Për 9 vjet përfundon vetëm 'U'-ja e kompleksit të banesave 'UÇK'

Për 9 vjet përfundon vetëm 'U'-ja e kompleksit të banesave 'UÇK'

Ekonomia March 14, 2019 - 08:36
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Kompleksi i banesave të dëshmorëve, që sipas projektit përbëhet nga tri ndërtesa me nga 160 apartamente, nga lart ka formën e shkronjave UÇK (akronim për UÇK-në), ndërsa ka filluar të ndërtohet në vitin 2009. Për 9 vjet ka përfunduar vetëm njëra ndërtesë që ka formën e “U”-së, por për ta përfunduar edhe strukturën e jashtme, bodrumin, pjesën përdhese dhe për t’i vendosur 4 ashensorë nevojiten edhe 980 mijë euro. Projekti ka koston prej 8 milionë eurosh dhe financohet nga MPMS-ja, shkruan Gazeta "Zëri".

Familje të dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të luftës, të cilët akoma nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit, janë duke pritur saktësisht qe 9 vjet për t’u vendosur në njërën nga tri ndërtesat e kompleksit të banesave të kategorive të luftës “UÇK”, por deri më tani jo vetëm që nuk ka përfunduar projekti, i cili ka koston prej 8 milionë eurosh dhe i cili financohet nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, por nuk janë kryer të gjitha punët as në ndërtesën e parë në formë të shkronjës “U”. Në fakt, siç i kanë thënë “Zërit” në Komunën e Skenderajt të martën, objekti i parë i kompleksit të banimit social e ka të papërfunduar pjesën e bodrumit, përdhesen dhe punët finale të infrastrukturës përcjellëse, shkruan Gazeta "Zëri".

Edhe 980 mijë euro për përfundim të punimeve

Valentina Hylenaj, zëdhënëse e Komunës së Skenderajt, i tha “Zërit” se për përfundimin e të gjitha punëve në objektin e parë të kompleksit “UÇK” nevojiten edhe 980 mijë euro. “Objekti i parë i kompleksit të banimit social, objekti në formën e shkronjës ‘U’, e ka të papërfunduar pjesën e bodrumit dhe përdhesen me punimet finale të infrastrukturës përcjellëse, si dhe vendosjen e 4 ashensorëve. Për përfundimin e punimeve të përgjithshme duhen edhe 980 mijë euro mjete financiare, në mënyrë që objekti të lëshohet në përdorim”, ka thënë Hylenaj.

Ndërkaq Jeton Rushiti, zyrtar për informim në Komunën e Skenderajt, duke u ndërlidhur me shkaqet që kanë çuar deri te ngecjet e mëdha në ndërtimin e kompleksit të banesave të kategorive të luftës “UÇK”, tha se mungojnë mjetet financiare për ta përfunduar objektin e parë, por edhe për të vazhduar me ndërtimin e dy objekteve të tjera që përbëjnë kompleksin “UÇK”, “Ç”-ja dhe “K”-ja. ë

Me mungesën e mjeteve për ta përfunduar të paktën njërën ndërtesë është përballur edhe qeverisja e kaluar, zyrtarë të së cilës kanë thënë se nuk ka gjasa të fillojë ndërtimi edhe i dy objekteve të tjera “Ç”-së dhe “K”-aë, për shkak të mungesës së mjeteve për ta kompletuar kompleksin me akronimin “UÇK”. 

Zyrtarë nga qeverisja e kaluar me Skenderajn, i kanë thënë “Zërit” se ndërtimi i këtij kompleksi nuk ka ngecur, porse gjithnjë ka pasur mungesë të mjeteve financiare, edhe pse kanë pasur një ndihmë nga Qeveria Qendrore, përkatësisht nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale.

“Është e vërtetë që kompleksi banesor me akronimin e UÇK-së ka filluar tashmë një kohë të gjatë. Nuk është se ka ngecur, por ka pasur gjithmonë mungesë financiare të mjeteve financiare, sepse është një ndër projektet me kapitale të Komunës së Skenderajt, objekti i parë tashmë ka përfunduar dhe do të duhej të fillojë ndërtimi edhe i dy objekteve të tjera. Kjo mund të jetë pak hipotetike për arsye se kjo nuk varet direkt nga mundësitë e Komunës, por duhet insistuar te Qeveria e Kosovës që të ndajë mjete për të vazhduar me projektin shumë të rëndësishëm për kategoritë e luftës. Duhet punuar që punës të mos ngecin, por që të punohet vazhdimisht”, i pati thënë “Zërit”, Fadil Nura, ish-nënkryetar i Skenderajt, në kohën sa me këtë Komunë ka qeverisur Sami Lushtaku.

 Në fakt, projekti i banesave të kategorive të luftës “UÇK” ka filluar të realizohet vetëm një vit pasi që Sami Lushtaku kishte marrë mandatin për të udhëhequr me Komunën e Skenderajt. Kompleksi i banesave “UÇK”, sikur të realizohet komplet do t’i plotësojë të gjitha kushtet për akomodimin e të gjitha familjeve të dëshmorëve komunën e Skenderajt, ndërsa një pjesë është paraparë edhe për një kategori tjetër, kryesisht për invalidë të luftës me një shkallë të lartë të invaliditetit.

Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, HisniNgucati, ka thënë se ata kanë shpresuar që ky projekt do të kryhet shumë shpejt, madje, siç thotë të paktën për 3 vjet, shkruan Gazeta "Zëri".

160 familje mund të vendosen në objekt

“Realisht, ne kemi besuar dhe kemi menduar që kjo do të kryhet shumë shpejt, madje kemi menduar se do të kryhet 3-4 vjet pas fillimit të realizimit të projektit, por kanë ndodhur në ndërkohë shumë ngjarje, siç ka qenë edhe mungesa e kryetarit Sami Lushtaku, andaj edhe këto kanë bërë që të ketë mungesë të mjeteve. Ky kompleks nuk është i mjaftueshëm për të gjitha familjet e dëshmorëve në komunën e Skenderajt, për 80 për qind e zbut situatën në Skenderaj”, ka thënë Ngucati, i cili ka shtuar se ata që dhanë me të shenjtën për këtë vend nuk shpërblehen me asgjë, por siç thotë Ngucati, “atë çka mund të bëjmë është një respekt, një simbolikë për fëmijët e tyre, që ta dinë përkrahjen e shtetit dhe të Komunës”.

Sipas kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hisni Ngucati, në objektin që ka përfunduar me shkronjën “U” mund të vendosen rreth 160 familje, por do të ishte mirë të ndërtohen të gjitha objektet me akronimin “UÇK” e pastaj të vendoset familjet. Kompleksi i banesave të dëshmorëve “UÇK” ka rreth 320 banesa, ndërsa financohet nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht MPMS-ja. Në Komunën e Skenderajt nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse mjetet prej 980 mijë euro do të mundë të sigurohen gjatë këtij viti për ta përfunduar pjesën përdhese të ndërtesës “U”, bodrumin, infrastrukturën e jashtme dhe vendosjen e 4 ashensorëve.

Në anën tjetër shumë familje të invalidëve të luftës dhe të veteranëve të luftës së UÇK-së insistojnë që në ndërtesën e parë të kompleksit të vendosen familje të tyre, pasi sigurojnë se të gjitha familjet e dëshmorëve në komunën e Skenderajt ose u është dhënë banesa, ose u janë ndërtuar shtëpi. Shumë familje të dëshmorëve, por edhe të veteranëve e të invalidëve janë vendosur edhe në tri objektet e banimit social në Skenderaj./ZËRI