Sindikalistët paralajmërojnë greva e protesta
Foto: Laura Hasani

Sindikalistët paralajmërojnë greva e protesta

Ekonomia shkurt 23, 2019 - 08:19
Lexo tjera detaje

Pas miratimit të Ligjit për Pagat nga Kuvendi i Kosovës, shërbyesit civilë, Sindikata e Korporatës Energjetike e Kosovës, Sindikata e Punëtorëve në Shërbimin Korrektues, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe të Tregut të Energjisë në Kosovë (KOSTT), po ashtu edhe kirurgët e Qendrës Klinike Universitare dhe mësimdhënësit e ciklit të ulët kërkonin nga presidenti Hashim Thaçi ta kthejë këtë ligj në Kuvend, shkruan Gazeta "Zëri".

Blinera Karaça/Prishtinë

Mirëpo Thaçi ka lejuar që heshtazi ligji të konsiderohet i shpallur, pasi as nuk e ka nënshkruar atë dhe as nuk e ka thyer në Kuvend. Kështu tani disa prej këtyre sindikatave paralajmërojnë mundësinë e protestimit ose të futjes në greva, megjithëse e konfirmojnë se nuk janë të informuar mjaftueshëm me përmbajtjen e ligjit, si dhe me procedurat e me hyrjen në fuqi të atij ligji.

LEXO EDHE: LDK-ja po 'eksperimenton' me idenë për qeveri gjithëpërfshirëse

Nexhat Llumnica, nga Sindikata e KEK-ut, ka thënë për gazetën “Zëri” se punëtorët e KEK-ut nuk mund të konsiderohen si shërbyes civilë ose si punonjës të administratës. Prandaj ai ka thënë se nëse përfundimisht KEK-u përfshihet në kuadër të këtij ligji, atëherë grevat janë të pashmangshme.

“Në rast të aprovimit të këtij ligji, atëherë na mbetet neve të vendosim si Sindikatë në bazë të Statutit Sindikal edhe sigurisht që do të bëjmë greva, mirëpo ne do t'i shterojmë mundësitë tjera derisa të vijë te aprovimi i ligjit dhe nëse nuk ka mundësi të tjera, atëherë greva është e pashmangshme. Faktikisht ne grevën do ta bëjmë në momentin që tentojnë të na fusin në këtë ligj. 

Punëtorët e KEK-ut nuk kanë mundësi të punojnë si shërbyes civilë e as si punëtorë administrativë”, ka thënë Llumnica

Kurse kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së, Lami Balaj, ka thënë se atyre u është premtuar se Telekomi i Kosovës nuk futet në këtë ligj, megjithatë ka thënë se tjetër çka po u premtohet gojarisht dhe tjetër çka është shkruar në ligj. Ai po ashtu ka thënë se do të shihet mundësia e organizmit sindikal për protesta dhe për greva.

“Çështja është që Nait Hasani javën e kaluar ka thënë që decidiv nuk jeni në Ligjin e Pagave as ju, as KEK-u e as KOST-i, por pa e parë ligjin nuk mundem t’u them asgjë. Në rast se jemi në ligj dhe në njëfarë aspekti na e kanë bërë mashtrimi gojor, sepse tjetër gjë shkruhet në ligj, po u them se kemi për t’i marrë hapat, ashtu siç e parasheh ligji për organizim sindikal, si protestat, grevat edhe ndoshta deri te bllokimi i shërbimeve të Telekomit që janë në përgjithësi të telefonisë fikse dhe mobile”, ka deklaruar Balaj. 

Pakënaqësi të punëtorëve ka pasur në sektorë të ndryshëm publikë edhe për ulje të koeficientit, që nënkupton ulje të pagave. Të pakënaqur me veprimin e presidentit Thaçi shprehet Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, e cila kanë kërkuar nga presidenti ta kthejë në Kuvend Ligjin për Paga.

Kjo Sindikatë para miratimit të ligjit ka mbajtur disa greva, duke e quajtur këtë ligj diskriminues për mbi 22 mijë punëtorët e këtij sektori, kurse i ka pezulluar ato deri në një kohë tjetër. Kryetari i kësaj Sindikate Mursel Zymberi ka thënë se Sindikata ka angazhuar Avokatin e Popullit të merret më këtë çështje, në mënyrë që ky ligj të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka thënë se nuk përjashtohet as mundësia e grevave.

“Nuk përjashtohen grevat totale dhe bllokimi i të gjitha institucioneve të vendit pa datë të caktuar. Por e kemi edhe një instancë, Gjykatën Kushtetuese që e presim ta japë verdiktin e saj”, ka thënë Zymberi

Në anën tjetër kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se ligji nuk ka shkelje të Kushtetutës dhe se përmes këtij ligji synohet funksionalizimi i ndërmarrjeve publike.

“Ligji tashmë konsiderohet i shpallur, për shkak se presidenti nuk e ka nënshkruar e as nuk e ka kthyer në Kuvend. Ligji ka qëllim funksionalizimin e gjitha ndërmarrjeve publike”, është shprehur  Hasani, duke thënë se kompanitë publike nuk duhet të presin subvencione por duhet të krijojnë të hyra vetanake.

Ndërsa duke i komentuar paralajmërimet për greva e për protesta, ai ka thënë se protestat e grevat janë bërë për interesa personale të individëve të caktuar. “Që të gjithë ata të cilët kanë protestuar kanë pasur interesa të ngushta individuale, përndryshe nuk ka shkelje ligjore”, ka shtuar Hasani. /ZERI