Ndërmarrjet publike, 618 milionë € të hyra, 44 milionë € humbje!

Ekonomia January 23, 2019 - 08:06
Lexo tjera detaje
Image

Sipas një hulumtimi të gazetës “Zëri” ndërmarrjet Publike kosovare vetëm për dy vite i kanë humbur 44 milionë euro, pa i përfshirë këtu edhe subvencionet qeveritare, ndonëse kanë pasur të hyra prej hiç më pak se 618 milionë euro, shkruan Gazeta Z"ëri".

Rreth 620 milionë euro të hyra nuk i kanë mjaftuar kompanive publike të Kosovës që t’i përmbyllin vitet pa humbje. Sipas një hulumtimi të gazetës “Zëri” përgjatë dy viteve(2017, 206) kompanitë publike të Kosovës kanë raportuar humbje prej 44 milionë euro, ndonëse kanë pasur të hyra në vlerë prej jo më pak se 618 milionë euro. Bazuar në dokumentet që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se për të mbajtur “gjallë” 16 ndërmarrje publike (NP) sa operojnë në vendin tonë në forme të formë të subvencioneve, këto ndërmarrje njëkohësisht Qeveria i ka përkrahur me 24 milionë euro. “Qeveria përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ka mbështetur me mjete financiare Ndërmarrjet Publike Qendrore e Lokale me buxhet të përgjithshëm prej 9.6 milionë euro, nga të cilat për projekte kapitale 4.6 milion euro ndërsa për implementim të politikave qeveritare - subvencione prej afro 5 milion euro, deri sa gjatë vitit 2016 janë përkrahur me 14 milionë e 562 mijë euro”, thuhet në raportin e vlerësimit të përformancës së Ndërmarrjeve Publike të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, shkruan Gazeta "Zëri".

Telekomi, 65 milionë euro humbje

Në raportin e vlerësimit të performancës së NP-ve thuhet se gjatë viteve 2017 dhe 2016 Telekomi i Kosovës ka realizuar të hyra prej 147 milionë eurove, por pavarësisht të hyrave të larta vitin 2016 e ka mbyllur me 50.9 milionë euro humbje, derisa vitin 2017 me 13.9 milionë euro humbje. Në raport thuhet se Telekomi i Kosovës gjatë vitit 2017 ka më pak të hyra se në vitin paraprak për rreth 6%. “Ndërsa te shpenzimet shohim që kemi një diferencë shumë të madhe dhe kjo vjen nga shuma e vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, që vendosi që TK-ja t’ia paguajë kompanisë ‘Devolli’, pronare e ‘Z-Mobile’, një shumë rreth 30 milionë euro.

Mirëpo, edhe pa vendimin e Tribunalit TK-ja edhe këtë vit ka rezultuar me një performancë negative, ku ka performuar me një humbje prej rreth 13.9 milionë euro dhe kjo si rezultat i shumë faktorëve, siç janë: shpenzimet e mëdha (marrëveshje ose kontrata të pafavorshme), numri i madh i punonjësve me paga të larta, mungesa e një bordi mbikëqyrës, konkurrenca etj.”, thuhet në raportin e MZHE-së, shrkuan Gazeta "Zëri"

Posta, 3.5 milionë euro humbje për dy vjet

Po ashtu me humbje vitin 2016 dhe 2017 i ka mbyllur edhe Posta e Kosovës. Duke u bazuar në dokumentet e siguruara shihet se gjatë këtyre dy vjetëve Posta ka realizuar të hyra prej 24 milionë eurosh, por shpenzimet kanë qenë për 3.5 milionë. “Posta e Kosovës gjatë vitit afarist 2017 e përmbylli vitin me një humbje financiare vjetore prej 1.9 milion eurosh. Nga të dhënat shihet qartë që kemi një rënie te të hyrat, ndërsa shpenzimet nga viti 2016 janë pothuajse të njëjta. Për sa i përket planifikimit, kemi një të hyrë e cila nuk është realizuar nga Qeveria dhe me anë të së cilës kjo ndërmarrje planifikonte të mbulonte shpenzimet nga shërbimi universal postar dhe në fund të vitit të dilte me një humbje më të vogël. Duke u bazuar në Ligjin mbi Shërbimet Postare, Posta e Kosovës obligohet që për 0.30 cent të dërgojë dërgesën postare deri në zonat më të thella rurale në Kosovë. Për këtë shërbim Posta krijon humbje financiare, sepse e krahasuar me të hyrat nga ky shërbim, shpenzimet janë shumë më të mëdha. Ligji mbi Shërbimet Postare përcakton që nëse Posta punon me humbje për ta ofruar këtë shërbim, Qeveria përmes një marrëveshjeje mes MZHE-së dhe Postës të bëjë mbulimin e këtyre shpenzimeve”, thuhet në raportin e vlerësimit të performancës së NP-ve, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”. Aty më tutje në raport thuhet se Posta e Kosovës është njëra ndër përfitueset e mjeteve financiare që Qeveria e Kosovës i ndan për ndërmarrje të caktuara, të cilat kanë nevojë për investime kapitale.

“Iber Lepenc”-i, 8.5 milionë euro humbje për dy vjet

Duke u bazuar në të dhënat e siguruara nga raporti i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik shihet se NP-ja “Iber Lepenc” gjatë vitit 2017 ka pasur të hyra prej 4.2 milionë eurosh, derisa shpenzimet kanë arritur në 8.3 milionë euro e një vit më herët të hyrat kanë qenë 3.8 milionë euro, derisa shpenzimet 8.2 milionë euro.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik shihet se në gjendje jo të mirë financiare është edhe ndërmarrja tjetër publike “Infrakos”, ku vitin 2017, por edhe atë 2016 i ka mbyllur me bilanc vjetor negativ. Të hyrat totale të Ndërmarrjes gjatë vitit 2017 kanë qenë 3 milionë e 746 mijë euro, derisa këtë vit shpenzimet kanë arritur në 3 milionë e 836 mijë euro, ose 90 mijë euro më shumë sesa të hyrat, derisa gjatë vitit 2016 të hyrat kanë qenë 2.9 milionë euro, shpenzimet 3.9 milionë euro, derisa humbja ka arritur në 1 milion euro. Po ashtu edhe ndërmarrja tjetër publike “Trainkos” vitin 2017 e ka mbyllur me 114 mijë euro fitim, derisa vitin 2016 kjo ndërmarrje publike e ka mbyllur me 1.5 milion euro humbje.

KEK-u, 31 milionë euro fitim

Sipas raportit të vlerësimit të performancës së NP-ve të hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik shihet se prej NP-ve qendrore vetëm Korporata Energjetike e Kosovës vitin 2016 dhe 2017 i ka mbyllur me 31 milionë euro profit. “Korporata Energjetike e Kosovës gjatë vitit 2017 ka performuar suksesshëm në aspektin financiar. Korporata ka regjistruar një rezultat neto pozitiv për vitin që ka përfunduar më 31 dhjetor 2017 në shumën prej 20.9 milionë €. Të hyrat operative totale të realizuara për vitin 2017 janë në shumën prej 172.2 milionë € dhe janë më të larta për 2.9 milionë €, të krahasuara me vitin 2016, ose 1,7%. Gjithsej shpenzimet operative për vitin 2017 janë realizuar në shumën prej 151.2 milionë € e që duke e krahasuar me 158.3 milionë € të vitit paraprak janë më të ulëta për 7.1 milionë €, ose shprehur në përqindje 4,7% më e ulët”, thuhet në raportin e MZHE-së.

 

Telekomi i Kosovës

Viti                              2017                            2016

Të hyrat                       71.282.000                  75.748.000

Shpenzimet                 85.186.000                  126.679.000

Fitim / Humbje          -13.904.000                 -50.931.000    

 

Posta e Kosovës

Viti                              2017                            2016

Të hyrat                       11.854.000                  12.213.000

Shpenzimet                 13.797.000                  13.798.000

Fitim / Humbje          -1.943.000                   -1.585.000

 

Korporata Energjetike e Kosovës

Viti                              2017                            2016

Të hyrat                       172.242.000    169.390.000

Shpenzimet                 151.295.000                158.355.000

Fitim / Humbje          20.983.000                  11.035.000

                                    0

 

Infrakos

Viti                              2017                            2016

Të hyrat                       3.746.000                    2.931.000

Shpenzimet                 3.836.000                    3.947.000

Fitim / Humbje          -90.000                        -1.016.000

Trainkos

Viti                              2017                            2016

Të hyrat                       4.170.000                    3.159.000

Shpenzimet                 4.056.000                    4.659.000

Fitim / Humbje          114.000                       -1.500.000

Ibër Lepenc

Viti                              2017                            2016

Të hyrat                       4.204.000                    3.882.000

Shpenzimet                 8.381.000                    8.277.000

Fitim / Humbje          -4.177.000                   -4.395.000