10 milionë euro për asfalt

Ekonomia January 14, 2019 - 09:19
Lexo detajet
Image

Gjatë vitit 2018 Komuna e Drenasit për ndërtim të rrugëve të reja ka arritur t’i shpenzojë hiç më pak se 10 milionë euro. Sipas zyrtarëve të Komunës gjatë këtij viti janë investuar në asfaltimin e 36 rrugëve pothuajse në të gjitha fshatrat e komunës së Drenasit, në ndërtimin e dhjetëra kanalizimeve, në renovimin e shkollave dhe në projekte të tjera, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rreth 10 milionë euro janë investuar në asfaltimin e 36 rrugëve pothuajse në të gjitha fshatrat e komunës së Drenasit për ndërtimin e dhjetëra kanalizimeve, për renovimin e shkollave dhe për projekte të tjera të parapara të realizohen në vitin 2018. Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit, i tha “Zërit” se infrastruktura bazike ka qenë prioritet i Komunës për realizimin e projekteve kapitale.

LEXO EDHE: Kthehet prodhimi në 'Trepçë'

“Komuna e Drenasit gjatë vitit që lamë pas ka përmbyllur me sukses në realizimin e projekteve nga lista e investimeve kapitale, gjithsej kanë përfunduar 36 rrugë të asfaltuara, ndërsa janë kryer edhe dhjetëra kanalizime, renovim të shkollave dhe të projekte të tjera të cilat kanë qenë të planifikuara”, ka thënë Dobra.

Sipas tij, për asfaltimin e rrugës në fshatin Gjergjicë janë investuar 40.648.00 euro, për asfaltimin e rrugës në fshatin Bytyq po ashtu janë investuar 36.715.50 euro, për asfaltimin e rrugës në fshatin Llapushnik me gjatësi prej 950 metrash dhe për ndërtimin e pjesës së nënkalimit me asfalt, si dhe për asfaltimin e rrugës në lagjen “Haxha”, janë investuar në vlerë të kontratës 29.083.00 euro, respektivisht 9.265.00 euro.

49 mijë euro për asfaltimin e rrugës në Arllat

Për asfaltimin e rrugës në fshatin Arllat me gjatësi janë investuar sipas vlerës së kontratës 49.259.75 euro, për asfaltimin e rrugës në fshatin Krajkovë me gjatësi prej 320 metrash, si dhe L2 me gjatësi prej 25 metrash janë shpenzuar 34,368.00 euro, për asfaltimin e rrugës në fshatin Shtrubullovë me gjatësi 400 metra Komunës i ka kushtuar 25.519.00 euro, për asfaltimin e rrugës në fshatin Abri e Epërme sipas të dhënave zyrtare ka pasur një kosto prej 58.253.00 eurosh, për asfaltimin e rrugës në fshatin Tërdefc ka kushtuar 24.915.50 euro.

Po ashtu sipas zëdhënësit të Komunës, asfaltimi i rrugës në fshatin Gllobar me gjatësi 500 metra Komunës së Drenasit i ka kushtuar 26.820.50 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Baicë me gjatësi prej 550 metrash ka pasur një kosto prej 45.816.50 eurosh.

“Asfaltimi i rrugës në fshatin Shtuticë me gjatësi 1220 metra ka kushtuar 60.350.40 euro, asfaltimi i rrugës në Fshatin Vërboc vetëm me zhavorr (faza e parë e rrugës), me vlerë të kontratës 34.530,00 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Tërstenik 65.610.00 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Tërstenik II 54.936.60 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Zabel i Poshtëm 25.545.00 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Komoran IV 19.200.60 euro”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Po ashtu edhe asfaltimi i rrugës në fshatin Sankoc ka kushtuar 19.022.00 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Zabel i Epërm 19.720.00 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Fushticë e Poshtme 18.611.10 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Komoran II, 28.931.25 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Komoran III 60.608.50 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Negroc 39.966.00 euro.

39 mijë euro për asfaltimin e rrugës në fshatin Vasilevë

Ndërkaq për asfaltimin e rrugës në fshatin Vasilevë janë shpenzuar 39.099.50 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Korroticë e Epërme ka kushtuar 9,897.00 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Poklek i Vjetër  Komunës së Drenasit i ka kushtuar 25.519.00 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Gllanasellë ka pasur një kosto prej 34.312.50 eurosh, asfaltimi i rrugës në fshatin Likoshan ka qenë me vlerë të kontratës 36.262.35 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Dobroshec sipas të dhënave zyrtare të Komunës së Drenasit i ka kushtuar 25,861.80 euro, si dhe asfaltimi i rrugës në fshatin Gradicë Komunës së Drenasit i ka kushtuar 47.039.05 euro.

“Për të gjitha këto projekte të rrugëve Komuna e Drenasit ka shpenzuar në vitin 2018 9.599.897.15 euro”, ka precizuar zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra. /ZERI