Blerësit prishin stacionin e autobusëve në Skenderaj

Ekonomia February 20, 2019 - 08:14
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Blerësit kanë prishur stacionin e autobusëve në Skenderaj, i vetmi në Kosovë që është privatizuar nga AKP-ja, pasi pas 14 vjetëve kanë vendosur t’ia ndërrojnë destinimin. Komuna nuk ka bërë asnjë hap për realizimin e projektit të stacionit të ri, ndonëse vendimi është marrë në tetorin e vitit 2018, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Prejse është privatizuar në vitin 2005 stacioni i autobusëve në Skenderaj, i vetmi në Kosovë që është privatizuar, nuk e ka ndryshuar destinimin që kishte.

LEXO EDHE: 4 të vdekur nga gripi i derrave

Për 14 vjet radhazi të gjitha kompanitë e transportit të udhëtarëve që kanë qenë të interesuara kanë shfrytëzuar hapësirat e stacionit të autobusëve.

Me ligj pronarët e rinj kanë qenë të obliguar që stacionit të mos ia ndryshojnë destinimin vetëm 5 vjet.

Pronarët e rinj të stacionit të autobusëve në Skenderajt, pas privatizimit në vitin 2005 si pjesë e “Kosovatransit”, e kishin lëshuar atë në përdorimin për të gjithë automjetet e transportit të udhëtarëve, natyrisht duke paguar taksën prej 2 eurosh për çdo dalje, por stacionin e autobusëve e kishin shfrytëzuar vetëm kompanitë e transportit të udhëtarëve (autobusët), ndërsa nuk kishin pranuar që atë ta shfrytëzojnë edhe kombitaksistët, të cilët edhe atëherë e edhe tani parkohen kudo që munden.

Me ta blerë stacionin e autobusëve pronarët e rinj kishin marrë leje nga Komuna e Skenderajt (atëherë udhëhiqej nga  Ramadan Gashi) që ta ndërtojnë një ndërtesë të lartë, në formë të një qendre tregtare në pjesën nga rruga “Ilaz Kodra”, duke lënë një hapësirë të vogël (rrugë) për qasje në stacionin e autobusëve.

Disa nga lokalet në këtë objekt të lartë ishin shitur, sidomos ato në katin përdhes (kati i parë), si dhe komplet kati i katërt, por dy katet tjera kanë mbetur krejtësisht bosh dhe pa u meremetuar fare.

Tregun e gjelbër e adoptojnë në stacion

Në vitin 2014 pronari i ri i stacionit të autobusëve, Bajram Rama, i ishte drejtuar me një shkresë zyrës së kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, me të cilin e kishte njoftuar se edhe dy vjet më shumë sesa ka qenë i obliguar nuk ia ka ndryshuar destinimin stacionit, e tëra për të qenë në shërbim të qytetarëve të Skenderajt.

Ai kishte thënë gjithashtu se as investimet që i ka bërë nuk ka mundur t’i mbulojë. Kuvendi Komunal i Skenderajt në një nga seancat atë vit kishte dhënë pëlqimin në parim që privatizuesi i Stacionit të Autobusëve në Skenderaj të lejohet të ndërtojë objekte të larta në atë pjesë, por paraprakisht ai është obliguar që projektin për ndërtimin e kompleksit të banesave, për të cilin, siç kishte thënë ai do të investonte 5 milionë euro, ta dorëzojë në Komunë për t’u siguruar se ndërtimi është në pajtim me Planin Rregullativ Urban të qytetit.

Duke u përballur me këtë situatë e me qëllim që t’u dilet në ndihmë qytetarëve zyrtarët komunalë të Skenderajt kishin vendosur që pjesën e tregut të gjelbër, i cili është zhvendosur në lokacion të ri, ta adaptojnë dhe ta shfrytëzojnë për stacion të autobusëve.

Bërja e Stacionit të Autobusëve në atë pjesë ishte planifikuar të jetë vetëm zgjidhje emergjente, pasi deri në vitin 2017 ishte planifikuar të ndërtohej stacioni i ri i autobusëve me standardet më të larta.

Siç kishte vendosur Kuvendi i Skenderajt, pjesa ku ka qenë më përpara Tregu i Gjelbër do të adaptohej për Stacion të Autobusëve, do të bëheshin rrethojat, shënjëzimi dhe do t’u jepej në shfrytëzim kompanive të transportit të udhëtarëve.

Kuvendi kishte vendosur gjithashtu që për adaptimin e hapësirave të ndajë 20 mijë euro. Zyrtarët komunalë atëherë pretendonin se stacioni i ri i autobusëve që do të ndërtohej do të jetë një ndërmarrje e re publike, por që ky organizimin kishte mbetur të bëhej pas ndërtimin të stacionit, që do të duhej të fillonte në vitin 2016 dhe të përfundonte në vitin 2017 dhe për të cilin do të investoheshin 150 mijë euro.

Por zhvillimet e mëvonshme kanë treguar se as pronari Bajram Rama nuk kishte arritur ta realizojë projektin 5-milionësh e as Komuna ta adaptojë ish-tregun për stacion të autobusëve.

Stacioni ri, 20 vjet me koncesion

Në tetorin e vitit të kaluar pronari i stacionit të autobusëve në Skenderaj, Bajram Rama, kishte informuar Komunën e Skenderajt se në vend të stacionit të autobusëve do ta realizojë një projekt për një qendër tregtare, përflitej se marrëveshja ishte bërë me “Viva-Fresh”-in, duke i sugjeruar Komunës që të bëjë zgjidhje për kompanitë e transportit të udhëtarëve.

Punimet patën filluar menjëherë, fillimisht për rrafshimin e tokës e pastaj edhe ishin prishur peronat. Objekti tregtar planifikohej të lëshohej në punë për festat e fundvitit, por ai ende nuk ka përfunduar.

Të gjendur në këtë situatë Kuvendi i Skenderajt në seancën e tetorit kishte vendosur që të ndajë 1.08,00 hektarë tokë në rrugën “Fadil Rrustemi”, përballë parkut “Idriz Rreci”, për ndërtimin e stacionit të ri të autobusëve.

Komuna kishte bërë edhe projektin, të cilin fituesi i ankandit do të ishte i detyruar ta zbatonte, ndërsa prona komunale do të jepej në shfrytëzim për 20 vjet me koncesion, por që më vonë Kuvendi i Skenderajt këtë afat e kohor e pati shtyrë për 30 vjet.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, pati deklaruar se me vendimin për ndërtimin e stacionit të autobusëve është bërë edhe një hap tjetër drejt zhvillimit të komunës së Skenderajt. Sipas tij, fituesi i ankandit publik, respektivisht i konkursit publik do t’ia paguajë Komunës së Skenderajt 700 mijë euro për 30 vjet që e shfrytëzon hapësirën.

“Ndër pikat që kishim në seancën e Kuvendit Komunal ishte edhe propozimi për dhënien në shfrytëzim të tokës për ndërtimin e stacionit të autobusëve përballë parkut ‘Idriz Rreci’.

Skenderaj ishte në mungesë të një stacioni të mirëfilltë të autobusëve, prandaj ne sot kemi bërë hapin e parë drejt krijimit të stacionit, sepse sot në Kuvendin Komunal ky propozim u votua unanimisht”, pati deklaruar kreu i Komunës së Skenderajt, duke shtuar se për të qenë transparent me të gjithë Komuna e Skenderajt do t’i ndjekë të gjitha procedurat e parapara ligjore, ndërkaq dhënia e pronës së paluajtshme për ndërtimin e stacionit do të bëhet nëpërmjet procedurave të konkurrencës së lirë në konkursin e hapur publik.

“Pra, qëllimi ynë është që të krijojmë kushte për zhvillim ekonomik të komunës sonë, vende të reja pune, si dhe përmirësim të shërbimeve ndaj qytetarëve”, pati thënë atëherë kryetari i Skenderajt Bekim Jashari. 

Por edhe pas gati katër muajve asnjë lëvizje nuk është bërë në drejtimin të realizimit të projektit të stacionit të ri të autobusëve. Ka fjalë madje se toka është planifikuar, ndërtimi i stacionit është pronë private.

Në ndërkohë kompanitë e transportit të udhëtarëve akoma stacionohen në atë pjesë, edhe pse tani nuk ka më asgjë aty që tregon se ka qenë stacion i autobusëve.

Ata paguajnë nga 2 euro për çdo dalje dhe kjo mund të zgjasë vetëm edhe pak kohë, pasi e gjithë pjesa do të shfrytëzohet për parking të veturave të konsumatorëve të qendrës tregtare.

Mehmet Berisha, drejtor i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Komunën e Skenderajt, i tha “Zërit” se as Kmuna e as ai nuk kanë asnjë informacion se prona ka dalë të jetë private.

“Jo, vërtet as unë e askush nga Komuna nuk kemi ndonjë informatë se në pronën komunale është planifikuar të ndërtohet stacioni i autobusëve, është pronë private. Komisioni (Mehmet Berisha është anëtar i Komisionit për Hartimin e Kritereve për Shpalljen e Ankandit Publik) aktualisht është duke punuar rreth përpilimit të kritereve dhe rreth përgatitjes së dokumentacionit të nevojshëm për të vazhduar me procedurat e parapara ligjore për shpallje të ankandit”, tha Berisha.