. Këtë e diskutuam edhe sot (e premte) me këshilltarët politikë të kabinetit të MMPH-së, Leutrim Sahiti dhe Sevdije Lama, dhe u pajtuam për trajtimin me seriozitet të këtij problemi. Nuk guxojmë të presim derisa të ndodhë ndonjë tragjedi që ne të reagojmë”, tha ajo.

E ndërkaq me një deklaratë lidhur me shqetësimet e banorëve të Qirezit ka dalë të hënën edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili ka siguruar se ato janë edhe shqetësimet të tij. “Pas shqetësimeve të ngritura nga banorët e fshatit Qirez, lidhur me aktivitetin e gurthyesit në këtë fshat, i cili sipas banorëve po rrezikon jetën e tyre dhe po e ndot ambientin, ne si Komunë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet në bazë të kompetencave dhe të përgjegjësive që kemi për të gjetur një zgjidhje dhe për të tejkaluar situatën e paraqitur. Pa i dhënë konotacion politik këtij problemi do të jam përkrah banorëve të fshatit Qirez dhe do të bëjë ç’është e mundshme në bazë të autorizimeve që kam që problemin në fjalë ta zgjidhim sa më shpejt që është e mundur. Komuna e Skenderajt është në pritje të vlerësimit nga inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, të cilët kanë dalë në terren për të parë nga afër situatën. Si kryetar i Komunës pa asnjë dyshim do të jem në krah të banorëve dhe të problemeve që ata kanë. Shqetësimet e banorëve të Qirezit janë edhe shqetësime të mia", ka deklaruar Jashari të hënën.

Në anën tjetër pronarët e gurthyesit “Erti” SHPK kanë thënë shkurt se kanë lejen mjedisore për të operuar dhe gjatë eksploatimit të gurit do të kenë kujdes, në mënyrë që të mos rrezikohet asnjë qytetar i fshatit.

Banorët e Qirezit kanë protestuar edhe disa ditë më herët kur Kuvendi i Skenderajt kishte vendosur për ta bërë një deponi të mbeturinave në një kodrinë sipër shtëpive të fshatit në vendin e quajtur “Dell”, por si në rastin e gurthyesit, protesta por edhe kërkesa e tyre që aty të mos bëhet deponia nga e cila ndotet uji i pijshëm që merret nga puset në atë pjesë nuk janë përfillur./Zeri/