Ja kur do të jepen shtesat për fëmijët sipas qeverisë

Ekonomia January 19, 2019 - 21:00
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Fëmijët kosovarë nuk do t’i marrin shtesat këtë vit, siç u premtua. Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk është hartuar në ligj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe rrjedhimisht me këtë vonesë nuk do të mundë të përfshihet as në buxhetin e vitit 2019, kur të dalë në votim, shkruan sot gazeta "Zëri".

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Haki Shatri, ka thënë për gazetën “Zëri” se është pothuajse e pamundur shpërndarja e shtesave për fëmijët në këtë vit. Shatri ka përmendur shumë faktorë që do ta pengonin këtë çështje, ndër ta edhe mospërfshirja e kësaj rezolute në buxhetin e vitit 2019.

“Buxheti i këtij viti është miratuar në Qeveri pa këtë komponentë, pastaj ka shkuar në Kuvend dhe është miratuar në lexim të parë, tash është në proces të amendamentimit për lexim të dytë dhe të shohim grupet parlamentare çka do të propozojnë të vendosin për lexim të dytë, por nuk mendoj që kanë arritur ndonjë dakordim që kjo çështje të zërë vend në buxhetin e këtij viti”, është shprehur Shatri.

Shatri thotë se shpërndarja e shtesave është e mundur për vitin e ardhshëm vetëm pasi që rezoluta të bëhet ligj.

LEXO EDHE: Fëmijët nuk do të marrin shtesa këtë vit

“Unë mendoj që do të ishte optimale në qoftë se brenda këtij viti do të arrijë të përgatitet legjislacioni primar dhe kur të përgatitet ai legjislacion bëhet obligativ që në buxhetin e vitit të ardhshëm patjetër të parashihet. Buxheti sipas rregullave nuk përmban në vete asnjë obligim që nuk ka bazë ligjore, kjo ka qenë një rezolutë, por nuk e ka pasur bazën ligjore, kështu që nuk mundet Ministria e Financave ta japë pajtimin pa u bërë ligj dhe kur të bëhet ligj ata do të jenë të obliguar ta përfshijnë në buxhet”, deklaroi ai.

Shatri ka thënë se hartimi i rezolutës në ligj nuk është çështje e thjeshtë, ka shumë komplikime në të dhe se pritet të marrë pak kohë.

“Për të zënë vend në një ligj kjo rezolutë merr pak kohë, sepse përveç Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet harmonizim edhe me Ministrinë e Financave që ata ta analizojnë vlerën dhe koston e atij ligji. Pra, është një procedurë bukur e komplikuar për shkak edhe të presionit prej institucioneve financiare ndërkombëtare”, theksoi Shatri./ZERI