Menaxhmenti i 'Trepçës': Po kalojmë një periudhë të vështirë financiare

Menaxhmenti i 'Trepçës': Po kalojmë një periudhë të vështirë financiare

Ekonomia March 20, 2019 - 08:05
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri, ka thënë se ndërmarrja e re “Trepça” SHA është duke kaluar një periudhë të vështirë financiare si pasojë e krizës financiare të trashëguar me vite, por edhe si rezultat i mosarritjes së prodhimit nga dy minierat. Dimkiq: Platforma e Prishtinës ka komplikuar punën e “Trepçës” në veri, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Derisa menaxhmenti i “Trepçës” në jug vazhdon të ankohet për mungesë të mjeteve financiare për t’i paguar pagat e minatorëve e të punëtorëve dhe u bënë thirrje minatorëve e punëtorëve të “Trepçës” t’i kthehen punës dhe të punojnë për interesa të tyre e të “Trepçës”, menaxhmenti “Trepça” në veri e bën fajtore Prishtinën për problemet që përcjellin punën e “Trepçës” në pjesën veriore.

LEXO EDHE: Rugova: Lutfi Haziri mund të zgjidhet kryetar i LDK-së

Ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri, ka thënë se ndërmarrja e re “Trepça” është duke kaluar një periudhë të vështirë financiare si pasojë e krizës financiare të trashëguar me vite, por edhe si rezultat i mosarritjes së prodhimit nga dy minierat, si dhe vonesat në ekzekutimin e mjeteve të zotuara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ai ka fajësuar disa njerëz në “Trepçë” pa përmendur emra se po i shtynin minatorët të bëjnë greva e protesta, duke e cilësuar atë si një lojë.

Ai u ka bërë thirrje minatorëve e punëtorëve të mos i dëgjojnë njerëzit e tillë, që të punojnë për veten e tyre dhe për të ardhmen e tyre.

“Ndërmarrja jonë e re tani ka disa muaj që po kalon në një periudhe jo të mirë financiare si pasojë e një krize financiare të trashëguar ndër vite. Situata e vështirë financiare na pamundësoi ekzekutimin e pagave për muajin shkurt për të gjitha njësitë e ndërmarrjes ‘Trepça’ SHA. Pamundësia e mosrealizimit të pagave me kohë erdhi si rezultat i mosarritjes së prodhimit sa duhet nga të dyja minierat, si dhe mosekzekutimit të mjeteve të zotuara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, por edhe si rezultat i pakënaqësisë së punëtorëve të Stan Tërgut, të cilët filluan iniciativën për një bojkot të përgjithshëm të punës, me të vetmen kërkesë që mjetet e realizuara nga shitja e koncentratit të plumbit dhe të zinkut t’u ndahen së pari punëtorëve të minierës. Pas debateve shumorëshe për dy ditë rresht që kemi pasur ne si menaxhment me minatorët e Stan Tërgut, jemi pajtuar që nga këto mjete të plumbit dhe të zinkut të ekzekutohen pagat e tyre, me të vetmin qëllim që të evitojmë një bojkot të mëtutjeshëm nga minatorët, gjë që do të na shkaktonte një krizë financiare edhe më të thellë”, ka sqaruar ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri.

Pagat nga subvencionet

Sipas tij, ekzekutimi i pagave për njësitë tjera të ndërmarrjes do të realizohet nga subvencionet e ndara buxhetore të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Tahiri siguron se si menaxhment qëndrojnë prapa veprimeve të veta të detyrueshme dhe në çdo moment shprehen të gatshëm të veprojnë, gjithmonë në interes të ndërmarrjes dhe të punëtorëve.

“Kam thënë disa herë dhe po e përsëris, ndërmarrja që nga paslufta asnjëherë nuk ka mundur të mbijetojë me punën që është bërë. ‘Trepça’ deri më tani asnjëherë nuk ka mbijetuar vetëm nga prodhimi që ka realizuar, por ajo ka mbijetuar falë subvencioneve të Qeverisë së Kosovës dhe nga shitja e mbetjeve industriale që kanë qenë të deponuara në PIM. Të gjitha këto mbetje industriale të deponuara në PIM tashmë janë shitur dhe nuk posedojmë më mbetje të tilla për të realizuar mjete shtesë financiare. Borxhet po rriten secilën herë, sepse shpenzimet janë më të mëdha sesa të hyrat. Pasi mbetje industriale më nuk kanë mbetur, subvencionet e dhëna nga buxhetit i Kosovës nuk na mjaftojnë, si dhe me prodhimin aktual nuk mund t’i arrijmë pagat dhe t’i mbulojmë shpenzimet, atëherë kërkoj nga të gjithë punëtorët e ‘Trepçës’ një mobilizim maksimal në rritjen e prodhimit dhe të produktivitetit në ndërmarrje. Ne që jemi këtu dhe që punojmë (shumë punëtorë të tjerë bredhin rrugëve, ndodhen edhe në Perëndim) nuk po ia dimë vlerën sa duhet kombinatit. Më duhet t’i them edhe disa fjalë, ndoshta janë të dhembshme, t’i mendojmë mirë veprimet që jemi duke i bërë, sepse dikur ndoshta do të pendoheni, por do të jetë vonë. Dikush këtu e që ju e dini më mirë se kush është, për interesa të veta personale ose më shumë për interesa politike ju ka futur në rrugë pa krye”, janë disa nga fjalët, me të cilat ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri u është drejtuar minatorëve dhe punëtorëve të “Trepçës” .

Asnjë minator të mos mbetet pa punë

Tahiri ka vlerësuar të pavend futjen në Statutin e 13-të të njësive biznesore. Sipas tij, Ligji i Ndërmarrjes “Trepça” ka kaluar me tri njësi biznesore, “Trepça” Stan Tërg, minierat e Kishnicës dhe të Artanës, si dhe minierat e Kopaonikut në veri të Kosovës.

“U ngrit dikush këtu, ju të nderuar minatorë e punëtorë e dini mirë kush është, duke ju futur edhe juve të gjithëve në këtë lojë, i formoi dy grupe punuese për t’i mbrojtur objektet tona dhe nga tri njësi biznesore me ligj i futi në Statut dhe i formoi 13 njësi biznesore, tani lë të dalë e lë t’i mbrojë që të mos shkojnë drejt falimentimit. Prandaj, shtrohet pyetja a mundemi të punojmë dhe t’i sigurojmë pagat për familjet tona? Po përpiqemi, por së pari duhet të jemi të sinqertë dhe ta largojmë nga koka mentalitetin, sipas të cilit, ‘punove, s’punove rrogën e merr’. Qëllimi dhe angazhimi ynë si menaxhment dhe i Bordit Mbikëqyrës është që asnjë punëtor i cili punon në ndërmarrjen ‘Trepça’ të mos mbetet pa punë, por të kalojë nga njësitë joproduktive në ato produktive”, ka thënë ai

Ai më tutje ka thënë se janë zotuar t’i luftojmë të gjitha keqpërdorimet, ta rrisin disiplinën, t’i reduktojmë shpenzimet e panevojshme, ta rrisim produktivitetin e punës, duke mobilizuar djem të rinj në të gjitha njësitë prodhuese në miniera.

“Prandaj, edhe për këtë angazhim të Bordit Mbikëqyrës unë shpreh falënderim dhe mirënjohje të veçantë.Thirrja ime për të gjithë punëtorët dhe minatorë e ‘Trepçës’ SHA do të jetë: mos e jepni veten për asgjë, mos lejoni t’ua nënçmojnë vlerat tuaja, mos lejoni t’ua kontrollojnë ose t’ua dirigjojnë jetët tuaja, t’u tregojnë çfarë të bëni, çfarë të mendoni ose çfarë të ndieni se në këtë mënyrë ju e rrezikoni veten dhe të ardhmen e familjeve tuaja. Apeloj tek ju që të mos punoni për interesa të dikujt tjetër, por për interesa tuaja, për interesa të atyre që vijnë pas nesh, për një pleqëri të mirë, për interesa të këtij rajoni dhe për interesa të këtij vendi, ku shumë njerëz sakrifikuan edhe jetët e tyre që ne sot të jetojmë dhe të punojmë të lirë. Ju pra e keni fuqinë, ta ktheni stabilitetin dhe lumturinë, të keni jetë të bukur dhe të lumtur. Prandaj në emër të të gjithë neve le ta përdorim këtë fuqi, le të bashkohemi të gjithë, le të punojmë për një ‘Trepçë’ të re, një ‘Trepçë’ që do t’ua japë mundësinë edhe gjeneratave pas nesh të punojnë, që do t’i japë rinisë një të ardhme dhe të moshuarve një jetë më të mirë. Andaj nëse të gjithë mobilizohemi dhe punojmë me sinqeritet, me shpirt e me zemër mund të arrijmë stabilitet financiar dhe ekonomik, duke krijuar edhe vende të reja pune. Na duhet bashkim, sinqeritet, mirësi e butësi, nëse i aktivizojmë këto cilësi urrejtja do të kalojë. Tani le të punojmë dhe ta mbushim këtë premtim, le të punojmë për hir të atyre që dhanë jetën e tyre”, thuhet mes tjerash në thirrjen e ushtruesit të detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri, për minatorët dhe për punëtorët e “Trepçës”.

Sadiku: Pagat nuk janë paguar në tërësi

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ka thënë se deri më tash vetëm punëtorët e minierës së Stan Tërgut i kanë marrë pagat e muajit shkurt, por jo edhe njësitë tjera biznesore.

“Punëtorët e ‘Trepçës’ akoma nuk i kanë marrë pagat në tërësi, pasi të premten u janë dhënë pagat vetëm punëtorëve të minierës së Stan Tërgut, ndërsa të gjitha njësitë tjera duke përfshirë edhe minierën e Artanës dhe të Kishnicës, nuk i kanë marrë pagat. Ne nuk i dimë arsyet se pse është bërë kjo ndarje, kur dihet që është nënshkruar marrëveshja në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe kryesuesit të Bordit për subvencionim të ‘Trepçës’ dhe është bërë alokimi i mjeteve nga buxheti i Republikës së Kosovës diku rreth 5 milionë euro. Ne, SP-ja e ‘Trepçës’, e kundërshtojmë këtë ndarje në mënyrë të padrejtë që dikujt t’i jepet paga e dikujt jo. Nuk ka ndonjë arsye që të bëhen këto ndarje. Në të gjithë jemi punëtorë të ‘Trepçës’ dhe duhet të trajtohemi në mënyrë të barabartë”, ka thënë Sadiku, ndërsa kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, ka siguruar se të gjithë punëtorët e “Trepçës” do t’i marrin pagat e tyre që nga dita e hënë, kur pritet të transferohen mjetet e Qeverisë së Kosovës.

5 milionë euro ndihmë financiare

Më 14 mars është nënshkruar marrëveshja e parë për ndihmë financiare për “Trepçën” si shoqëri aksionare. Shuma e ndihmës është afër 5 milionë euro dhe ka për qëllim t’i japë një shtytje “Trepçës” si tërësi.

“Me prodhimin aktual kjo ndihmë financiare i zbut problemet financiare për vetëm disa muaj, pasi pagat janë shpenzimi më i madh në ndërmarrje, kurse prodhimi nuk mbulon këtë shpenzim. Prodhimi aktual duhet të dyfishohet në mënyrë që të kemi një gjendje të qëndrueshme financiare dhe që ‘Trepça’ të jetë promotor i zhvillimit ekonomik, duke ndihmuar ekonominë e Kosovës dhe jo të jetë barrë e shtetit të Kosovës”, ka thënë ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Në anën tjetër drejtori i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, u ka thënë medieve në veri se platforma e Prishtinës ka komplikuar afarizmin dhe punën e “Trepçës” në pjesën veriore.

“Në platformën kosovare shkruan se ‘Trepça’ si tërësi i takon Qeverisë së Kosovës. Kjo është e papranueshme dhe jo e drejtë. Për çdo ditë jemi në kontakt me pushtetin në Serbi. Prishtina për shumë vjet, duke siguruar dokumentacion, me ligjin që është miratuar në Kuvendin e Kosovës ka krijuar një kornizë juridike për ndryshimin e strukturës pronësore. Natyrisht, dihet përgjigjja e qeverisë sonë, e manaxhmentit, e punëtorëve dhe e qytetarëve, para së gjitha të atyre në veri të Kosovës, gjë që i kemi hedhur poshtë si të papranueshme për ne. Komunikimi i menaxhmentit të ‘Trepçës’ në veri me Prishtinën është në nivelin më të ulët”, ka thënë Dimkiq, i cili ka shtuar se pagesat në xhirollogarinë e re të kompanisë së re të regjistruar bëhen jashtë të gjitha kornizave juridike.

“Kjo është përpjekje me prapavijë politike e Qeverisë së Kosovës, që dëshiron të tregojë se përkujdeset dhe se dëshiron ta mbështesë ‘Trepçën’. Të premten jemi përballur me një përpjekje për bllokim të mjeteve të prodhimit dhe është evidente se po hyjmë në një fazë të konfliktit. Në ditët në vazhdim unë pres një varg problemesh që do të na i bëjë administrata e Prishtinës. Problemin do të përpiqemi ta zgjidhim me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë dhe me kreun e shtetit të Serbisë. Sa na përket neve, do të përpiqemi të gjejmë në Prishtinë bashkëpunëtorë të kuptueshëm me të cilët do t’i zgjidhnim problemet konkrete në terren”, ka thënë drejtori i “Trepçës” në veri Jovan Dimkiq, i cili ka ripërsëritur se është shtuar frika edhe te punëtorët e “Trepçës” dhe se ata janë të shqetësuar me zhvillimet rreth “Trepçës”.