400 mijë euro për paga të aeroportit jofunksional
Foto: Laura Hasani

400 mijë euro për paga të aeroportit jofunksional

Ekonomia janar 15, 2019 - 08:37
Lexo Detajet
Image

Gjatë tre vjetëve të fundit për pagesa të menaxhmentit, të bordit, por edhe të disa punëtorëve të angazhuar për Aeroportin jofunksional të Gjakovës nga buxheti i shtetit janë shpenzuar hiç më pak se 382 mijë euro. Vetëm gjatë vitit 2016 për kompensime të anëtarëve të bordit dhe të komisioneve të auditimit u shpenzuan 41,200 euro, shkruan gazeta "Zëri".

Shuma të konsiderueshme të parave të buxhetit të shtetit edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për paga të menaxhmentit, të anëtarëve të bordit, por edhe të disa punëtorëve të angazhuar në aeroportin jofunksional të Gjakovës. Aeroporti i Gjakovës është ndërtuar që pas Luftës së Dytë Botërore për nevoja të agrikulturës, kurse në vitet e ’90-ta ka pushuar së funksionuari.

LEXO EDHE: Grevë deri në plotësimin e kërkesave të mësimdhënësve

Menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë Aeroporti i Gjakovës i është dhënë në shfrytëzim KFOR-it italian, të cilët kanë investuar në ndërtimin dhe në funksionalizimin e saj. Kurse më datë 18 dhjetor 2013 Aeroporti i Gjakovës i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës si donacion nga Forcat Ajrore Italiane. Më datë 28.03.2014 Qeveria e Kosovës kishte themeluar ndërmarrjen publike “Aeroporti i Gjakovës”, ku pas emërimit të Bordit në shtator të vitit 2015 kjo ndërmarrje ushtron veprimtarinë e saj si shoqëri aksionare. Duke u bazuar në dokumentet e siguruar nga gazeta “Zëri” shihet se nga vitit 2015 e këndej për këtë ndërmarrje publike nga shteti i është ndarë një buxhet prej rreth 700 mijë eurosh, ku rreth 200 mijë janë shpenzuar për paga dhe për shpenzime tjera operative, derisa pjesa tjetër prej rreth gjysmë milioni është llogaritur si zhvlerësim i ndërmarrjes.

680 mijë euro buxhet në vitin 2017

Në raportin e vlerësimit të performancës së hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) për vitin 2017 thuhet se ndërmarrja publike qendrore Aeroporti i Gjakovës ende nuk ka krijuar të hyra nga veprimtaria e saj. “Si peng e këtij fakti kjo ndërmarrje ka arritur që përmes të hyrave nga subvencioneve të pranuara nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës t’i mbulojë shpenzimet operative të krijuara gjatë vitit 2017”, thuhet në raportin e siguruar nga gazeta “Zëri”.

Aty më tutje thuhet se në Aeroportin e Gjakovës janë të punësuar 19 punëtorë në administratë dhe në sigurimin e objektit. “Meqënëse nuk ushtron ndonjë afarizëm, ajo nuk ka punëtorë të tjerë. Menaxhmenti i Aeroportit të Gjakovës është i përbërë nga 50% femra dhe 50% meshkuj. Ndërsa Bordi i Drejtorëve ka në përbërje 2 femra dhe 3 meshkuj”, thuhet më tutje në raportin e vlerësimit të performancës për këtë ndërmarrje publike qendrore.

Sipas dokumentet të MZHE-së shihet se të hyrat e Aeroportit gjatë vitit 2017 kanë qenë 680 mijë euro, ku nga kjo shumë 175 mijë euro janë të hyra në emër të subvencioneve, derisa pjesa tjetër prej 505 mijë eurosh janë të hyra nga grantet e Qeverisë së Kosovës.

Tremujori i tretë i këtij viti, intensiv për menaxhmentin

Ndonëse është jofunksional dhe si i tillë është shndërruar në barrë për buxhetin e shtetit, në një raport të punës për tremujorin e tretë të këtij viti të hartuar nga kryeshefja Vlora Gojani thuhet se ky tremujor ka qenë intensiv lidhur me finalizimin e biznesplanit për tre vjetët në vijim të Aeroportit të Gjakovës. “Gjatë këtij tremujori janë kryer pjesërisht aktivitetet e planifikuara të raportuara në periudhën e tremujorit të kaluar. Planifikimet dhe raportimet janë dorëzuar brenda afateve kohore nga ana e menaxhmentit të Aeroportit të Gjakovës, plani i biznesit 2019 – 2021, raporti TM3 2018 përfshin të gjitha aktivitetet e implementuara gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, koston e aktiviteteve, vazhdimësinë, të gjitha sfidat gjatë implementimit dhe aktivitetet e shpenzimet e planifikuara për periudhën në vijim”, thuhet në raportin tremujor.

Më tutje në të njëjtin raport thuhet se Aeroporti Gjakovës nuk mund të raportojë për afarizëm ose për ndonjë të hyrë të realizuar. “Kjo ka të bëjë me limitimet në veprimtari që i atribuohet ndërmarrjes dhe rrethanave të paparashikueshme lidhur me funksionalizimin e saj. Aksionari është njoftuar përmes raporteve në vazhdimësi mbi performancën financiare dhe situatën e ndërmarrjes dhe priten ndryshime konform vendimeve strategjike të aksionarit.

Humbje për shkak të mungesës së sigurisë

Por, pavarësisht angazhimit të punëtorëve për të ruajtur Aeroportin e Gjakovës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar raste të vjedhjeve që kanë ndodhur në mungesë të sigurisë. Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2017 thuhet se sipas Nenit 8 të Statutit, Aeroportit është përgjegjës për pronësinë, asetet, pasurinë, menaxhimin, operimin dhe mirëmbajtjen e ndërmarrjes dhe duhet të nxjerrë rregullore që përmbajnë dispozita për administrimin dhe funksionimin e ndërmarrjes. Por, sipas Auditorit aeroporti nuk kishte nxjerrë rregullore për menaxhimin dhe për ruajtjen e pasurive nga humbjet dhe dëmtimi i tyre. “Duke u bazuar në raportet e menaxhmentit ne kemi vërejtur që kishin ndodhur vjedhje dhe dëmtime të aseteve (600 metra kabllo me katër fije) që ishin në posedim të Aeroportit. Kjo për shkak të masave të pamjaftueshme të kontrollit të brendshme në ruajtjen dhe në sigurimin e aseteve të Aeroportit. Mungesa e nxjerrjes së një rregulloreje për menaxhimin e pasurive të Aeroportit rrit rrezikun e keqmenaxhimit, keqpërdorimit, dëmtimit dhe humbjes së pasurive”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se Aeroporti ka hartuar dhe ka miratuar një rregullore për menaxhimin dhe për mbikëqyrjen e pasurive dhe të hapësirave të Aeroportit, që të arrihet mirëmenaxhimi i pasurive dhe mbrojtja nga humbja e dëmtimi i tyre./ZERI/