Ja sa e paguajnë kamenicasit kompaninë e themeluar para 1 muaji për viza kroate

Ekonomia January 15, 2019 - 22:46
Lexo tjera detaje

Mungesa e vendeve të reja të punës dhe pagat e ulëta në Kosovë, kanë bërë që të rinjtë e komunës së Kamenicës të shfrytëzojnë çdo mundësi që të largohen nga vendi tyre.

Destinacioni kësaj radhe është Kroacia, përmes vizave një vjeçare të punës.

Një 24 vjeçar nga kjo komunë, tha prapa kamerës për KALLXO.com se dëshiron të largohet, pasi nuk sheh të ardhme në Kosovë.

“Unë kam dëshiroj të shkojë në Kroaci sepse dy shokët e mi janë atje, kanë shkuar para 1 jave dhe më thanë se është mirë. Janë duke punuar, pse mos të shkojë edhe unë për një të ardhme më të mirë”, tha ai.

Një 29 vjeçar tjetër nga kjo komunë, tha se Kosova po e humb rininë për shkak të mos hapjeve të vendeve të punës.

“Tregoni atyre qeveritarëve tanë se është duke e humbur rininë. Ata janë duke e humbur jo ne. Ata [Qeveria] nuk po na e dinë vlerën neve, sepse as nuk po hapin vende të reja të punës”, tha ky ri nga Kamenica prapa kamerës së KALLXO.com.

KALLXO.com ka vizituar edhe kompaninë “Eja Punësohu” në këtë komunë që po ua ‘mundëson’ këtyre të rinjve ikjen drejt shtetit të Kroacisë.

Kjo kompani është regjistruar në dhjetor të vitit të kaluar, saktësisht më 6 dhjetor 2018.

Si vepmritari primare në Agjencionin për Regjistrimin e Biznesve kjo kompani del se ka ‘Aktivitet e agjencive të punësimit’.

Pronarë të saj në ARBK, figurojnë dy persona, derisa njëri prej tyre, Flamur Klaiqi edhe si drejtor dhe person i autorizuar.

“Shuma për aplikim kushton 100 euro. Nuk duhet të kesh ndalesë për me udhëtu në Evropë ose ndonjë problem këtu, sepse përndryshe të refuzohet, një kopje të letërnjoftimit dhe një foto të vogël”, kështu i përshkruan kriteret për një vizë pune një vjeçare në Kroaci, punëtorja e agjencionit “Eja Punësoho” në Kamenicë.

Drejtori i këtij agjencioni, Flamur Klaiqi ka treguar për KALLXO.com se biznesin e tij e ka hapur këtë vit në mënyrë ligjore. Ai shtoi se nëse personat që aplikojnë nuk marrin vizë pune, paratë do t’u kthehen atyre.

“Ne i garantojmë atij aplikuesi, e bëjmë një kontratë që në rast se nuk ia gjemë një punë, atëherë paratë i kthehen prapa, këto të gjitha shkojnë përmes bankës. Asnjë moment nuk i ik tatimit dhe asnjë moment përgjegjësisë time nuk i ik. Për këtë kam përgjegjësi të madhe”, tha ai për KALLXO.com

Klaiqi shtoi se interesimi është shumë i madh dhe se ata që kërkojnë viza janë të moshave të ndryshme.

“Ka të shumë moshave të ndryshme, nuk kanë përparësi të Kamenicës e as të Prishtinës e Prizrenit, këtu kanë përparësi ata që kanë profesione, zanate që kërkohen atje, ne hulumtojmë për zanate. Nëse na vjen një aplikues që e ka atë zanat, atëherë mundemi me ndal”, tha tutje ai.

Pronari i këtij agjencioni, Flamur Klaiqi tha për KALLXO.com se autobusët e nisur javë më parë drejt Kroacisë nuk kanë qenë të kompanisë së tij.

“Ne tash si agjencion kemi filluar punën në mënyrë të rregullt, që kemi startu në 2019, sepse është bërë pak bujë me këto portale, por këta autobusë që kanë shkuar në Kroaci nuk kanë shkuar prej meje, asnjë. Ka ekzistu një zyre tjetër këtu, por jo e imja”, tha Klaiqi për KALLXO.com.

E për zyrtarë të komunës së Kamenicës, kjo ikje e të rinjve është shqetësuese, por se sipas tyre janë disa faktorë që këta kanë vendosur të largohen.

“Kemi parë largimin e të rinjve të Kamenicës me viza të punës në Kroaci. Fatkeqësisht kjo është shqetësuese por jo e papritur, trendi i ikjes së të rinjve nga komuna e Kamenicës është trend i ikjes së përgjithshme të rinisë nga Kosova. Fatkeqësisht mungesa e vende të reja të punës dhe humbja e shpresës janë arsyet kryesore, e arsyet për këto po besojmë që i dimë të gjithë”, tha Margarita Rashiti, zyrtare për Informim në këtë komunë.

Ndryshe, ditë më parë nga komuna e Kamenicës ishin nisur një numër i madh qytetarëve drejt Kroacisë.

Kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Kosovës dëshirojnë të largohen nga vendi për t’u punësuar jashtë vendit përmes agjencioneve.

Edhe muaj me parë një kompani gjermane në Prizren, kërkonte rreth 2000 mijë vende pune, e edhe aty interesimi ishte i madh.