Edhe punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë grevë

Ekonomia February 01, 2019 - 22:13
Lexo Detajet

Grevat në Kosovë nuk kanë të ndalur.

Sot, është arritur marrëveshja për pezullim të grevës në arsim pas marrëveshjes së arritur për rritje të pagave në këtë sektor shkruan lajmi.net.

Nga e hëna do të fillohet mësimi.

Kështu e konfirmuan edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Mirëpo grevat nuk përfundojnë në Kosovë. Shërbyesit civil në qytetin e Prishtinës që nga e dita e djeshme janë në grevë të përgjithshme.

E ndër sindikatat që kanë paralajmëruar greva janë edhe Sindikata e Doganës së Kosovës por edhe Sindikata e Re e KEK-ut.

Mediumi ka kontaktuar me nënkryetarin e Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, për të diskutuar në lidhje me paralajmërimin e grevave shkaku i pakënaqësive me pagat.

Ai është shprehur se me kryeministrin Haradinaj janë takuar edhe në vitin 2018 edhe në vitin 2019, ku është diskutuar për rritje të pagave por jo edhe për ligjin e pagave.

Llumnica ka theksuar gjithashtu se kanë kërkuar nga kryeministri që të mos përfshihen në ligjin e pagave.

“Ne kemi pasur takime me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në tetor të 2018 dhe në janar të 2019-tës por ishte për ngritje të pagave, ndërsa për ligjin për paga nuk kemi pasur asnjë takim por edhe pse nuk na është mundësuar një takim për këtë çështje ne kemi dërguar komentin tonë lidhur me draft ligjin për paga me kohë, pikërisht me datën 25.07.2018, ku kemi kërkuar që Korporata Energjetike e Kosovës mos të futet në këtë ligj, sepse KEK-u e ka buxhetin e vet nga prodhimi i energjisë elektike dhe nuk e dëmton buxhetin e Kosovës”, është shprehur Llumnica.

Ai gjithashtu e ka arsyetuar kërkesën e tij që të mos futen në ligjin e pagave.

“Kërkesa jonë është që KEK-u mos të futet në këtë ligj sepse punëtorët e KEK-ut nuk janë as shërbyes civil, as punëtorë administrativë, por janë punëtorë të Minierave dhe Termocentraleve dhe pagat i marrin nga djersa e tyre, si dhe qeveria e Kosovës, nga KEK-u çdo vit i merr rreth 30 milionë euro”, është shprehur Llumnica.

Duke komentuar hapat e mëtutjeshëm nëse nuk respektohet kërkesa e tyre, Llumnica ka përmendur edhe grevën.

“Hapat tonë që do t’i merrë Sindikata e Re e KEK-ut, janë se nëse punëtorëve të KEK-u iu preket paga që nënkupton zbritje, ne do të jemi të imponuar të bëjmë grevë”, është shprehur ai.