Xhemajli jashtëligjshëm po e synon bordin e 'Ibër Lepencit'

Xhemajli jashtëligjshëm po e synon bordin e 'Ibër Lepencit'

Ekonomia March 18, 2019 - 08:08
Lexoni detajet
Image

Qeveria e Kosovës dyshohet se në mënyrë të jashtëligjshme për anëtar bordi në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenc” po synon ta emërojë Muharrem Xhemajlin, ish-kreun e OVL-së së UÇK-së, si dhe njëherësh kandidat për deputet i PDK-së, shkruan sot gazeta "Zëri".

Muharrem Xhemajli, ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale në vend, në kundërshtim me ligjin, sërish ia ka mësyrë bordit të ndërmarrjes publike “Ibër Lepenc”. Në konkursin e vitit 2015 Xhemajli kishte konkurruar për anëtar bordi në këtë ndërmarrje publike qendrore, por ai nuk kishte arritur t’i marrë pikët e mjaftueshme për këtë pozitë.

LEXO EDHE: Opozita kërkon qeveri të re për ta udhëhequr dialogun

Por në fillim të vitit që lamë pas Xhemajli me vendim të Qeverisë së Kosovës u emëruar në këtë pozitë, pasi ishte në listën e pritjes pas dorëheqjes së anëtarit të bordit të kësaj ndërmarrjeje Mërgim Mushtaku, pasi ai ishte betuar si deputet i Kuvendit të Kosovës. Emërimi i Xhemajlit në këtë pozitë në atë kohë kishte ngjallur reagime të shumta për politizim të bordeve, por pavarësisht kësaj ai po tenton t’i sigurojë votat e mjaftueshme që edhe për një mandat ta vazhdojë punën si drejtor bordi.

Për t’u bërë deputet i Kuvendit të Kosovës Xhemajli kishte provuar në vitin 2014, i cili kishte marrë 6 mijë e 385 vota. Po ashtu në zgjedhjet e fundit në vend Xhemajli ishte pjesë e listës së koalicionit PAN si kandidati i PDK-së. I renditur i 105-ti në listë, Xhemajli nuk kishte arritur të hynte në Kuvendin e Kosovës. Ai kishte marrë 5 mijë e 474 vota. Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) e ka formuar Qeverinë e Kosovës falë koalicionit me AKR-në.

Xhemajli: Kandidatura nuk është pozitë udhëheqëse

I kontaktuar nga gazeta “Zëri” Muharrem Xhemajli thotë se vazhdon të jetë i bindur se emërimi i tij në pozitën e anëtarit të bordit nuk paraqet shkelje ligjore, ndonëse gjatë vitit 2017 ai ishte kandidat për deputet nga radhët e PDK-së. Ai thotë se për këtë çështje së paku deri më tash nuk ka marrë ndonjë shkresë nga Agjencia Kundër Korrupsionit, e cila ia ndalon një gjë të tillë.

“Jo nuk kam marrë asnjë shkresë prej Antikorrupsionit dhe ligji nuk e ndalon një gjë të tillë. Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë se personi nuk mund të jetë në pozita udhëheqëse të partive politike, ndërsa kandidatura nuk është pozitë udhëheqëse. Kandidat për deputet mund të jetë edhe dikush që nuk ka të bëjë me parti. Kandidatura nuk është pozitë udhëheqëse, shkresë nuk kam marrë deri më tash dhe nuk besoj se kjo ka të bëjë me ketë çështje”, ka thënë Xhemajli.

Ai më tutje në mënyrë kategorike mohon të ketë konflikt interesi.

“Absolutisht jo! Shikojeni ligjin mirë dhe ligji thotë se personi nuk mund të jetë i zgjedhur në pozita udhëheqëse të partive politike dhe unë nuk kam qenë asnjëherë në pozita udhëheqëse”, ka thënë ai.

Çka thotë ligji

Por emërimi i Xhemajlit në bordin e ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci” është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi duke u bazuar në ligjin në fjalë thuhet shumë qartë se të gjithë drejtorët duhet të jenë të pavarur politikisht.

“Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36-muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës, ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në Nenin 17, në pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike./ZERI