Nga sot prodhimet e serbëve të Kosovës në shitje në Serbi

Nga sot prodhimet e serbëve të Kosovës në shitje në Serbi

Ekonomia shkurt 20, 2019 - 13:20
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Branimir Stojanoviq, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, aktualisht sekretar në Ministrinë e Ekonomisë në qeverinë serbe, ka siguruar prodhuesit serbë të Kosovës se të gjitha prodhimet e tyre nga 20 shkurti do të gjenden në shitje nëpër dyqanet dhe qendrat tregtare në të gjitha pjesët e Serbisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Të gjithë prodhuesit serbë të Kosovës, rreth 20 sa janë evidentuar, do të mundin t’i plasojnë në tregun e Serbisë të gjitha prodhimet e tyre nga 20 shkurti. Këtë e ka konfirmuar për mediet serbe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës në mandatin e Isa Mustafës, Branimir Stojanoviq, aktualisht ministër në Ministrinë e Ekonomisë së Serbisë.

Sipas tij, fillimisht në tregun serb do të gjenden pijet, vera e Rahovecit, si dhe prodhimet e kooperativave bujqësore e më vonë të gjitha prodhimet tjera.

“Të mërkurën për herë të parë në mënyrë të organizuar do të fillojë prodhimi i prodhuesve të Kosovës në rrjetin tregtar në Serbinë Qendrore, në ‘Univereksport’ në Novi Sad”, ka thënë Stojanoviq, sipas të cilit ndërmjetësues në mes të prodhuesve kosovarë serbë dhe ndërmarrjeve në Serbi do të jetë kompania shtetërore “Metohija”, e cila siç tha Stojanoviq drejtpërdrejt mbledh prodhimet nga prodhuesit serbë të Kosovës dhe lidh kontrata me rrjetin e ndërmarrjeve me shumicë në Serbi, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

“Deri më tani është arritur marrëveshje për shpërndarje të organizuar në tregun e Serbisë të tri prodhimeve nga Kosova, ndërsa në periudhën e ardhshme do të ketë edhe më shumë prodhime. Besoj se ky do të jetë një impuls për njerëzit në Kosovë, pasi deri më tani prodhuesit serbë nuk kanë mundur të kenë qasje në tregun e Serbisë në mënyrë të organizuar. Tani prodhuesit nga Kosova do të kenë mundësi të punojnë në kualitetin e prodhimeve, sepse plasimi i prodhimeve të tyre në treg është mundësuar. Mallrat e tyre do të jenë të vendosura në rafte të posaçme nëpër dyqane në të cilat do të shënohet se bëhet fjalë për prodhime të serbëve të Kosovës”, tha Stojanoviq.

Sipas tij, për fillim në “Univereksport” në Novi Sad do të gjenden prodhimet e verës së dy prodhuesve nga Hoqa e Madhe dhe një kooperativë bujqësore nga Zubin Potoku, e cila ka asortiment të gjerë të pemëve të thara, ndërsa në procesin e mbledhjes së prodhimeve dhe plasimin në tregun e Serbisë janë edhe prodhimet e 20 prodhuesve serbë të Kosovës.

“Kemi filluar në mënyrën më modeste, sepse modeste është edhe prodhimi i serbëve të Kosovës, në mënyrë që t’i inkurajojmë ata njerëz ta përfundojnë procesin deri në fund, pavarësisht në atë se shumë shpejt nuk mund të veprohet lehtë, sepse duhet kaluar shumë procedura. Por në fund atyre do t’u paguhet”, ka thënë sekretari në Ministrinë Serbe të Ekonomisë Branimir Stojanoviq, i cili ka shtuar se të gjitha kompetencat për mbështetje të afaristëve serbë të Kosovës bien mbi Zyrën Serbe për Kosovën.

“Zyra për Kosovën ka iniciuar numër shumë të madh të projekteve, ndërsa në periudhën në vijim do të ketë edhe projekte të tjera. Ministria e Ekonomisë në kuadër të përgjegjësive dhe të kompetencave ka ndihmuar formimin e Agjencisë Rajonale për Zhvillim të Kosovës. Ministria do të punojë edhe më tutje në logjistikë dhe në koordinimin me institucionet tjera, në mënyrë që prodhimet e serbëve të Kosovës të gjendet nëpër dyqanet në Serbi”, ka thënë ai.

Rriten pensionet

Prishtinë. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pensioneve.  Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të martën ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se duke u bazuar në programin dhe në buxhetin e vitit 2019 propozohet që të bëhet rritja e pensioneve bazike 20 për qind, e kontributpaguesve 15 për qind, ndërsa pensionet e parakohshme për “Trepçën” 20 për qind.

Sipas një përllogaritjeje ende jozyrtare i bie se pensionet e pleqërisë ata që marrin nga 75 euro aktualisht me buxhetin e ri do t’i marrin 90 euro.

Kurse pensionistët kontributpagues nga shuma prej 230 eurove do t’i marrin 34 euro më shumë në muaj. Numri i përgjithshëm i pensionistëve në Kosovë është 170 mijë.

Prej tyre 125 mijë janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, që marrin nga 75 euro në muaj, ndërsa 45 mijë janë kontributpagues, që ndahen në katër kategori, të cilët marrin nga 158 deri në 230 euro në muaj në bazë të përgatitjes shkollore. 

Ndryshe, buxheti për vitin 2019 është miratuar në shumën prej mbi 2.3 miliardë eurosh. /ZERI