Ligji për Paga pritet të kthehet në Kuvend
Foto: Laura Hasani

Ligji për Paga pritet të kthehet në Kuvend

Ekonomia shkurt 11, 2019 - 08:17
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Më 2 shkurt të këtij viti është miratuar Ligji për Paga në Kuvendin e Kosovës, mirëpo kjo ka shkaktuar pakënaqësi në disa sektorë. Kjo gjë ka shtyrë presidentin Hashim Thaçi që të shqyrtojë mundësinë e mosdekretimit të Ligjit për Paga, duke e kthyer kështu në Kuvend. Ligji i ri për Paga është vlerësuar si diskriminues dhe me gabime, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke e shqyrtuar mundësinë për të mos e nënshkruar Ligjin për Paga, në mënyrë që ta kthejë atë për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

LEXO EDHE: Kritikohet taksa, por jo edhe lobimi i Serbisë

Kështu ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” zyra e presidentit, e cila ka thënë se ky shqyrtim po bëhet për shkak të ankesave të disa sindikatave në lidhje me këtë ligj.

“Për shkak të ankesave të pranuara, të kërkesave të sindikatave dhe të shoqatave profesionale, të OJQ-ve, por edhe të shoqatave të veteranëve, presidenti po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos e ratifikojë Ligjin për Pagat dhe t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim”, thuhet në përgjigjen e zyrës së presidentit.

Miratimi i Ligjit për Paga tashmë ka shkaktuar pakënaqësi te shumë sektorë publikë në vend.

Sindikatat të pakënaqura me Ligjin për Paga, kërkojnë ndryshime

Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës dhe Sindikata e Administratës Publike të Kosovës ditë më parë i kanë dërguar letër kreut të vendit Hashim Thaçit me kërkesën për kthim të Ligjit mbi Pagat në Kuvend.

Sipas këtyre dy sindikatave, Ligji i ri për Paga është diskriminues. Ndërsa edhe një pjesë e personelit mjekësor në vend nuk e ka mirëpritur miratimin e Ligjit për Paga. Për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre ata tashmë më shumë se një muaj janë në grevë.

Reagime për miratimin e ligjit ka pasur edhe nga Sindikata e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Pro një rishqyrtimi të ligjit është shprehur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Sipas kryetarit të kësaj sindikate Avni Ajdinit, në Ligjin për Paga duhet të bëhen disa ndryshime.

“Për ndryshime ka nevojë, por ato mund të implementohen nëse ka vullnet dhe nëse ka buxhet. Unë jam pro korrigjimit të këtij ligji që të ketë barazi. Ligji mund të ristrukturohet nëse ka vërejtje të arsyeshme”, ka thënë ai për “Zërin”.

Osmani: Ka pasur gabime në Ligjin për Paga

Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, ka thënë për “Zërin” se në Ligjin për Paga ka pasur lëshime dhe gabime. Sipas tij, ka pasur pozita në sektorin publik të cilave u janë rritur pagat më shumë se që duhet, derisa ka pasur pozita të tjera të cilat nuk janë të kënaqura me këtë ligj.

“Ka pakënaqësi dhe kjo është më se evidente, sepse Ligji për Paga më në fund ka arritur të bëjë një kategorizim dhe një renditje, por megjithatë ka disa lëshime që disa pozicione janë bërë për njerëz dhe jo për pozita. Normalisht që ka edhe gabime mes sektorëve të ndryshëm, ku disa janë shpërblyer në mënyrë të pamerituar për shkak se disa pozita janë mbivlerësuar dhe të tjerët kanë shprehur pakënaqësi se pse ka ndodhur kjo. Presidenti ka të drejtë që ligji t’u kthehet deputetëve me precizim të saktë për cilat nene është fjala dhe deputetët me dy të tretat e votës e aprovojnë atë ose jo”, ka thënë ai.

Osmani ka vlerësuar se komisionet edhe një herë duhet të shqyrtojnë Ligjin për Paga.

“Ndoshta ka nevojë që edhe një herë komisionet më me seriozitet t’i shqyrtojnë disa pozicione dhe të bëjnë përmirësime aty ku ka ndodhur ndonjë lëshim eventual, të bëhet rangimi sipas pozitave dhe përgjegjësisë. Konsideroj që me një seriozitet mund të korrigjohet ligji që të jetë më i mirë se që është”, ka shtuar ai.

Selmanaj: Nuk është mirë që të kthehet ligji

Deputetë të koalicionit qeverisës kanë kundërshtuar kthimin e Ligjit për Paga në Kuvend.

Anëtari i Komisionit për Administratë Publike nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se nuk është e arsyeshme që ligji të kthehet në Kuvend përsëri.

“Nuk ka arsye që të kthehet ligji prapë në Kuvend, ligji duhet të implementohet sepse 70 për qind e punonjësve kanë rritje dhe mendoj që kjo është në dëm të të gjithë këtyre”, ka thënë ai.

Sipas Selmanajt, Ligji aktual i Pagave ka zvogëluar pabarazinë në sektorin publik në vend.

“Nuk është mirë që të kthehet ky ligj, sepse mendoj që është një e arritur e madhe e Kosovës që ka mbërritur pas 20 vjetëve të ketë një Ligj për Paga. Edhe pse ligji nuk është më i miri, sepse ka ende që të punohet në të, por kështu siç është ligji është i mirë dhe e ka zvogëluar me përmasa të mëdha pabarazinë e cila ka ekzistuar tani e 20 vjet në sektorin publik”, ka thënë ai më tej.

Për dallim nga disa sindikata, Ligjin e ri për Paga, i cili u miratua më 2 shkurt të këtij viti, e kishin mirëpritur mësimdhënësit dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se nëse Ligji për Paga kthehet prapë në Kuvend ata do të mbledhin Këshillin dhe do të diskutojnë në lidhje me këtë çështje.

“Unë nuk dua të jem pjesë e debateve politike. Atë që mundem të them është se nëse kthehet Ligji i Pagave, Federata mblidhet dhe diskuton për këtë çështje”, ka thënë ai.