Shtesat e fëmijëve, mbetet e paqartë kur do t'i marrin

Shtesat e fëmijëve, mbetet e paqartë kur do t'i marrin

Ekonomia janar 23, 2019 - 17:16
Lexo Detajet

Fëmijët kosovarë duket se do të mbesin pa shtesa edhe këtë vit. Ndonëse ishte paralajmëruar që ndarja e tyre të fillojë nga janari i këtij viti, duket se kjo çështje është lënë në harresë. Ende askush nuk po e di datën kur fëmijët do të fillojnë të marrin “pagat” e tyre. Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies, përgjegjëse për hartimin e legjislacionit për shtesat nuk po flasin për këtë temë.

Ishte premtuar se në fund të janarit, fëmijët në vend do të merrnin nga 10 euro. Por, tash është vënë në pikëpyetje nëse këto shtesa do të ndahen këtë vit.

Askush nuk po e di muajin, kur këto para do të kalojnë në xhirollogaritë e fëmijëve.

Deputetja që e kishte propozuar këtë rezolutë, Donika Kadaj-Bujupi i ka thënë Gazetës se Kryeministri i ka kërkuar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që të prioretizojnë legjislacionin në mënyrë që zbatimi i shtesave të filloj këtë vit.

Por, nuk e di se kur këto shtesa do të fillojnë të ndahen për fëmijët.

“Sikurse çdo rezolutë, edhe kjo për shtesat e fëmijëve i është nënshtruar rregullave proceduriale. Fillimisht, ka kaluar përmes votimit, pastaj është përcjellur në Qeveri, Kryeministri tutje e ka dërguar për procedim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Këtyre të fundit, Kryeministri Haradinaj iu ka kërkuar që të prioterizojnë legjislacionin në mënyrë që zbatimi i shtesave të filloj këtë vit, ashtu siç parashihet edhe në rezolutë”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Deputetja Kadaj-Bujupi thotë se ndonëse shtesat nuk janë të mjaftueshme, ato janë të domosdoshme.

“Shtesat në vetvete tregojnë se shteti nuk është thjesht spektator por është më shumë aty për nevojat e qytetarëve. Ndonëse shtesat janë të pamjaftueshme ashtu siç janë sot, nëse i shohim në një aspekt kohor më të gjatë, ato janë të domosdoshme”, ka thënë ajo.

Deklaron se ashtu sikurse çdo skemë tjetër lehtësuese, edhe shtesat mendohen të rriten. 

“Sinkron me rritjen e buxhetit shtetëror, ashtu sikurse çdo skemë tjetër lehtësuese, edhe shtesat paramendohet të rriten. Shtesat në kuptimin afatgjatë, do të krijojnë siguri për familjet dhe do të kenë karakter lehtësues për planifikimin familjarë. Tani për tani, ne jemi të lumtur që kemi vënë themelet e një sistemi që mendon për familjet e fëmijët e Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Kadaj-Bujupit drejtuar Express.

E se kur do të kalojnë këto para në xhirollogaritë e fëmijëve, këtë nuk po e dijnë as në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Gazeta ka dërguar pyetje në MPMS, që të marrë informacione nëse kjo rezolutë është hartuar në ligj, dhe se sa i kushtojnë shtesat e fëmijëve buxhetit të shtetit, por në këtë Ministri kanë zgjedhur të heshtin.

E përderisa kjo rezolutë nuk hartohet në legjislacion, atëherë është e pamundur të përfshihet në buxhetin e këtij viti, i cili ka kaluar në lexim të parë pa i përfshirë këto shtesa dhe se ka pak hapësirë nëse ato do të jenë pjesë e buxhetit kur ai të vendoset për votim në lexim të dytë.

Kjo rezolutë vlerësohet se do të marrë kohë derisa të përpilohet në ligj dhe se me shumë mundësi do të jetë e gatshme për vitin e ardhshëm, por jo për këtë vit.

Në të pritet të përfshihen disa kategorizime se si do të shpërndahen këto paga, duke marrë parasysh statusin financiar të fëmijëve.

Ndryshe, përfitimet materiale për fëmijët ka qenë premtimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sikurse partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit. Kurse, ish-kryetari i Partisë Demokratike tashmë president i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte premtuar 300 euro për çdo fëmijë të sapolindur, premtim ky që nuk është realizuar asnjëherë.