Bizneset që nuk vendosin flamujt te produktet do të gjobiten

Ekonomia February 02, 2019 - 13:06
Lexo Detajet

Bizneset tashmë kanë filluar vendosjen e flamujve të origjinës së produkteve nëpër markete e tyre, por shenjëzimi i tyre ende nuk ka përfunduar. Ndërsa për ata që nuk e respektojnë këtë udhëzim administrativ Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar ndëshkime.

Vendimi për vendosjen e flamujve te produktet u morë më 29 dhjetor të vitit të kaluar, teksa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kishte nënshkruar udhëzimin administrativ që urdhëron marketet të vendosin flamuj sipas origjinës së produktit, vendimi ky i cili filloi të aplikohet që nga 1 janari.

Krahas kësaj vendosjen e flamujve te produktet e kanë mirëpritur qytetarët e Kosovës, ndonëse disa prej tyre deklarojnë se ata flamuj nuk i kanë parë nëpër shoqëritë tregtare.

Emre Sherif për KosovaPress ka thënë se i ka parë flamujt e vendosur nëpër markete dhe se kjo ofron lehtësi për t’i gjetur më lehtë produktet vendore.

“Po i kam hetuar flamujt, e kam parë të Kosovës dhe po më pëlqen, më mirë është me investuar në Kosovë…Më mirë tash, kujt i pëlqen me përdorë produkte të Kosovës e ka më lehtë“, ka thënë ky qytetar.

E Fahri Duraku u shpreh se nuk ka parë nëpër markete flamuj e origjinës, por që ky veprim u ndihmon konsumatorëve të përzgjedhin më lehtë se çka do të konsumojnë.

“Jo për besë nuk i kam parë…Më mirë është se e dinë se çfarë prodhime po merr, më mirë është …e dinë prej cilit shtet po vjen”, u shpreh Duraku.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka theksuar se inspektorati i MTI-së ka filluar inspektimet nëpër shoqëritë tregtare.

Ai ka kërkuar që bizneset sa më parë të fillojnë t’i vendosin flamujt tek produktet.

“Ligji është në fuqi nga 29 dhjetori i vitit 2018 të gjitha shoqëritë tregtare në Republikën e Kosovës janë të obliguara ta respektojnë këtë ligj, atë nen të caktuar që tek secili çmim i produktit i cili shitet në tregun e Kosovës në anën e majtë të çmimit duhet të jetë i vendosur flamuri i origjinës së atij produkti. Ligji tashmë është në fuqi ne si ministrin e Tregtisë jemi duke i inspektuar të gjitha shoqëritë tregtare, jemi duke i vetëdijesuar që sa më shpejt të fillojnë edhe ato të cilat nuk i kanë ato t’i vendosin, dhe shumë shpejt ministria e Tregtisë dhe Industrisë, inspektorati i saj dhe inspektoratet tjera komunale do të vazhdojnë edhe me shqiptimin e masave ndëshkimore që përcaktohen me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Përndryshe masat ndëshkimore të parapara me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit do të merren ndaj secilës shoqëri tregtare e cila nuk e respekton ligjin”, ka shtuar Shala 

I pari i tregtisë dhe industrisë së Kosovës është zotuar se varësisht prej masës të cilën inspektorati e sheh që është bërë shkelje do të ndëshkohen edhe shoqëritë tregtare.

Nora Jusufi nga Instituti GAP vendosjen e flamujve tek produktet nëpër markete e ka vlerësuar si një iniciativë të mirë, e cila mbron konsumatorin dhe ia lehtëson atij përzgjedhjen e produkteve që dëshiron t’i konsumojë.

Sipas saj, përmes këtij veprimi ndërprehet edhe mashtrimi indirekt ndaj konsumatorit.

“Çdo informatë shtesë që i jepet çoftë prej prodhuesit çoftë prej shitësit të produktit i ndihmon shumë në vendimmarrje e vetë. Edhe ky udhëzim është bërë në kuadër të nentit për etiketim, në bazë të atij neni i cili e parasheh edhe vendosjen e flamujve, mirëpo në përgjithësi përveç vendosjes së flamujve ..është edhe etiketimi pjesa tjetër e produkteve ka produkte vendore dhe të huaja që ofrojnë informata për mënyrën se si është prodhuar ai produkt, mandej edhe për vlera ushqyes, por shumica nuk i japin këto informata. Ka prodhues që po vendosin emra të huaj të produkteve të tyre po i reklamojnë në atë mënyrë dhe ndoshta edhe çmimet po i vendosin sikur të jenë konkurrente me cilësinë e disave që kanë zhvillim më tepër në njëfarë mënyrë është një lloj mashtrimi indirekt i konsumatorit, kështu që në këtë mënyrë me vendosjen e flamujve përmirësohet një pjesë e vendimmarrjes së blerjes”, ka shtuar ai.

Jusufi konsideron se gjobat ndaj shkelësve duhet të jenë në proporcion me moszbatimin e udhëzimit administrativ për vendosjen e flamujve.

Kujtojmë se vendimi për vendosjen e flamujve erdhi pak pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 % ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si reagim ndaj një fushate të ashpër diplomatike të Serbisë kundër aplikacionit të Kosovës në Interpol dhe qëndrimit mbështetës të Bosnjës ndaj politikës së Beogradit. /Telegrafi/