Komuna e Drenasit i vendosë mbi gjysmë milioni euro taksë një kompanie

Komuna e Drenasit i vendosë mbi gjysmë milioni euro taksë një kompanie

Ekonomia March 21, 2019 - 17:05
Lexo Detajet

550 mijë euro i është caktuar taksa komunale kompanisë ‘KMI SH.P.K’, cila merret me asgjësimin e mbeturinave spitalore. Vendimi që ka siguruar Periskopi për këtë ngarkesë komunale që Drenasi ia bëri kësaj kompanie që vepronte në kuadër të ‘Parkut të Biznesit’ në Drenas, komuna, përkatësisht Drejtorati për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik, ia ka shqiptuar këtë taksë kompanisë, duke u thirrur në një rregullore të aprovuar nga Kuvendi Komunal i komunës.

Sipas vendimit, ngarkesa i është shqiptuar kompanisë për periudhën 2011-2019. Biznesmenët nga Drenasi, thonë se po largohen nga kjo komunë. Opozita atje, i quan absurde këto taksa dhe thotë se po i largon bizneset nga Drenasi. Mediumi ka tentuar të kontaktojë zyrtarë të komunës së Drenasit, por asnjëri prej tyre nuk e ka hapur telefonin…

Një taksë prej 550 mijë eurosh ia ka vendosur komuna e Drenasit kompanisë ‘KMI SH.P.K’ e cila merret me asgjësimin e mbeturinave spitalore, medicinale,organike të përgjithshme. Kompania thotë t’i ketë vetëm 8 punëtorë dhe se biznesi në zonën e Drenasit, iu pamundësua nga kjo taksë.

Arian Lloshi, drejtor i kompanisë, ka thënë se ata ‘vazhdimisht kanë paguar nga 250 euro taksë’, aq sa ishte e përcaktuar. Thotë se me ngarkesën e fundit, bizensit të tyre iu pamundësua operimi në zonën e Drenasit.

“Ata janë thirrë në një rregullore që e kanë ba vetë, pra si komunë, na kanë dhënë 30 ditë afat me pagu. Firma jonë i ka 8 punëtorë, që i bie se duhet të paguajmë pothuajse nga 10 mijë euro për një punëtor”, ka thënë Lleshi.

Për të parë se çka përmban një rregullore e tillë dhe për të gjetur një përgjigje të mundshme pse vendosen taksa kaq të larta, në faqen zyrtare të komunës së Drenasit nuk mund të merret informata, pasiqë aty nuk janë përditësuar të dhënat rreth rregullorave prej vitit 2017.

Për këtë rast në komunën e Drenasit, alarmoi fillimisht asambleisti opozitar Petrit Gashi, i cili thotë se në bizneset e Drenasit po mbizotëron frika nga shantazhet.

“Rastin e fundit e kemi kur ne mënyrë të paligjshme njërin nga bizneset i dërgon dënimin 550 mije euro për të frikësuar dhe larguar në mënyre të paligjshme, dhe kur shikon që nuk mundet i dërgon aktvendimin e dyte për dënim 180 mije euro për ta frikësuar përsëri”, shkroi Gashi sot në Facebook.

Ndërkohë, Gashi ka thënë se ka plot biznese që po ikin nga Drenasi shkaku i taksave komunale.

“Janë mbyllë biznese në Drenas që kanë pasë shumë punëtorë dhe kanë shku në vende tjera ku nuk paguajnë taksa kaq të mëdha. Në Drenas janë mbyllë së paku 6 barnatore. Ka pasur kompani të derivative që u janë vendosur taksa shumë të larta dhe janë larguar nga këtu. Ka pasur edhe rrjete të mëdha marketesh që kanë qenë të interesuara të hapin bizneset e tyre në Drenas mirëpo po frikësohen shkaku i taksës së lartë dhe kanë anuluar vendimet për investime”, ka thënë Gashi.

Se bizneset po largohen nga Drenasi, thotë edhe pronari i kompanisë që u largua vetë nga kjo komunë, kompani e cila mori hiç më pak se 550 mijë euro ngarkesë (taksë) komunale.

Arian Lloshi nga ‘KMI SHPK’ ka thënë se ai tashmë është larguar nga Parku i Biznesit në Drenas, për të operuar me biznesin e tij në një vend ku ‘nuk e rrokë’ një taksë kaq e lartë. Lloshi ka thënë se kompanisë së tij iu vendos taksa sikur kompanisë ‘Ferronikeli’.

“Jo na jemi largu tash prej aty, jemi në Çagllavicë. Qysh mundemi me 8 punëtorë me pagu një taksë kaq të lartë. S’po e kuptoj as vetë. Ne kemi paguar taksën prej 250 eurosh vazhdimisht. Na kanë thënë jeni taksë si Feronikeli. Njoh njërin që kishte hapur një biznes për punimin e dritareve dhe ia kishin qitë taksë 800 euro, e ata tuj punu veç babë e djalë. E qysh me pagu këtë taksë ata. Janë larguar nga Drenasi dhe tash janë në Malishevë. Nuk është ATK komuna me qitë taksa’”, ka thënë Lloshi.

Asambleisti opozitar, Petrit Gashi, thotë se ka qenë betim i kryetarit Ramiz Lladrovci që do të heqen këto taksa për bizneset në Drenas. E ai thotë se ‘jo që është hequr taksa, por ajo veç po shtohet”.

“Ka qenë betim i kryetarit që ka me hjekë taksën. Jo që nuk e ka hjekë, po e ka shtu. Këtu janë pengu dhjetëra biznese, ndër to, që kanë premtuar punësime prej 150 -250 punëtorë. Njëri prej tyre, i një kompanie të njohur i derivative të naftës që është nga Drenasi, pikërisht për këtë shkak, është larguar krejtësisht nga Drenasi pasi ka thënë se nuk dëshiron të idenfikohet më aspak me këtë komunë që s’po i lejon bizneset të zhvillohen”, thotë Gashi.

Gashi duket se ka të drejtë në konstatimin e tij, nëse i referohemi një deklarate të kryetarit aktual Ramiz Lladrovci, në kohën kur ai garonte për ta marrë këtë post.

“Kam deklaruar dhe ritheksoj se bizneset të cilat, para mandatit tim kanë ekzistuar dhe zhvilluar veprimtari, nuk do të ndërmerret asnjë veprim që dëmton punën e tyre. Sepse, ne nuk jemi të motivuar mbylljen e bizneseve por shtimin e tyre. Ne ofrojmë kushte dhe ofrojmë shërbime që përkrahin dhe ndihmojnë biznesin, jo vetëm këto ekzistuese, por edhe bizneset që do të vijnë në Parkun e ri të biznesit”, kishte deklaruar Lladrovci 12 tetor 2017.

Image

Image

Image