Kthehet normaliteti në 'Trepçë'

Ekonomia January 28, 2019 - 08:17
Lexo detajet
Image

Ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri, ka deklaruar se vetëm të dielën ka mundur të fillojë puna normale në “Trepçë” pas evitimit të avarisë në trafostacionin elektrik në “Trepçë”, që për disa ditë e kishte lënë pa rrymë qytetin e Mitrovicës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Është kthyer të dielën puna normale në minierën e Stan Tërgut, pasi që KEDS-i ka arritur ta evitojë avarinë në trafostacionin elektrik në “Trepçë”, e cila për disa ditë la pa rrymë edhe gjithë qytetin e Mitrovicës. Të martën pas djegies së trafostacionit elektrik brenda objekteve të ndërmarrjes “Trepça” minatorët e ngujuar në minierë kishin dalë pa problem nga horizontet, por puna nuk ka mundur të zhvillohet për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

LEXO EDHE: BE: Hiqeni taksën, angazhohuni në dialog!

Xhevdet Tahiri, ushtrues i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, i tha “Zërit” të dielën se vetëm të dielën ka mundur të rifillojë puna normale në “Trepçë”.

“Nga sot (e diele) ka rifilluar puna normale në minierën e Stan Tërgut. Avaria në stacionin elektrik në ‘Trepçë” ka bërë dëme të pariparueshme, megjithatë me përpjekjet maksimale të KEDS-it dhe të KOST-it gjendja është sanuar dhe tani edhe prodhimi është duke shkuar normalisht. Unë kam biseduar sot me ata të minierës dhe jam informuar se gjithçka tani është në rregull dhe se ndërrimi i parë është duke punuar, gjithashtu edhe ndërrimi i dytë e i tretë”, ka thënë Tahiri për gazetën “Zëri.

Ai tha gjithashtu se tani kur gjithçka është kthyer në normalitet pas ndërprerjes së grevës së minatorëve shpreson se edhe prodhimi do të rritet. Sipas tij, KEDS-i dhe KOSTT-i kanë gjetur zgjidhje edhe pas refuzimit të serbëve të veriut që furnizimi i “Trepçës” të bëhet nëpërmes Vallaqit. 

“Lufta për zhvillim dhe zgjidhje kërkon shpirt, jo gjithmonë fonde”, është shprehur ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri. 

Edhe KEDS-it nëpërmes një komunikate, ka konfirmuar se është kthyer normaliteti me energji elektrike edhe në qytetin e Mitrovicës, edhe në “Trepçë”, pasi është kyçur edhe linja e tretë e furnizimit për Mitrovicën.

“Tashmë e tërë Mitrovica ka energji elektrike, kjo pasi është kyçur edhe linja e tretë e furnizimit për këtë qytet. Aktivizimi është arritur falë rifunksionalizimit të linjës që derivon nga një trafo e vjetër e Trepçës, e cila ishte jashtë funksionit. Ekipet e KEDS-it kanë kyçur lidhjen 35 kV, ekipet e KOSTT-it linjën 110 kV dhe ‘Trepça’ ka ofruar trafon. Para tri ditësh, si rezultat i një pune të jashtëzakonshme në Mitrovicë, ishin krijuar dy linja furnizuese për këtë qytet dhe fshatrat përreth, duke përfshirë edhe ‘Trepçën’”, thuhet mes tjerash në komunikatën e KEDS-it.

Në anën tjetër derisa në “Trepçë” përballeshin me problemin e furnizimit me energji elektrike, në Qeverinë e Kosovës janë përkujdesur për statutin e “Trepçës” dhe për procedimin e tij në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se Komisioni për Zhvillim Ekonomik e ka miratuar me shumicë të votave Draftstatutin e “Trepçës” dhe ai është procedurë në Kuvendin e Kosovës për miratim. Lluka ka thënë se Qeveria e Kosovës ndan për “Trepçën” rreth 4 milionë euro në mënyrë që t’i përballojë obligimet që ka. Ai pranon se paga më e lartë në “Trepçë” është 2 mijë euro, ndërsa paga e minatorëve është 770 euro.

Mësohet në ndërkohë se “Trepça”, sipas statutit të ri do të zgjerohet në 13 njësi, ndryshe nga Draftstatuti i parë që ishte miratuar në Qeveri vitin e kaluar, në draftstatutin që është dorëzuar për miratim në Kuvendin e Kosovës janë listuar 13 njësi të “Trepçës”, për të kaluar nga AKP-ja në shoqëri aksionare, duke u bazuar në Ligjin për “Trepçën”. Me Ligj Qeveria është pronare e 80 për qind të aksioneve, ndërsa punëtorët 20 për qind: minierat me flotacion në Stan Tërg, minierat me flotacion në Kishnicë dhe Artanë, si dhe minierat me flotacion në Leposaviq, përkatësisht në Kopaonik.

Kujtojmë se në mëngjesin e së martës (22 janar) është djegur trafostacioni elektrik brenda objekteve të ndërmarrjes “Trepça”, me ç’rast shumë minatorë ishin në miniera, por të gjithë ata kanë arritur të dalin brenda pak kohe./ZERI