Ministri Shala: Mbështetja e BE-së për MTI-në është shumë e nevojshme

Ministri Shala: Mbështetja e BE-së për MTI-në është shumë e nevojshme

Ekonomia mars 14, 2019 - 11:23
Lexo tjera detaje

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se objektivi i përgjithshëm është vazhdimi dhe promovimi i integrimit të Kosovës në ekonominë botërore dhe përforcimi i rolit të shtetit në qeverisjen ekonomike.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit të dytë të Komitetit Drejtues të Projektit “Mbështetje e Mëtutjeshme e Zhvillimit të Tregtisë në Kosovë” i financuar nga Bashkimi Europian.

“Aktivitet me prioritet për MTI-në është hartimi i Ligjit për Tregti të Brendshme dhe Ligji për Tregti me Jashtë, prandaj falënderoj projektin për përkrahjen dhe ekspertizën që po ndihmon në këtë drejtim”, ka thënë ministri Shala.

“Gjithashtu, presim përkrahje gjatë zhvillimit të negociatave me vendet e EFTA-s dhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit në OBT”.

“Pasi që do të bëjmë punë të mëdha e që do të rezultojnë në përmirësimin e kapaciteteve të MTI-së për të zhvilluar negociata dhe zbatuar politikat tregtare, përfshirë mbrojtjen dhe zbatimin e pronësisë intelektuale, në përputhje me kërkesat e tregtisë ndërkombëtare dhe praktikat e BE-së dhe në përmirësimin e kapacitetit të saj për të mbështetur prodhuesit vendor”.

“Departamenti i Tregtisë dhe akterët tjerë relevant kanë nevojë për ekspertizën e ekspertëve nga BE dhe për praktikat më të mira ndërkombëtare.   Për këto dhe aktivitetet tjera në kuadër të projektit keni përkrahjen time të pa rezervë dhe besoj që e njëjta do të jetë edhe nga ana e projektit dhe Zyrës së BE-së ndaj MTI-së”.