'Llamkosi' u falet kreditorëve

'Llamkosi' u falet kreditorëve

Ekonomia March 18, 2019 - 08:24
Lexoni detajet
Image

Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, ka vënë në ankand publik asetet e shoqërisë “Coresteel” me çmimin minimal prej 4.8 milionë eurosh. Një kompani (kreditor) kishte vlerësuar dhe kishte propozuar që fabrika të shitet me çmim prej 12.4 deri në 16.8 milionë euro, ndërsa Komuna e Vushtrrisë kishte kërkuar që dy strehimoret të mbesin pronë e Komunës, por Gjykata kishte refuzuar të dyja kërkesat, shkruan sot gazeta "Zëri".

Tani kur Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, ka vënë në ankand publik asetet e shoqërisë “Corestel” fabrika e llamarinës “Llamkos” Vushtrri, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Llamkosit”, vazhdon ta kundërshtojë shitjen pa kushte.

LEXO EDHE: Xhemajli jashtëligjshëm po e synon bordin e 'Ibër Lepencit'

Kushti i parë jo vetëm i punëtorëve, por edhe i Komunës së Vushtrrisë ka qenë që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi, por administratori i “Llamkosit” i emëruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Virtyt Ibrahimaga, ka thënë se kushtet e ankandit i ka vendosur Gjykata me votat e shumicës së kreditorëve. “Janë diskutuar edhe kërkesat e punëtorëve të ‘Llamkosit’, edhe të Komunës së Vushtrrisë, por ligji nuk lejon kushtëzime. Vetë kreditorët (20 kreditorë) kanë kërkuar që nëpërmes shitjes pa kushte ta marrë secili hisen e vet që ka në ‘Llamkos’.

Është në interes edhe të punëtorëve të ‘Llamkosit’ që fabrikën ta blejë një investitor i fortë, i cili do të vazhdonte të njëjtën veprimtari, por një kushtëzim i tillë nuk mund të bëhet, pasi që borxhi prej mbi 4 milionë eurosh ka bërë që fabrika të vihet në shitje pa kushte, duke shmangur shitjen përmes ofertës më të ulët”, ka thënë Ibrahimaga për medie, duke shtuar se me shitjen e aseteve atij i pushon puna e administratorit të “Llamkosit".

Halili: Fabrikës nuk mund t’i ndërrohet destinimi

Miran Halili, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Vushtrrisë, i ka thënë “Zërit” se Komuna ka paralajmëruar secilin blerës potencial që fabrikës nuk mund t’i ndryshohet destinimi.

“Ne kemi pasur disa takime me punëtorët dhe me sindikalistët e ‘Llamkosit’ dhe qëndrimi i përbashkët është që fabrikës nuk guxon t’i ndryshohet destinimi. ‘Llamkosi’ duhet të mbetet dhe të funksionojë vetëm si fabrikë për përpunimin e llamarinës së zinkuar”, ka thënë ai, ndërkaq Bahtir Haradinaj, ish-drejtor teknik në “Llamkos”, i tha “Zërit”, të dielën, se Gjykata ka vendosur ta përmbarojë procedurën e falimentimit dhe ta vërë në shitje fabrikën pa asnjë kusht dhe kjo si duket është me ligj.

“Për punëtorët e ‘Llamkosit’ është edhe qëndrim i kryetarit të Komunës Xhafer Tahirit, është me rendësi që kësaj fabrike të mos i ndryshohet destinimi, megjithëse me këtë teknologji dhe pa investime të tjera është vështirë të vazhdohet prodhimi”, ka thënë ai. 

Në anën tjetër, kryetari i SP-së së Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani, duke kundërshtuar ankandin pa kushte, vlerëson se është vënë në rrezik e ardhmja e “Llamkosit” dhe e rreth 500 punëtorëve.

“Kërkesa e punëtorëve, por edhe e Komunës së Vushtrrisë ka qenë që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi, që blerësit t’i vendosen kushte, me të cilat ai do të obligohet. Me vendimin e Gjykatës për shitje të fabrikës pa kushtëzime për blerësin potencial është vënë në rrezik e ardhmja e ‘Llamkosit’ dhe e rreth 500 punëtorëve të saj”, ka thënë Hasani, i cili çmimin minimal të vendosur prej 4.8 milionë eurosh e vlerëson poshtërues.

“Fabrika ka vlerë shumë të madhe, dhjetëra milionëshe, ndërsa ky çmim është vërtet përçmues për fabrikën dhe për punëtorët. Praktikisht fabrika po jepet për borxhe që janë krijuar, secili po e merr hisen e vet. Do të ishte mirë që blerësi të investojë, paraprakisht për t’i shlyer borxhet ndaj kreditorëve dhe t’i kthehet prodhimit. Administratori nuk ka qenë i interesuar për një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Hasani ka shpjeguar se ka qenë prezent kur është miratuar kërkesa e administratorit falimentues Virtyt Ibrahimaga që fabrikën ta shesë pa kushte dhe që të dalë në ankand publik me çmimin fillestar prej 4.8 milionë eurosh. Ai tha se ka kërkuar që si kusht kryesor të jetë për blerësin që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi, por kjo kërkesë e tij ishte mbivotuar nga kreditorët.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Ekonomik, në seancën e mbajtur me 8 shkurt ka miratuar kërkesën e administratorit falimentues të fabrikës Virtyt Ibrahimaga që fabrika për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” në Vushtrri të shitet pa kushte. Unë si kryetar i SP-së së Punëtorëve të ‘Llamkosit’ në këtë seancë kam paraqitur kërkesën e punëtorëve dhe rekomandimin e Kuvendit të Vushtrrisë që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi i punës prodhuese, kjo kërkesë nuk kaloi, u mbivotua nga kreditorët, por edhe me përkrahjen e administratorit. Gjyqtari Asllan Krasniqi vendosi në favor të tyre. Pati një vlerësim të fabrikës edhe nga kompania “Deloite”, e cila e vlerësoi fabrikën me vlerën e tregut prej 12.4 milionë eurosh deri në 16.8 milionë euro.

Kërkesat e Komunës refuzohen nga Gjykata

Vlera e likuidimit prej 4.8 milionë eurosh është shumë e ulët kur dihet se fabrika është në gjendje të rregullt teknologjike. Në këtë seancë është paraqitur edhe kërkesa e kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili kishte kërkuar që dy strehimoret e fabrikës të mbesin pronë e Komunës, por edhe kjo kërkesë është refuzuar nga administratori dhe Gjykata. Më në fund Gjykata miratoi kërkesën e administratorit që çmimi minimal të jetë 4.8 milionë euro, që do të thotë se fabrika mund të shitet nën këtë çmim”, ka shpjeguar kryetari i SP-së së Punëtorëve të “Llamkosit” Ragip Hasani mes të tjerash edhe nëpërmes llogarisë së tij në “Facebook”.

Hasani ka shtuar se ky çmim jo vetëm që është poshtërues, por edhe është humbje e madhe për ekonominë e qytetit “më të varfër të Kosovës, Vushtrrisë, ndërsa u shuan shpresat e 500 punëtorëve për t’u kthyer në vendet e tyre të punës”.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, ka vënë në ankand publik “asetet e shoqërisë ‘Coresteel’ SHPK me seli te Stacioni i Trenit, Vushtrri, fabrika e llamarinës ish-“Llamkosi”, që ka në pronësi tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje”. Çmimi minimal është 4.8 milionë euro, ndërsa ankandi do të zhvillohet më 15 prill 2019. Kërkesat për dokumente për pjesëmarrje në ankand duhet të bëhen me shkrim tek administratori Virtyt Ibrahimaga deri më 4 prill./ZERI