Paralajmërohet një investim 7-milionësh në Vushtrri

Ekonomia January 19, 2019 - 08:20
Lexo tjera detaje
Image

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) në konferencën e fundvitit ka paralajmëruar një investim serioz në komunën e Vushtrrisë në vitin 2019, ku do të punësohet 150 punëtorë. Investitor është kompania polake “Bisek”, e cila ka hulumtuar për xehen e magnezitit në Dubovc dhe në Galicë, shkruan Gazeta "Zëri".

Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) në mbledhjen e fundvitit ka paralajmëruar një investim serioz në komunën e Vushtrrisë në vitin 2019. Sipas Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, një kompani e huaj do të investojë në vitin 2019 rreth 7 milionë euro për pesë vjet, ndërsa resurs kryesor është magneziti, por edhe resurset tjera që do të dalin pas hapjes së minierës. Sipas KPMM-së, pritet të punësohen 150 punëtorë.

Gazeta ka mësuar se bëhet fjalë për një kompani nga Polonia, e cila ka paralajmëruar se do të rifunksionalizojë minierën e magnezitit në Dubovc. Zyrtarët e kësaj kompanie kanë vizituar dy herë Komunën e Vushtrrisë dhe janë dakorduar me zyrtarët komunalë që të fillohet me punët që duhet bërë në riaktivizimin e minierës. Gjithashtu zyrtarë të kësaj kompanie kanë biseduar edhe me banorët lokalë, tokat e të cilëve do të shfrytëzohen për eksploatimin e xehes.  

Miniera do të aktivizohet sërish

Miniera e magnezitit në Dubovc të Vushtrrisë, që është njëra nga minierat më të vjetra në Kosovë, do të aktivizohet sërish pasi një kompani polake ka shprehur interesimin për të investuar në këtë minierë dhe për të rifilluar prodhimin e kësaj xeheje. Me investitorët e kompanisë polake “Bisek”, njëra nga kompanitë lidere në Evropë në këtë fushë dhe me banorët e Galicës dhe të Dubovcit është biseduar për investimet që do të bëhen.

“Vlera e investimit është 5 milionë euro brenda 7 vjetëve të para. Nga ky investim pritet të krijohen mbi 100 vende të reja të punës. Qeveria ka aprovuar shpronësimin e pronave të banorëve”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se Komuna e Vushtrrisë është e përkushtuar për të krijuar ambient të sigurt për investime te huaja.

Përfaqësuesit e kompanisë polake “Bisek” interesimin për riaktivizimin e minierës në Dubovc të Vushtrrisë e kanë shprehur për herë të parë në dhjetorin e vitit 2016, derisa kryetar i Komunës së Vushtrrisë ishte Bajram Mulaku. Përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë thënë se paraprakisht është bërë një hulumtim në atë pjesë dhe se është konstatuar se ka rezerva të mëdha të kësaj xeheje që janë të koncentruara kryesisht në Galicë dhe në Dubovc

Do të punësohen 150 punëtorë

Zyrtarët e kompanisë së njohur “Bisek” nga Polonia patën deklaruar pas hulumtimeve që kishin bërë se xehja e magnezitit është shumë e koncentruar në fshatrat Dubovc dhe Galicë dhe se është në interes të banorëve të Vushtrrisë, por edhe të të gjithë Kosovës që miniera të rifillojë me prodhimin e kësaj xeheje.

“Ne jemi të interesuar që këto resurse të pasura që shtrihen në mbi 50 hektarë t’i shfrytëzojmë, ku do të përfitojnë materialisht pronarët e tokave, por edhe përmes punësimit”, patën thënë ata, duke shtuar se nëse arrihet ujdia me pronarët për shpronësimin e tokave të tyre fillimisht do të punësohen rreth 150 punëtorë, kryesisht familjarë të pronarëve të tokave që do të shpronësohen.

Fajësojnë gjykatat

Në anën tjetër, në konferencën e fundvitit Bordi i KPMM-së ka fajësuar gjykatat për shkak se, siç kanë thënë, nuk kanë vepruar ndaj operatorëve ilegalë, ndaj të cilëve KPMM-ja ka ngritur kallëzime penale. Gjykatat, ndonëse janë një hallkë e rëndësishme për luftimin e korrupsionit, si kusht për integrime evropiane dhe liberalizim të vizave, vazhdimisht janë kritikuar nga shoqëria civile dhe institucionet tjera, ndërsa së fundi edhe nga zyrtarët e KPMM-së në konferencën e fundvitit.

Sipas zyrtarëve të KPMM-së, me gjithë punën dhe angazhimin e inspektorëve për të gjetur dhe mbyllur vendet e operuesve ilegalë dhe ngritjes së kallëzimeve penale, mosveprimi i gjykatave ose dënimet tepër të ulëta bëjnë që operuesit ilegalë të vazhdojnë punën. Bordi ka konstatuar se gjatë vitit 2018 bashkë edhe me Ministrinë e Mjedisit dhe me Policinë e Kosovës kanë konfiskuar 14 kamionë të operuesve ilegalë, si dhe 97 aktiviteteve ilegale u janë vendosur shirita për ndalim të menjëhershëm të punës.

“Nga kjo ka rezultuar që KPMM-ja në vitin 2018 ka dorëzuar në Prokurori 84 kallëzime penale kundër operuesve ilegalë. Këtu shihet se KPMM-ja ka shtuar angazhimin kundër operuesve ilegalë, sepse në vitin e kaluar kishim 76 kallëzime penale, kurse në vitin 2016 41 kallëzime penale”, kanë thënë zyrtarët e KPMM-së në konferencën e fundvitit, sipas së cilëve nga aktivitetet ilegale nxirret kryesisht zhavorri, nga i cili ndërtohen rrugët nëpër Kosovë dhe për shkak të cilësisë së dobët ato rrugë prishen shumë shpejt. Sipas Bordit të KPMM-së, gjatë vitit 2018 janë mbledhur mbi 25 milionë të hyra nga renta minerale, respektivisht nga resurset minerale që janë shfrytëzuar.