Minatorët e 'Trepçës' reduktojnë kërkesat
Foto: Laura Hasani

Minatorët e 'Trepçës' reduktojnë kërkesat

Ekonomia janar 10, 2019 - 08:39
Lexo tjera detaje
Image

Minatorët e “Trepçës” kanë vazhduar grevën e tyre të nisur më 3 janar edhe të mërkurën, por nga katër kërkesat që paraprakisht kishin paraqitur për t’u plotësuar insistojnë në dy prej tyre që të plotësohen menjëherë: rritja e pagave 20 për qind dhe shkarkimi i Bordit Mbikëqyrës. Në grevë kanë hyrë edhe minatorët e minierës së Artanës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Minatorët e “Trepçës” kanë vazhduar grevën e tyre të nisur më 3 janar edhe të mërkurën. Këshilli Grevist, i cili ka pasur një takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe me kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtiri, ka insistuar që kërkesat të cilat janë paraqitur për t’u plotësuar nga Qeveria e Kosovës të plotësohen menjëherë, në të kundërtën janë kërcënuar se greva do të përshkallëzohet, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që minatorët të ngujohen në zgafelle, por edhe mundësia që ata të shkojnë në këmbë në Prishtinë dhe të bëjnë grevë para Kryeministrisë.

Ministri Lluka dhe kryetari Bahtiri janë përpjekur që të arrijnë një marrëveshje me minatorët grevistë, por nuk kanë arritur që t’i bindin ata që ta ndërpresin grevën. Ndonëse kërkesat e minatorëve mbesin ato që kanë qenë (rritja e pagave 20 për qind, të ndalet punësimi pa konkurs, që Bordi të dalë para grevistëve me një raport të punës dhe që të plotësohen kërkesat e grevës së pezulluar në korrik), tani Këshilli Grevistë ka kërkuar që të shkarkohet Bordi Mbikëqyrës, i cili vlerësohet krejtësisht politik nga minatorët, madje edhe i padijshëm për të përmirësuar gjendjen në “Trepçë”, si dhe që menjëherë të ngrihen pagat e minatorëve për 20 për qind.

Sadiku: Greva do të vazhdojë

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ka thënë se greva do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat, të cilat janë shumë të qarta. “Greva do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat, ato tashmë dihen dhe janë të qarta. Kërkesat kanë qenë që të rriten pagat prej 20 për qind, kërkesa e dytë ka qenë që të mos bëhen punësime në ‘Trepçë’ pa konkurse, kërkesa e tretë ka qenë që Bordi i ‘Trepçës’ të vijë para minatorëve grevistë dhe të japë një raport pune për tetë muajt e fundit dhe të përballen me kërkesat e minatorëve, kërkesa e katërt ka qenë që kërkesat e minatorëve nga greva e pezulluar e korrikut të plotësohen, por fatkeqësisht deri më tani nuk janë plotësuar”, ka thënë Sadiku. 

Në anën tjetër ministri i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, i cili bashkë edhe me kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtiri, kanë biseduar me anëtarët e Këshillit Grevist përreth dy orë, ka sqaruar se për shkak të gjendjes së vështirë financiare në “Trepçë” është e pamundur që të  rriten pagat e punëtorëve të “Trepçës”.

“Është pothuajse e pamundur që në këtë fazë të rriten pagat për shkak të gjendjes së rëndë financiare në ‘Trepçë’. Nuk ka kapacitete buxhetore për rritje të pagave, ndonëse ne do të dëshironim që gjendja të ishte më e mirë dhe që të ketë mundësi buxhetore për rritje të pagave. Kërkesat tuaja janë pjesë e Draftstatutit për të cilin janë kryer të gjitha procedurat dhe në mbledhjen e parë të Kuvendit të Kosovës presim që të shqyrtohet dhe të votohet nga deputetët e Kuvendit”, ka thënë ministri Lluka.

Ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje lidhur me shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës, por ka siguruar se ai do të ketë një takim edhe me anëtarët e Bordit. “Shkarkimi i Bordit është çështje e niveleve më të larta, por gjithsesi do të merremi edhe me të. Ne jemi të interesuar që situata në ‘Trepçë’ të normalizohet dhe të kthehet prodhimi. Ka disa rregulla të caktuara kur mund të shkarkohet Bordi”, ka sqaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Por në anën tjetër minatorët kanë këmbëngulur që këto dy kërkesa, rritja e pagave 20 për qind dhe shkarkimi i Bordit Mbikëqyrës, të plotësohen menjëherë dhe janë zotuar se pa plotësimin e tyre nuk do të ketë asnjë marrëveshje. Ata gjithashtu janë kërcënuar se greva do të radikalizohet nëse të paktën këto dy kërkesa nuk realizohen.

Në grevë edhe minatorët e Artanës

Në anën tjetër edhe minatorët e minierës së Artanës kanë hyrë në grevë tash e një javë. Siç ka mësuar “Zëri”, minatorët e Artanës janë shprehur të pakënaqur me institucionet e shtetit të Kosovës, të cilat nuk kanë bërë asgjë që Ligji për “Trepçën”, në kuadër të së cilës është edhe miniera e Artanës, të zbatohet. Edhe minatorët e Artanës kanë kërkuar rritje të pagave 20 për qind, por kanë kërkuar gjithashtu njohjen e pensionit deri në 70 për qind të pagës, 50 deri 55 vjeç pension i parakohshëm dhe njohja e stazhit të punës gjatë viteve 1989, 1999. Minatorët grevistë të Artanës janë shprehur se nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, atëherë ata do të dalin të protestojnë në rrugë ose edhe të ngujohen në minierë. 

Minatorët e “Trepçës” kanë hyrë në grevë më 3 janar dhe kanë paraqitur katër kërkesa, të cilat Qeveria e Kosovës duhet t’i zgjidhë, në mënyrë që greva të ndërpritet dhe gjendja të normalizohet. Kërkesë kryesore ishte rritja e pagave për 20 për qind, por pasi asnjë nga anëtarët e Bordit Mbikëqyrës nuk ka dalë para minatorëve grevistë, që ishte edhe kërkesë e tyre, tani Këshilli Grevistë ka kërkuar që Bordi Mbikëqyrës të shkarkohet menjëherë dhe bashkë edhe me rritjen e pagave për 20 për qind janë dy kërkesat kryesore, pa realizimin e të cilave nuk do të ketë asnjë marrëveshje për ndërprerje të grevës. Me hyrjen në grevë të përgjithshme minatorët kanë ndërprerë të gjitha punët në “Trepçë”, përveç në vendet kyçe ku do të mbahet kujdestari që të mos rrezikohet miniera.

Tahiri: Protestat, politike

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ushtruesi i detyrës së menaxherit të ndërmarrjes “Trepça” Xhevdet Tahiri ka thënë se greva e minatorëve, e cila po vazhdon qe 10 ditë, është e qartë se është e orkestruar nga qarqet politike brenda dhe jashtë “Trepçës”, të cilët nuk e dëshirojnë një “Trepçë” të zhvilluar me një bilanc pozitiv dhe me minatorë të dinjitetshëm.  Sipas tij, epiqendra e kësaj krize në minierën e Stantërgut është Sindikata e Minierës, e cila më së paku është e angazhuar t’i mbrojë të drejtat dhe interesat e minatorëve.

“Kjo Sindikatë në krye me kryetarin e saj Shyqyri Sadikun, i cili është udhëheqës i horizontit 7/8/9 të minierës, njëherësh është edhe anëtar i Bordit të ndërmarrjes ‘Trepça’, po ashtu edhe anëtar i Çetës së Shpëtimit, ku për të tria pozitat të cilat i mban paguhet për çdonjërën nga ndërmarrja ‘Trepça’ (në vlerë prej 1,725.25 € neto), si i tillë ky person i shtyrë dhe i sponsorizuar nga rrymat politike tenton ta ndalë ngritjen dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes, duke i nxitur disa punëtorë për grevë për qëllime kryesisht të tij personale partiake. Prandaj unë si menaxher i ndërmarrjes i ftoj të gjithë punëtorët e ndërmarrjes ‘Trepça’ pa përjashtim të distancohen nga qëllimet e tij, të cilat janë kryesisht politike dhe kanë për qëllim falimentimin e ndërmarrjes ‘Trepça’ në mënyrë që t’i hapet rruga privatizimit të saj”, ka shkruar ai.

Sipas tij, humbjet e shkaktuar nga kjo grevë janë të paevitueshme, ndërhyrja politike në Sindikatën e Minierës, ndërmarrjes “Trepça” i ka shkaktuar humbje mbi 300 mijë €. “Prandaj konsideroj që për ditët e humbura në grevën e organizuar nga vetë ‘punëtorët’ (ku prapa tyre mendoj se qëndron kryesindikalisti Shyqyri Sadiku me disa sindikalistë të tij) dikush duhet të japë llogari dhe përgjegjësi para organeve të drejtësisë.  Sa i përket kërkesës së minatorëve për rritje të pagës për 20%, konsideroj se është kërkesë e arsyeshme, duke marrë parasysh kushtet në të cilat punojnë dhe veprojnë ata. Do ta konsideroja si privilegj personale po të kisha pasur mundësi ta jetësoj një kërkesë të tillë, por realiteti financiar në ndërmarrjen ‘Trepça’ nuk mund ta përballojë një ngritje të tillë”, ka shkruar më tutje ai./ZËRI