GLPS reagon kundër punësimeve mbi baza familjare dhe partiake

GLPS reagon kundër punësimeve mbi baza familjare dhe partiake

Ekonomia March 20, 2019 - 11:58
Lajmet e fundit nga vendi!

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka shprehur shqetësimi rreth punësimeve në institucione publike të familjarëve të drejtpërdrejtë të Presidentit, të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës (Kryeministrit, zv. Kryeministrave dhe Ministrave) dhe partive në pushtet.

Sipas GSJP-së kjo praktikë mbetet tregues i qartë që bartësit e institucioneve të Kosovës kanë shndërruar pushtetin publik në pronë private dhe që institucionet e Kosovës, me ata në krye, janë në shërbim të familjes, farefisit, dhe rrethit tyre të ngushtë, njofton Klan Kosova.

“Kosova mbetet vendi me numrin më të madh të të rinjëve të papunë, dhe që si objektiv të vetëm të së ardhmës së tyre e shohin largimin nga Kosova. Veprimet e tilla të bartësve të institucioneve të Kosovës vetëm sa motivojnë këto trende”.

“Veprimet e tilla të favorizimit, pa asnjë kriter, të familjarëve të ngushtë të rrethit partiak humbin kuptimin e shtetit të së drejtës, meritokracisë dhe profesionalizmit. Në të njëjtën kohë, sidomos në raport me shumë ndërmarrje publike, ngulfatja me anëtarë partiak dhe familjar të bartësve të institucioneve u ka humbur prespektivën zhvillimore kompanive në fjalë dhe po vazhdon që të pamundësoj operimin e tyre”, thuhet në komunikatë.

GLPS shpreh bindjen që këto veprime në të njëjtën kohë janë evidencë e dukshme që partitë politike në pushtet kanë kapur shtetin, dhe që Prokuroria dhe Gjyqësori mbeten vetëm degë të klaneve politike të partive politike në pushtet. Republika e Kosovës nuk mund të shndërrohet në fasadë që mbulon shkeljen e ligjit, nepotizmin, korrupsionin dhe që arsyeton funksionimin e shtetit për partinë dhe individin.

GLPS po ashtu ka bërë thirrje që Prokuroria e Kosovës dhe prokurorët që posedojnë aftësi dhe guxim të hetojnë të gjitha rastet e punësimeve të familjarëve të bartësve të institucioneve.

Të njëjtën thirrje u ka bërë edhe liderëve të institucioneve që të shohin përtej familjeve dhe klaneve të tyre, dhe të fillojnë t’i shërbejnë ligjit.