Dogana, 75 mijë euro tender për 'Asgjësim të cigareve'
Foto: Laura Hasani

Dogana, 75 mijë euro tender për 'Asgjësim të cigareve'

Ekonomia mars 13, 2019 - 07:57
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Dogana e Kosovës ka publikuar një tender prej 75 mijë eurove për “Asgjësim të cigareve dhe të mallrave tjera vetëdjegëse” sipas nevojave të Doganës. Hapja e ofertave për këtë proces të prokurimit do të bëhet më 2 prill të këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Hiç më pak se 75 mijë euro ka paraparë t’i shpenzojë Dogana e Kosovës për tenderin “Shërbimet për asgjësimin e cigareve dhe të mallrave tjera vetëdjegëse” sipas nevojave të DK-së, i cili është shpallur para disa ditësh, derisa hapja e ofertave për këtë proces të prokurimit do të bëhet me 2 prill të këtij viti.

LEXO EDHE: Sfeçla: U shantazhuam për gylenistët

Në njoftimin për kontratë thuhet se në 40%  të tenderit bën pjesë asgjësimi i cigareve, i filtrave për cigare dhe i letrës së cigareve, po ashtu me 40% asgjësimi i duhanit të papërpunuar dhe i duhanit refuz, si dhe me 20% asgjësimi i mallrave vetëdjegëse pa vlerë (dokumentacioni, katalogë, reklama dhe mallrave tjera plastikë, qelq), sipas nevojës së Doganës.

Më tutje në njoftimin për kontratë thuhet se operatorët ekonomikë që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij procesi të prokurimit duhet ta kenë një deklaratë të qartë, në të cilën të gjithë anëtarët e grupit janë bashkërisht dhe individualisht përgjegjës për përmbajtjen e grupit të tenderit dhe në rast se grupit i jepet kontrata për ekzekutimin e saj një deklaratë të nënshkruar nga secili nga anëtarët, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në grup dhe se ata nuk janë duke marrë pjesë në mënyrë individuale ose në ndonjë grup tjetër që marrin pjesë në procedurën e njëjtë të prokurimit.

Po ashtu ata duhet ta kenë të nënshkruar një deklaratë nga të gjithë anëtarët e grupit, të cilët autorizojnë partnerin kryesor për të vepruar në emër të grupit.

Po ashtu secili anëtar i grupit duhet të regjistrohet në platformën elektronike. Aty më tutje thuhet se kompanitë që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë proces të prokurimit duhet ta kenë edhe një vërtetim të nënshkruar nga Administrata Tatimore e vendit të themelimit, i cili dëshmon se nuk është me vonesë për pagimin e tatimeve, vërtetimi duhet të jetë jo më i vjetër se 90 ditë kalendarike nga data e hapjes së këtij aktiviteti.

“Tenderuesi duhet të depozitojë sigurimin e tenderit në vlerë prej 2,000.00 eurosh për një periudhë të vlefshmërisë prej 90 ditëve ose 3 muajve nga data e hapjes së këtij tenderi. Në rast të dorëzimit të ofertës përmes platformës elektronike, sigurimi i tenderit duhet të dorëzohet i skanuar së bashku me ofertë, ndërsa forma origjinale e sigurimit të tenderit do të kërkohet të dorëzohet nga një tenderues të cilin autoriteti kontraktues ka për qëllim ta shpërblejë me kontratë. Mosdorëzimi i formës origjinale të sigurimit të tenderit shpie në zbatimin e Nenit 99.2 të LPP-së”, thuhet në dosjen e tenderit.

Në fund të njoftimit për kontratë thuhet se në bazë vendimit Nr. 47 2016 të dt. 01.12.2016 të nxjerrë nga KRPP-ja në mbështetjeje të Vendimit të Qeverisë së Kosovës Nr. 12 79 të dt. 15.03.2016, të gjithë OE-të, të cilët janë të interesuar të marrin pjesë në aktivitetet e prokurimit të ushtruara nga AK-të janë të obliguar të regjistrohen në platformën elektronike të prokurimit publik.

“Tenderi duhet të dorëzohet vetëm në mënyrë elektronike (në asnjë mënyrë në versionin tjetër). Shënim: OE-të duhet ta dorëzojnë ofertën e tyre vetëm në mënyrë elektronike, sepse ky do të jetë kusht i tenderit, i cili duhet respektuar për të mundësuar pranimin e ofertës si të ‘përgjegjshme’ administrativisht”, thuhet në fund të njoftimit për kontratë.