Francezët, të interesuar për investime 122 milionë euroshe në energji

Francezët, të interesuar për investime 122 milionë euroshe në energji

Ekonomia shkurt 12, 2019 - 08:14
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Projekti për energji të ripërtëritshme (mullinj me erë) do të realizohet në Qyqavicë, në të cilën do të përfshihet edhe komuna e Drenasit. Projekti është pjesë e memorandumit të nënshkruar vitin e kaluar nga kryetarët e pesë komunave: Drenas, Skenderaj, Obiliq, Vushtrri dhe Mitrovicë, sipas së cilit Qyqavica është shpallur Zonë me Interes të Veçantë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

LEXO EDHE: Vdes një person nga gripi i derrit, evidentohen edhe tri raste tjera

Një memorandum i nënshkruar vitin e kaluar nga kryetarë të katër komunave që gravitojnë bjeshkët e Qyqavicës, Drenas, Skenderaj, Vushtrri dhe Obiliq dhe ai i Mitrovicës, sipas së cilit Qyqavica është shpallur Zonë me Interes të Veçantë, mund të rezultojë me investimet e para në këtë pjesë, pasi që një kompani e Francës ka siguruar një investim prej 122 milionë eurosh.

LEXO EDHE: Vdes një person nga gripi i derrit, evidentohen edhe tri raste tjera

Projekti parashikohet të realizohet në Qyqavicë, ku do të përfshihet edhe komuna e Drenasit dhe ka të bëjë me projektin e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme (mullinj me erë).

Francezët edhe përpara kanë qenë të interesuar të investojnë në një projekt të ngjashëm në Kosovë, ndërkaq për ta konkretizuar marrëveshjen për projektin ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert, ka takuar të hënën kryetarin e Drenasit Ramiz Lladrovcin, me të cilin ka biseduar për projektin, ndërsa janë diskutuar edhe çështje të rëndësishme për investime që do të mundë ta zhvillojnë komunën e Drenasit.

Kryetari Lladrovci, duke qenë mirënjohës për investimet franceze në komunën e Drenasit dhe për kontributin që Franca ka dhënë për shtetformimin e Kosovës, si dhe mbështetjen që u ka dhënë bizneseve në gjithë Kosovën, ka falënderuar ambasadorin Chabert, duke ofruar përkrahje dhe mbështetje të plotë. Lladrovci ka thënë se Komuna e Drenasit i ka dyert e hapura për investimet franceze në Kosovë dhe çdo vendi tjetër demokratik, në veçanti vendeve mike të Kosovës, gjithmonë duke u bazuar në kornizat ligjore që ka Kosova.

Komuna, e hapur për investime

“Komuna e Drenasit është e hapur për investime të jashtme, që do të mundë ta zhvillojnë edhe më tutje ekonominë e komunës dhe që do të ndikojnë në zbutjen e papunësisë, si njëri prej problemeve më të mëdha me të cilin përballet jo vetëm komuna e Drenasit”, tha Lladrovci. Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, tha se kompanitë franceze janë vazhdimisht të interesuar të investojnë në Kosovë, ndërsa aktualisht interesimi i tyre është për zbatimin e një projekti për mullinjtë e erës, një projekt që ka gjetur mbështetje edhe në Kosovë.

“Kompanitë franceze janë gjithnjë të interesuara që të investojnë në Kosovë, ndërsa tani një kompani dëshiron të investojnë në projektin për energji të ripërtëritshme (mullinj me erë). Vlera e projektit është 122 milionë euro, ndërsa lokacioni ku do të zbatohet projekti është Qyqavica, në të cilin do të përfshihet edhe komuna e Vushtrrisë. Unë kam kërkuar dhe kërkoj edhe tani që t’u jepet mundësi bizneseve franceze, në mënyrë që të mos shkojmë për të investuar në vende të tjera, por edhe të vijnë e të investojnë në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se Qyqavica është vendi më i përshtatshëm për realizimin e këtij projekti.

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, i cili ditëve të fundit është përballur me shumë probleme, si rezultat i një skandali seksual në të cilin ishin përfshirë një profesor dhe një polic nga Drenasi, ka njoftuar ambasadorin francez Didier Chabert se pesë komunat që përfshihen në zonën e Qyqavicës vitin e kaluar kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe e kanë ratifikuar këtë memorandum në asambletë e tyre komunale, që kjo pjesë të jetë zonë me interes të veçantë.

“Duhet shikuar mundësitë nëse lejohet ndërtimi i mullinjve të erës në këtë pjesë, si dhe duhet arritur pajtimi edhe me kryetarët e komunave tjera, që janë pjesë e memorandumit, pasi që është menduar se përveçqë do të jetë zonë e turizmit, në këtë pjesë është menduar që të ndërtohet edhe një spital rajonal i mushkërive”, ka sqaruar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Memorandum mirëkuptimi

Ndryshe, kryetarë të pesë komunave të Kosovës, Bekim Jashari (Skenderaj), Ramiz Lladrovci (Drenas), Agim Bahtiri (Mitrovicë), Xhafer Tahiri (Vushtrri) dhe Xhafer Gashi (Obiliq) kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi vitin që shkoi, me të cilin shpallin Qyqavicën Zonë me Interes të Përgjithshëm. Pesë komunat, ajo e Skenderajt, e Drenasit, e Mitrovicës, e Vushtrrisë dhe e Obiliqit nënshkruan memorandum mirëkuptimi për shpalljen e Zonës së Qyqavicës me interes të përgjithshëm, për ta ruajtur zonën dhe për të investuar në të, në mënyrë që Qyqavica të shndërrohet në zonë turistike, kulturore dhe rekreative.

“Qëllimi i këtij memorandumi është shpallja e zonës së Qyqavicës me interes të përgjithshëm për të investuar në të mirën e qytetarëve. Po ashtu ky memorandum mirëkuptimi ka për qëllim që zona e Qyqavicës të shërbejë si urë lidhëse në mes të pesë  komunave të lartcekura, duke përfshirë edhe tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe me gjerë. Me rastin e shpalljes së kësaj zone në interes të përgjithshëm do të krijohet një zonë turistike, rekreative, kulturore dhe biznesore, po ashtu do të bëhet edhe ruajtja e ambientit, kujdesi ndaj ujërave, si dhe sipërfaqeve të gjelbëruara”, thuhet mes të tjerash në memorandumin e nënshkruar.

Memorandumi i mirëkuptimit për shpalljen e Zonës së Qyqavicës me interes të përgjithshëm obligon pesë komunat që të lobojnë te Qeveria e Kosovës për të investuar në rregullimin e rrugës së gjatë 18 kilometra, në mënyrë që t’i lehtësojë investimet në këtë zonë.