Hyseni: Taksa - veprim i qëlluar, BE-ja të bëjë presion te Beogradi

Hyseni: Taksa - veprim i qëlluar, BE-ja të bëjë presion te Beogradi

Ekonomia janar 23, 2019 - 12:02
Lexo tjera detaje

Taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake do të vazhdojë të aplikohet, ndonëse për heqjen e saj dje u diskutua në një takim të zhvilluar mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan Philip Kosnett, shkruan Gazeta "Zëri".

Teksa ka folur rreth taksës së vendosur ndaj produkteve serbe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka thënë se vendimi i Qeverisë për vendosjen e tarifës ka qenë i qëlluar. “Unë vazhdoj të mendoj që vendosja e taksës ndaj produkteve serbe ka qenë një veprim i duhur në kohën kur kjo taksë është vendosur. Nga pikëpamja ekonomike mund ta trajtojmë kështu e ashtu, por si vendim politik kujtoj që ka qenë vendim i qëlluar”, ka deklaruar Hyseni për “Zërin”.

Meqë sipas tij tarifa në fjalë nuk është një vendim që mund të jetë i përjetshëm, Qeveria e Kosovës duhet që ta analizojë situatën dhe të vendosë nëse taksa do të hiqet ose jo. “Taksa nuk është një veprim i cili do të ngrihet e do të betohet përgjithnjë dhe natyrisht i mbetet Qeverisë e kryeministrit ta vlerësojnë më së miri se sa do të qëndrojë ajo taksë dhe a do të hiqet ose kur do të hiqet”, ka shtuar ai.

Ndërkohë ka konsideruar se Bashkimi Evropian (BE) duhet të bëjë presion te Serbia, pasi që, ashtu siç Hyseni është shprehur, Serbia është ajo e cila ka dështuar në secilën përpjekje për të dialoguar me Kosovën.  

“Qeveria e Kosovës me miqtë, me aleatët e saj duhet të bisedojë shtruar dhe të argumentojë fuqishëm. Në parim them që BE-ja duhet të ushtrojë presion shumë më të madh mbi Beogradin, sepse është vendi ku duhet të bëhet presion e jo Kosova në këtë rast. Beogradi është pala që ka dështuar në çdo përpjekje të dialogut me Kosovën, jo Kosova”, ka potencuar ai, duke thënë se problemi është në Serbi e jo në Kosovë./ZËRI