Amerikanët nuk heqin dorë përfundimisht nga financimi i 'Pendës së Kuçicës'

Ekonomia January 25, 2019 - 08:36
Lexoni detajet

Ndonëse në ditët e fundit kanë qarkulluar informacione se amerikanët janë tërhequr nga financimi i projektit të “Pendës së Kuçicës”, investitorët amerikanë sërish janë parë në Skenderaj, të hënën janë takuar me kryetarin Bekim Jashari dhe kanë premtuar ndërtimin edhe të një spitali rajonal, shkruan sot gazeta "Zëri".

Projekti i madh i ndërtimit të Pendës së Kuçicës, i iniciuar në kohën kur me Skenderajn kanë qeverisur Ramadan Gashi dhe Sami Lushtaku, ndërsa i riaktualizuar nga kryetari aktual i Skenderajt Bekim Jashari, mund të realizohet nëse investitorët amerikanë, të interesuar për ta financuar këtë projekt, do të jenë seriozë në premtimet e tyre që kanë dhënë para më shumë se tre muajsh.

Ndonëse në ditët e fundit kanë qarkulluar informacione se amerikanët janë tërhequr nga financimi i projektit të “Pendës së Kuçicës”, investitorët amerikanë sërish janë parë në Skenderaj, të hënën janë takuar me kryetarin Bekim Jashari dhe kanë premtuar ndërtimin edhe të një spitali rajonal. Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, sipas një njoftimi të zyrtarit për informim në komunën e Skenderajt Jeton Rushiti, ka thënë se amerikanët i kanë shtuar përpjekjet për realizimin e projektit të “Pendës së Kuçicës” (Jashari thotë “Penda e Drenicës”).

LEXO EDHE: BE: Vizat, të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë

Asnjëri nga anëtarët e delegacionit të investitorëve amerikanë nuk ka folur për investimin e mundshëm të projektit të “Pendës së Kuçicës” e as ndërtimin e një spitali rajonal, por këtë e ka bërë kryetari i Skenderajt Bekim Jashari.

“Çdo ditë e më tepër po shtojmë përpjekjet dhe hapat për realizimin e projektit më madhor që Skenderaj ka pas ndonjëherë – ‘Penda e Drenicës’, një projekt dhjetëra miliona euro, i cili do të zgjidhë përfundimisht problemin e ujit të pijshëm për së paku 200 mijë banorë. Vizita e sotme në Skenderaj e mikut tim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Cannon, një njeri i zoti në financa ndërkombëtare dhe bankier i dalluar investiv, është ekskluzivisht rikonfirmim i premtimit të tij për investim në dy projekte tejet të rëndësishme: ‘Penda e Drenicës’ dhe ndërtimi i një spitali rajonal. Vizita e tij e sotme (e hënë) në qytetin tonë, që shoqërohej edhe nga ish-sekretari i Brendshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Rayn Zinke, një ish-komandant i njësisë SEAL, i cili ka shërbyer në administratën e presidentit Trump (2017), Steven Lindgren – shkencëtar, si dhe nga djali i Danielit George Cannon, i cili në Kosovë po kryen shkollë për sistemin kibernetik, është e dyta brenda 3 muajve dhe tregon qartë seriozitetin për investime në Skenderaj. Në këtë mënyrë i kam njoftuar ata për potencialin dhe mundësitë që ofron komuna jonë sa u përket investimeve, duke potencuar në radhë të parë sigurinë në investime, si dhe të gjithë mbështetjen time për të bashkëpunuar në drejtim të realizimit të këtyre projekteve zhvillimore për qytetarët tanë”, ka thënë kryetari Jashari.

25 milionë metra kub ujë

“Penda e Kuçicës”, sipas ideatorëve të projektit, do të ndërtohet në vendin e quajtur “Kërshi i Dubeçakut” dhe shtrihet në komunën e Skenderajt dhe të Zubin Potokut. Parashikohet që gjerësia e pendës (liqenit) të jetë 200 metra, gjatësia 5 kilometra dhe thellësia 3 metra. Sipas projektit, në liqenin që do të krijohet në Kuçicë do të mblidhen 25 milionë metra kub ujë, ndërsa mbushja e tij do të zgjasë të paktën 3 deri në 4 vjet.

Kostoja e projektit, siç ishte precizuar, është 25 milionë euro, ndonëse tani janë bërë ndryshime dhe kostoja e projektit mund të jetë edhe më e lartë dhe të shkojë deri në 30 milionë euro. Gjatë realizimit të projektit nuk do të preket asnjë shtëpi e banorëve të Kuçicës, përveç të livadheve që gjenden në mes të dyja bjeshkëve, ku do të bëhet diga për ta ndalur ujin e lumit Klina, i cili buron në Stërmc të Epërm të Zubin Potokut. Në pjesën ku do të ndërtohet qendra rekreative-sportive sipas projektit janë parashikuar edhe objekte të karakterit hotelier.

“Penda e Kuçicës”, e iniciuar kur Komuna drejtohej nga Ramadan Gashi

Ndryshe, në vitin 2006 përfaqësues të një konsorciumi austriak kishin ardhur në Kuçicë me qëllimin që ta analizojnë gjithë hapësirën dhe të bisedojnë me autoritetet komunale të Skenderajt dhe me ato qendrore në Prishtinë për zbatimin e projektit.

Por e tëra kishte mbetur vetëm një tentim për të bërë diçka dhe projekti, ndonëse i iniciuar para më shumë se 12 vjetësh, ishte harruar krejtësisht dhe më nuk ishte aktual në asnjërin nga të tria mandatet e qeverisjes së Sami Lushtakut me Komunën e Skenderajt. E në kohën kur me Skenderajn ka qeverisur Ramadan Gashi projekti i “Pendës së Kuçicës” i iniciuar nga qeveria e tij komunale nuk kishte gjetur mbështetje financiare te Qeveria e Kosovës.

Deri atëherë të gjitha qeveritë kishin anashkaluar komunën e Skenderajt dhe sa për ilustrim në vitin 2007 buxheti që i është ndarë Komunës së Skenderajt për projekte kapitale ka qenë vetëm 50 mijë euro, ndërsa me ardhjen në pushtet të Hashim Thaçit dhe të Sami Lushtakut në krye të Skenderajt Qeveria e Kosovës ka investuar në Komunën e Skenderajt në projekte të ndryshme mbi 80 milionë euro.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, me ta marrë pushtetin në Skenderaj pati thënë se synon t’i realizojë projektet që i kontribuojnë drejtpërdrejt përmirësimit të jetës së qytetarëve e projekti i “Pendës së Kuçicës” është më kryesori dhe më i rëndësishmi.

“Ky projekt ka rëndësi të madhe për qytetarët e komunës sonë, sepse përveçqë siguron ujë të mjaftueshëm për pije, për ujitje të tokave, do të krijohen edhe vende të punës. Pjesa rekreative-sportive e projektit është diçka e veçantë që do të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit në komunën tonë”, ka thënë mes të tjerash kryetari Jashari./ZERI