Punëtorët e 'Llamkosit' organizohen për protestë

Ekonomia February 21, 2019 - 08:12
Lexo tjera detaje
Image


Kreu i SP-së së Punëtorëve të fabrikës së llamarinës së zinkuar “Llamkos”, Ragip Hasani, ka paralajmëruar protestë të punëtorëve për të premten para ndërtesës së Komunës së Vushtrrisë kundër tendencës së ndryshimit të destinimit dhe dërgimit në likuidim, me çka rrezikohet e ardhmja e 477 punëtorëve, shkruan Gazeta "Zëri".

Brenda 60 ditëve është paraparë që fabrika për përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” në Vushtrri të shitet për të tretën herë, por kësaj radhe bëhet fjalë vetëm për likuidimin total të një prej kapaciteteve më të mëdha ekonomike në komunën e Vushtrrisë. Punëtorët e “Llamkosit”, 477 sa ndodhen aktualisht në listat e pagave që nuk i kanë marrë për vite të tëra, nuk pranojnë në asnjë mënyrë që fabrikës t’i ndryshohet destinimi dhe që ajo pastaj të shkojë në likuidim. Punëtorët aktualisht janë duke u organizuar për protesta, fillimisht para Komunës së Vushtrrisë, ndërsa paralajmërohet vazhdim i protestave edhe para Qeverisë së Kosovës. 

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani, ka thënë se reagimi i punëtorëve ka ardhur pas vendimit të fundit të Gjykatës Ekonomike që ndërmarrjen “Llamkos” ta vërë në shitje pa kushte. “Gjithsesi që do të ketë edhe protestë, pasi nuk mund të lejohet që kjo fabrikë të shkojë në likuidim. Një protestë do të mbahet në Vushtrri para objektit të Komunës dhe do të jetë i natyrës sensibilizuese. Unë kërkoj nga punëtorët e fabrikës dhe nga qytetarët që t’i bashkëngjiten protestës në mënyrë që fabrika të mos shitet. Kërkesa jonë dhe e Komunës së Vushtrrisë për mosndryshimin e destinimit pa shitjes së saj ka hasur në kundërshtim dhe është mbivotuar nga shumica e kreditorëve”, ka thënë Hasani. 

Në anën tjetër janë pikërisht punëtorët e “Llamkosit” kreditori më i madh dhe në fabrikë ka hise prej 2.5 milionë eurosh. Punëtorët e “Llamkosit” kanë siguruar informacione se fabrika do t’i shitet një biznesmeni të fuqishëm rus, si dhe një biznesmeni kosovar. Ata gjithashtu shprehen me bindje se njeriu që ka shkatërruar “Llamkosin” është Jeton Sadiku, i cili me kompaninë “Coresteel” pati privatizuar “Llamkosit” me spinoff special. 

“Llamkosi” në prag të shkatërrimit total

“Të premten e kaluar kemi mbajtur një takim masiv me punëtorët, ku i kam informuar ata për vendimin e gjykatës. Punëtorët kanë shumë vërejtje dhe janë shumë të pakënaqur me zhvillimet, sepse fabrikës po i ndërrohet destinimi dhe për këtë arsye kemi vendosur që të protestojmë. ‘Llamkosi’ është në prag të shkatërrimit total, të shitet edhe për skrap. Falimentimi ka ndodhur shumë kohë më parë dhe ai që e ka shkatërruar është Jeton Sadiku. Interesi ynë është që fabrika të fillojë të punojë, të kthehemi në punë, në mënyrë që ta ringjallim këtë ndërmarrje, e cila deri kur është mbyllur ka qenë punëdhënësi më i madh në komunën e Vushtrrisë dhe një prej ndërmarrjeve që ka zhvilluar komunën e Vushtrrisë”, thotë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani, sipas të cilit punëtorët kanë disa kërkesa, në mesin e të cilave edhe mosndryshimi i destinimit të fabrikës pas shitjes, rinisja e punës në të dhe kthimi i punëtorëve në vendet e tyre të punës. 

Edhe kryetari i Vushtrrisë ka kundërshtuar shitjen e fabrikës dhe ndryshimin e destinimit. Tahiri, duke u bazuar në një vendim dhe rekomandim të Kuvendit të Vushtrrisë të datës 27 dhjetor 2018, ka thënë se kushdo që hyn me oferta në proceset e falimentimit të “Llamkosit” ose edhe në proceset tjera nuk do të mundë t’ia ndryshojë destinimin që ka. “Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që fabrikës së llamarinës së zinkuar “Llamkos” të mos i ndërrohet destinimi gjatë procesit të falimentimi dhe në të gjitha proceset e mëpastajshme. Fabrika ‘Llamkos’ ka qenë dhe është aset shumë i rëndësishëm ekonomik, jo vetëm për mirëqenien e familjeve të punëtorëve dhe të qytetit të Vushtrrisë, por edhe për ekonominë  e Kosovës.

Prandaj ua bëjmë me dije të gjitha palëve të interesuara, që pavarësisht procesit të falimentimit nëpër të cilën po kalon kjo fabrikë, Komuna në bazë të kompetencave të saj nuk do të lejojë kurrsesi që të ndërrohet destinimi i kësaj fabrike e të shndërrohet në tokë ndërtimore ose për çfarëdo qëllimi tjetër, përveçse për destinimin origjinal që ka. Ky vendim është marrë dhe me të njoftohet të gjitha palët e interesuara për këtë aset ekonomik, me qëllim që të mbrojë punëtorët dhe asetet e zhvillimit ekonomik të komunës”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

Mbi 2.4 milionë euro borxhe

Në anën tjetër “Llamkosi”, i cili ka kaluar nëpër disa etapa të privatizimit u ka borxh kreditorëve mbi 4 milionë euro, nga të cilat 2.450 milionë euro u ka borxh vetëm punëtorëve. Ndonëse punëtorët në asnjë mënyrë nuk pranojnë shitjen, ekziston mundësia që ajo njëmend të shitët dhe kjo pritët të bëhet brenda 60 ditëve. Punëtorët përsërisin se menaxhmenti i fabrikës ua ka borxh 23 paga ose gjithsej 2.450 milionë euro, 13 paga nga privatizimi i parë ose 1.7 milion euro dhe 10 paga nga privatizimi i dytë ose 750 mijë euro. Në këtë mënyrë punëtorët janë bërë kreditorët kryesorë të kësaj fabrike, e cila është privatizuar me “Spinoff special” me 25 gusht 2011 nga kompania britanike “Coresteel”.  

Situata e krijuar në ndërmarrjen “Llamkos” kishte ardhur si pasojë e inicimit të procesit të falimentimit të blerësit të kësaj ndërmarrjeje, kompanisë “Coresteel”, dhe se ky veprim nuk ka ndodhur me kërkesë të AKP-së. Sipas një njoftimi të AKP-së, falimentimi i ndërmarrjes është bërë me kërkesë të kreditorit “Standard Bank” PLC, me seli në Mbretërinë e Bashkuar për borxhin që “Coresteel” SHPK pretendohet se ka ndaj kësaj banke. Kompania “Coresteel”, si blerëse e aseteve të ndërmarrjes së re “Llamkos Steel” SHPK me aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, numër 1/2015, datë 23.01.2015, është futur në procedurë të falimentimit dhe Gjykata ka caktuar administrator të ndërmarrjes në falimentim.

Falimentimi i ndërmarrjes është bërë me kërkesë të kreditorit “Standard Bank” PLC, me seli në Mbretërinë e Bashkuar për borxhin që “Coresteel” SHPK ka ndaj kësaj banke. “Llamkos” është shitur përmes shitjeve të aseteve me likuidim në muajin gusht 2011 dhe ka qenë nën monitorim për periudhë pesëvjeçare, që i bie deri në datën e njëjtë të vitit 2016. 

Blerësi kishte marrë obligim për të investuar një shumë prej 100 milionë eurosh brenda pesë vjetësh (25 milionë euro në fazën e parë, 45 milionë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 30 milionë euro), si dhe për punësimin e numrit të përgjithshëm prej 1861 punëtorëve (437 punëtorë në fazën e parë, 637 punëtorë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 787 punëtorë), por nuk i kishte përmbushur asnjë nga obligimet. Duke përfshirë edhe pagat e punëtorëve, borxhet e “Llamkosit” arrijnë në 4 milionë euro. Problemi qëndron edhe me pronat e fabrikës dhe me tokën që shtrihet në 18.6 hektarë e të cilat pronari i mëparshëm, Jeton Sadiku, i kishte vënë në hipotekë në “Standard Bank” PLC me seli në Londër./ZËRI