Kërkohet angazhimi i Prokurorisë në hetimin e shkeljeve të evidentuara nga auditori

Ekonomia January 09, 2019 - 13:47
Lexo Detajet

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me disa organizata tjera qeveritare ka shpalosur të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në disa komuna për vitin 2017.

Mangësi u cilësua mos ndëshkueshmëria e organizatave buxhetore nga organet kompetente në këtë rast Prokuroria e Shtetit, raporton Zëri. Info.

Menaxherja e projekteve në (KDI), Diana Metushi- Krasniqi, tha se prokuroria duhet të filloj hetimet ndaj kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve që kanë bërë shkelje të cilat duhet hetuar.

"Organizatat buxhetore mbeten imune ndaj ndëshkimit. Prokuroria duhet të filloj hetimet ndaj kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve", ka kërkuar Metushi-Krasniqi.

Ndërkohë përfaqësuesit nga organizatat jo qeveritare si "Syri i Vizionit", "Asociacioni Rinor për Të Drejtat e Njeriut", Organizata Jo qeveritare "Ekovizioni", si dhe organizata (ISDY), shpalosën të gjeturat e auditimit për komunat e Ferizajt, Prizrenit, Istogut, Suharekës, Lipjanit dhe Podujevës.

Si problem i përgjithshëm u theksua se qytetarët nuk po i marrin shërbimet që iu takojnë.

Të gjeturat kryesore në këto komuna përfshinin kryesisht dobësitë më menaxhimin e parasë publike, nivelin e ulët të zbatimeve të rekomandimeve, mos kryerjen e obligimeve ligjore dhe pagesat e faturave me kohë e nivelin e ulët të ekzekutimit të buxhetit. /ZËRI