Tahiri siguron vushtrriasit, 'Llamkosit' nuk i ndryshohet destinimi

Tahiri siguron vushtrriasit, 'Llamkosit' nuk i ndryshohet destinimi

Ekonomia shkurt 09, 2019 - 08:07
Lexo tjera detaje
Image

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ua ka bërë të ditur të gjithë të interesuarve në procesin e falimentimit dhe në proceset tjera të mëpastajmë se fabrikës së llamarinës “Llamkos” në Vushtrri nuk do t’i ndryshohet destinimi, duke u bazuar në kërkesën e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit” dhe të një rekomandimi të Kuvendit të Vushtrrisë të datës 27 dhjetor të vitit 2018, shkruan Gazeta "Zëri".

Kushdo që hyn në proceset e falimentimit të “Llamkosit” ose edhe në proceset tjera nuk do të mundë t’ia ndryshojë destinacionin që ka. Këtë premtim e ka bërë kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili ka thënë se vendimi është i bazuar në rekomandimin e Kuvendit të Vushtrrisë, të datës 27 dhjetor 2018 e që ishte edhe kërkesë e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit”. “Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që fabrikës së llamarinës së zinkuar ‘Llamkos’ të mos i ndërrohet destinimi gjatë procesit të falimentimit dhe në të gjitha proceset e mëpastajshme. Fabrika ‘Llamkos’ ka qenë dhe është aset shumë i rëndësishëm ekonomik jo vetëm për mirëqenien e familjeve të punëtorëve dhe të qytetit të Vushtrrisë, por edhe për ekonominë e Kosovës. Prandaj ua bëjmë me dije të gjitha palëve të interesuara, që pavarësisht procesit të falimentimit nëpër të cilën po kalon kjo fabrikë Komuna në bazë të kompetencave të saj nuk do të lejojë kurrsesi që të ndërrohet destinimi i kësaj fabrike e të shndërrohet në tokë ndërtimore ose për çfarëdo qëllimi tjetër, përveçse për destinimin origjinal që ka. Ky vendim është marrë dhe me të njoftohen të gjitha palët e interesuara për këtë aset ekonomik, me qëllim që të mbrojë punëtorët dhe asetet e zhvillimit ekonomik të komunës”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

Procedurat gjyqësore kanë përfunduar

 I pari i Vushtrrisë ka thënë se procedurat gjyqësore kanë përfunduar dhe se angazhohet që “Llamkosi” të rikthehet në prodhim pas katër vjet të ndërprerjes së prodhimit dhe të zhvillimit të procedurave të falimentimit. Kryetari i Vushtrrisë ka premtuar se “Llamkosit” do t’i kthehet nami i dikurshëm, kur ishte simbol i zhvillimit ekonomik i komunës së Vushtrrisë.  “‘Llamkosi i është nënshtruar disa etapave të privatizimit, të cilat ishin të pasuksesshme dhe fabrika ka qenë jofunksionale për disa kohë. Procedurat gjyqësore tashmë kanë përfunduar, andaj si kryetar i Komunës angazhohem fuqishëm dhe shpresoj që kjo fabrikë të jetë sërish promotor i zhvillimit ekonomik të Vushtrrisë. Gjithsesi, edhe nëse ndaj kësaj fabrike zhvillohen procedura të tjera destinimi nuk do t’i ndryshohet, gjë që siguron që fabrika të funksionojë se fabrikë e përpunimit të llamarinës së zinkuar”, ka siguruar i pari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

Gjendja e punëtorëve të “Llamkosit”, të cilët me fillimin e procedurave të falimentimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës kanë mbetur rrugëve, vazhdon të jetë e rëndë. “Llamkosi”, i cili ka kaluar nëpër disa etapa të privatizimit u ka borxh kreditorëve mbi 4 milionë euro, nga të cilat 2.450 milionë euro vetëm punëtorëve.  Fabrika për prodhimin e llamarinës “Llamkos” e Vushtrrisë vazhdon me procedurat e falimentimit, në bazë të një vendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ndonëse punëtorët nuk pajtohen me falimentimin. Ata dëshirojnë që fabrika të kthehet në prodhim, në mënyrë që ata të mundë të sigurojnë ekzistencën për familjet e tyre nga puna në këtë fabrikë. 477 punëtorë të  “Llamkosit”, të cilët kanë mbetur rrugëve dhe janë shndërruar në raste sociale sigurojnë se menaxhmenti i fabrikës ua ka borxh 23 paga, ose gjithsej 2.450 milionë euro, 13 paga nga privatizimi i parë dhe 10 paga nga privatizimi i dytë. Në këtë mënyrë, punëtorët janë bërë kreditorët kryesorë të kësaj fabrike, e cila është privatizuar me “spinoff special” me 25 gusht 2011 nga kompania britanike “Coresteel”.

Punëtorët kërkojnë hise

Punëtorët e “Llamkosit” thonë se ka edhe shumë kreditorë të tjerë që kërkojnë hise në “Llamkos”, andaj edhe kanë kërkuar që fabrika sërish të privatizohet dhe të paguhen borxhet. “Llamkosi”  është privatizuar në vitin 2005, por në vitin 2009 AKPJ-ja kishte bërë tërheqjen e aksioneve nga blerësi për shkak të mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale për t’u privatizuar, gjithashtu me “spinoff special” më 25 gusht 2011 nga kompania britanike “Coresteel”. Pas privatizimit ndërmarrja mori emrin “Llamkos Galva Steel”. Në komunën e Vushtrrisë nuk kanë mundur të thonë nëse mund të bëjnë diçka për ta rifunksionalizuar fabrikën, pasi kjo nuk është në dorë të Komunës, përveçqë me disa projekte t’u dalin në krah punëtorëve dhe t’u ndihmojnë nëpërmes formave të ndryshme, duke përfshirë edhe ndihmat sociale. Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Llamkosit” shprehet e brengosur për gjendjen në të cilën ndodhen punëtorët që kanë mbetur pa punë.

“Gjendja e punëtorëve është shumë e rëndë, Paga nuk po marrin pavarësisht ankesave që i kemi bërë nëpër të gjitha institucionet. Kërkesat tona nuk përfillen nga asnjë institucion. Na kanë mbetur borxh edhe nga privatizimi i parë edhe nga privatizimi i dytë. 13 paga janë borxhet nga privatizimi i parë, ose 1.7 milion euro, si dhe 10 paga nga privatizimi i dytë, ose 750 mijë euro”, ka deklaruar para pak kohësh Ragip Hasani, kryetar i SP të Punëtorëve të “Llamkosit”. Sipas tij, edhe gjendja e objekteve të fabrikës nuk është e mirë, ndonëse teknologjia është e mirë. Në fabrikë janë të angazhuar vetëm 8 punëtorë, të cilët sigurojnë objektet dhe teknologjinë e fabrikës. Hasani ka potencuar kërkesën e punëtorëve që fabrika të riaktivizohet, në mënyrë që të mos dëmtohet më shumë dhe që punëtorët t’i kthehen punës. “Është interes i të gjithëve në komunën e Vushtrrisë që fabrika të rifillojë prodhimin. Teknologjia është bashkëkohore dhe mund të riaktivizohet menjëherë. Ne nuk pranojnë që teknologjia dhe gjithë fabrika të shitet për hekur”, është shprehur Hasani.  

Mësohet në ndërkohë se janë duke u shqyrtuar kërkesat e kreditorëve, ndërsa kreditori më i madh janë vetë punëtorët e “Llamkosit”. Duke përfshirë edhe pagat e punëtorëve borxhet e “Llamkosit” arrijnë në 4 milionë euro. Problemi qëndron edhe me pronat e fabrikës dhe me tokën që shtrihet në 18.6 hektarë e të cilat pronari i mëparshëm i ka vënë në hipotekë.ZËRI