Sallam 'Extra' e “Argeta' për minatorët e “Trepçës”

Ekonomia January 24, 2019 - 08:16
Lexo tjera detaje
Image

Në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) përmes një tenderi publik prej 124 mijë eurosh Zyra e Prokurimit e kompleksit metalurgjik “Trepça” po kërkoj të blejë produkte të specifikuara ushqimore për minatorët, si pashtetë “Argeta”, sallam “Extra” e rriskë gjedhi “Floren”, shkruan Gazeta "Zëri".

Produkte të speficikuara me emër si pashtetë “Argeta”, sallam “Extra” e rriskë gjedhi “Floren” po kërkon të blejë Zyra e Prokurimit e kompleksit metalurgjik “Trepça” për minatorët që punojnë në miniera.

Por, kriteret e vendosura duke specifikuar saktë emrin e produktit bien në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik, pasi që në këtë formë kufizohet konkurrenca, pasi që vetëm një prodhues i caktuar mund të merre pjesë në këtë proces prokurimi. Në dosjen e tenderit të cilën e ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se numri i përafërt i shujtave brenda 24 orëve është 220 copë. Aty më tutje thuhet se faturimi do të bëhet duke u bazuar në numrin e triskave të dorëzuara nga operatori.

“Dorëzimi i triskave nga operatori ekonomik do të behet një ditë prapa, respektivisht ditën e parë të punës, pas ditëve të vikendit ose ditëve të festes te zyrtari i autorizuar nga menaxheri. Triskat sigurohen nga ‘Trepça’”, thuhet në dosjen e tenderit, shkruan Gazeta "Zëri".

Sipas dosjes së tenderit, përgatitja e shujtave duhet të bëhet në kuzhinën e restorantit të punëtorëve të Industrisë Kimike, gjersa pajisjet e kuzhinës duhet të jenë të ofertuesit të përzgjedhur. Më tutje në dosje të tenderit thuhet se afërsisht 220 shujta në restorantin e punëtoreve të Industrisë Kimike të shpërndara në tri ndërrime (numër i vogël shujtash në ndërrimin e dytë dhe të tretë çdo ditë të javës e të shtunave dhe të dielave edhe në ndërrimin e parë - kryesisht vetëm për punëtorët e sigurisë fizike), prej tyre në Fabrikën e Pajisjeve të Procesit përafërsisht 41 punëtorë në ndërrimin e parë + 6 punëtorë të sigurisë fizike të shpërndarë në tri ndërrime.

Çka përmban shujta?

Më tutje në dosjen e tenderit të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se një shujtë duhet të përmbajë: Supë për çdo ditë dhe ajo duhet të jetë e ndryshme (Supë me mish pule të grimcuar dhe ve, supë me mish viçi të grimcuar dhe perime), gjellë në pjatë të thellë, si dhe sallatë - për çdo ditë do të jetë e ndryshme (sallatë e përzier - përmban sallatë të gjelbër, tranguj, domate, spec dhe qepë, sallatë me domate - përmban domate, qepë dhe ullinj, sallatë - përmban tranguj, lakër, qepë, spec djathë, sallatë shope - përmban domate, tranguj dhe djathë), si dhe 250 gramë bukë për shujtë.

“E hënë: Fasule me 100 gramë mish, supë, sallatë, bukë, makarona me 100 gramë mish, supë, sallatë e bukë.

E martë: Gjyveç me mish, 100 gramë mish, supë, sallatë, speca të mbushur me mish, 100 gramë mish me sos, supë, sallatë e bukë.

E mërkurë: Gullash me 100 gramë mish dhe pire, supë, sallatë, sarma me 100 gramë mish, supë, sallatë e bukë.

E enjte: Patate me mish, me 100 gramë mish, supë, sallatë, oriz me mish pule, 150 gramë, supë, sallatë, bukë, si dhe e premte: Gullash me 100 gramë mish, supë, sallatë, lakra me 100 gramë mish, supë, sallatë e bukë”, thuhet në dosjen e tenderit.

Derisa ndërrimit të dytë dhe të tretë ditëve të vikendit dhe festave do t’u shërbehet ushqim i thatë si më poshtë: “Në paketim mund të ketë: Rriskë gjedhi ‘Floren’ 200 gramë ose pashtetë ‘Argeta’, ose sallam ‘Extra’ 400 gramë, 2 jogurtë 1.8 dl, me yndyrë 3,2% dhe 250 gramë bukë”, thuhet më tutje./ZËRI