OJQ-të kërkojnë nga Prokuroria t’i ndëshkojë komunat për shkelje

Ekonomia January 10, 2019 - 08:34
Lexo tjera detaje
Image

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare partnere “Syri i Vizionit”, “Ekovizioni”, “Yahr” dhe ISDY shpalosën një sërë të gjeturash nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për vitin 2017. Kryesisht fokusi ishte te “Menaxhimi i parasë publike”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Organizatat joqeveritare (OJQ-të) në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) kanë studiuar raportet e Auditorit për gjashtë komuna, duke përfshirë: Prizrenin, Suharekën, Ferizajn, Lipjanin, Podujevën, si dhe Istogun. Në shpalosjen e këtyre publikimeve u kërkua që të instalohen mekanizma, të cilët sigurojnë zbatimin e rekomandimeve qoftë si masa disiplinore, qoftë ato administrative.

Menaxherja e projekteve në KDI, Diana Metushi-Krasniqi, në fjalën e saj hyrëse kërkoi angazhimin e Prokurorisë së Shtetit në hetimin e kryetarëve të komunave dhe të zyrtarëve komunalë që kanë bërë shkelje në raste të caktuara. “Edhe pse jo të gjitha gjetjet e Auditorit janë të kualifikuara që të hetohen nga Prokuroria, është e nevojshme që të instalohen mekanizma, të cilët sigurojnë zbatimin e rekomandimeve, qoftë si masa disiplinore ose si masa administrative”, është shprehur Metushi-Krasniqi. Ajo në mes tjerash përmendi edhe faktin se një numër i konsideruar i gjetjeve përsëriten nga viti në vit, ku shpërfaqen problemet që lidhen me planifikimin, shfrytëzimin e buxhetit, menaxhimin e subvencioneve, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, procedurat e prokurimit dhe të faturimin ose pagesat për mallra e shërbime dhe investime kapitale. Këto raporte të Auditorit përfshijnë periudhën 2015-2017, duke theksuar dobësitë e qeverisjes në raport me llogaridhënien e komunave.

Bekim Krasniqi, nga organizata “Yahr”, prezantoi disa nga gjetjet e Auditorit për Komunën e Ferizajt, duke përfshirë vitet 2015-2017. “Raportet theksojnë dobësi në qeverisje në raport me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial. Këto gjetje, të cilat vazhdojnë të përsëriten në të gjitha raportet e ZKA-së që nga viti 2015, tregojnë për probleme sistematike përderisa niveli i zbatimit të rekomandimeve nga vitet paraprake vazhdon të jetë i ulët”, ka treguar Krasniqi.

Probleme thuajse të natyrës së njëjtë u përmenden edhe në Komunën e Lipjanit. Krasniqi nga organizata “Yahr” tregoi se problemet sistematike me të cilat përballet Komuna e Lipjanit janë niveli i ulët i verifikimit të pronave të regjistruara, parregullsitë në kalkulimin e të hyrave, në menaxhimin e tatimit në pronë, dobësitë në menaxhimin e kontratave...

 Prizreni me dobësi në menaxhimin e kontratave

Shkeljeve nuk u ka shpëtuar as Komuna e Prizrenit. Ato i bëri publike Erolina Morina, nga organizata ISDY, duke përmendur dobësitë sistematike në menaxhimin e kontratave për investime kapitale, lidhjen e kontratave publike jashtë planit vjetor të prokurimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe kosto shtesë me sfida buxhetore për Komunën si rezultat i planifikimit jo të saktë të projekteve. “Këto devijime nga planifikimet fillestare mund të rrezikojnë realizimin e projekteve të planifikuara dhe arritjen e objektivave të përcaktuara. Përpos detyrimeve të rregullta, Komuna përballet edhe me detyrime kontingjente, të cilat në fund të vitit 2017 kanë arritur vlerën prej 1,225,000€”, ka treguar Morina.

Mangësi janë përmendur edhe në Komunën e Suharekës, ku janë theksuar parregullsitë në kalkulimin e të hyrave për tatimin në pronë dhe të hyrave tjera.

Problemet e Istogut me procedurat e prokurimit

Ndërkohë mangësi janë evidentuar edhe në Komunën e Istogut. Abedin Imami, nga organizata “Syri i Vizionit”, theksoi se në këtë Komunë janë problemet që përsëriten nga viti në vit lidhur me menaxhim të pasurive dhe sigurimin e mekanizmave kontrollues të cilësisë dhe të llogaridhënies. Më tutje ai shtoi se “Pasqyra e obligimeve ndaj furnitorëve në fund të vitit 2017 është prezantuar 122,635€. Këto janë bartur për t’u paguar në vitin 2018. Hyrja në obligime kryesisht ka ndodhur për shkak të kontrolleve jo të mira sa i përket raportimit dhe pagesës së obligimeve”.

Pa probleme nuk ka shpëtuar as Komuna e Podujevës. Shpend Sopa, nga organizata “Ekovizionii”, theksoi disa mangësi brenda Komunës së Podujevës në lidhje me moszbatimin e plotë të rekomandimeve nga viti paraprak, realizimin e buxhetit dhe të kontratave të nënshkruara në mungesë të buxhetit.

Rekomandimet për komunat:

Koalicioni i organizatave për monitorimin e prokurimit publik u bën thirrje komunave të përqendrohen në përmirësimin e menaxhimit të financave publike përmes përmbushjes së rekomandimeve si në vijim:

Kryetarët të komunave të zbatojnë Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, respektivisht të ndërmarrin masa disiplinore deri te shkarkimi i zyrtarëve financiarë për dështimet sistematike të konstatuara nga Auditori i Përgjithshëm. Kryetarët e komunave të fuqizojnë rolin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm dhe nga udhëheqësit e drejtorive të kërkohet llogaridhënie kundrejt rekomandimeve të lëshuara nga NJAB-i dhe ZKA-ja, duke përgatitur planet e veprimit me kohë dhe duke u përmbajtur afateve kohore për zbatimin e këtyre planeve të veprimit.

Në kuadër të sigurimit të kontrollit, në fushat e identifikuara si problematike, të rritet angazhimi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të shkeljeve të mundshme, si dhe të rritet niveli i inspektimeve përcjellëse dhe për t’i adresuar këto rekomandime në një kohë sa më të shpejtë.

Ministria e Administrimit së Pushtetit Lokal të vendosë ndarjen e granteve për komunat në bazë të performancës dhe menaxhimit financiar që konstaton raporti i Auditorit të përgjithshëm, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik të identifikojë mangësitë në sistem dhe të iniciojë ndryshime ligjore që përmirësojnë sistemin aktual të prokurimit dhe adresojnë problemet sistematike lidhur me planifikimin e prokurimeve, ndarjen e prokurimeve në vlera minimale dhe menaxhimin e kontratave.

Ministria e Financave të rishikojë politikat aktuale me qëllim të parandalimit të hyrjes në obligime të Organizatave Buxhetor pa zotim të mjeteve, si dhe të rishikojë politikat aktuale me qëllim të përmirësimit të situatës me pagesat e pambështetura dhe humbjen e parasë publike si pasojë e vonesave në përmbushjen e obligimeve dhe ekzekutimet përmes procedurave përmbaruese./ZËRI