Minatorët grevistë kërkojnë që Bordi i 'Trepçës' të dalë para tyre

Ekonomia January 05, 2019 - 08:12
Lexo tjera detaje
Image

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, i ka thënë “Zërit”, të premten, se Bordi i “Trepçës” është krejtësisht politik dhe i padijshëm. Katër kërkesat e grevistëve: rritja e pagave 20 për qind, ndalimi i punësimit pa konkurs, Bordi të dalë para grevistëve dhe të realizohen kërkesat nga greva e pezulluar, shkruan Gazeta "Zëri".

Minatorët e “Trepçës” kanë vazhduar me grevën edhe të premten, në ditën e dytë kur kanë vendosur të hyjnë në grevë. Ata kanë kërkuar që paga e tyre të rritet për 20 për qind, por kanë edhe kërkesa të tjera, të cilat duhet të realizohet në mënyrë që greva të ndërpritet.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, i ka thënë “Zërit”, të premten, se minatorët grevistë nuk e kanë as përkrahjen e manxhmentit, përkatësisht të ushtruesit të detyrës së drejtorit Xhevdet Tahiri. Sipas Sadikut, Tahiri ka shkuar të enjten të minatorët, të cilëve u ka kërkuar që t’i kthehen punës, por edhe i ka kërcënuar “në njëfarë forme”. “Ai në një formë edhe na është kërcënuar, duke në thënë se do ta shihni nëse nuk i ktheheni punës. Vetëm dje (e enjte) ka qenë të na, sot jo. Ndërkaq, askush nga Bordi nuk ka ardhur për të biseduar me ne. Ky bord i ka dy të këqija, më së pari është Bord krejtësisht politik dhe e dyta, janë të padijshëm.

Ata nuk kanë lidhje me minierën, me punën e minierës”, ka thënë Sadiku, duke shtuar se është formuar Këshilli Grevist i cili merr hapat e mëtutjeshëm. Sipas tij, greva do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat e minatorëve. Sadiku në veçanti ka folur për punën që është bërë në hartimin e Statutit, në të cilin është dashur të përfshihen të gjitha kërkesat nga greva e pezulluar.

“Kemi qenë dy grupe që kemi punuar, unë nuk e di që është hartuar statuti i ‘Trepçës’, unë nuk e kam parë dhe nuk e di se ai është dorëzuar në Qeveri. Këta të Bordit po thonë se e kanë dorëzuar, por ne nuk e dimë ndonëse unë jam anëtar i Bordit”, ka thënë Sadiku.

Tahiri ka mohuar se i ka kërcënuar minatorët grevistë

Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri, ka mohuar se i ka kërcënuar minatorët grevistë. Tahiri i tha “Zërit”, të premten, se ka shkuar te punëtorët që kanë hyrë në grevë dhe i ka lutur që t’i kthehen punës, duke u premtuar se posa të krijohen kushtet do të rriten edhe pagat e tyre.

“Nuk e kam kërcënuar asnjë punëtor, nuk është në natyrën time, unë e di punën e rëndë që bëjnë minatorët, por duke ditur gjendjen e rendë financiare në të cilën ndodhet ‘Trepça’ tash e një kohë të gjatë kam kërkuar nga ata që t’i kthehen punës dhe u kam premtuar se posa të përmirësohet gjendja financiare do të shikohet mundësia edhe për rritje të pagave. E di shumë mirë që buka e minatorit është me ‘shtatë kore’.

Nuk jemi në gjendje të mirë financiare, andaj edhe kërkesa për rritje të pagave në këtë moment është vështirë e realizueshme”, i tha “Zërit” ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës” Xhevdet Tahiri, duke shtuar se minatorët nuk e kanë ndërmend ta ndërpresin grevën. Për shkak të grevës Tahiri thotë se edhe prodhimi në “Trepçë” është ndërprerë. E kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” Ardian Syla, duke folur për “Zërin”, ka siguruar se “Trepça” do të zhvillohet dhe se do të investohet posa ndërmarrja të regjistrohet si shoqëri aksionare. Ai ka pranuar se gjendja në “Trepçë” nuk është e kënaqshme dhe se ka vështirësi financiare. “Ka shumë probleme që ndikojnë në prodhim, disa prej tyre janë fuqia e re punëtore.

Ka mungesë të investimeve kapitale, mirëpo për shkak të kësaj mungese të investimeve teknologjia ka mbetur shumë e vjetër dhe gjithë këta janë faktorë që ndikojnë në rënien e prodhimit dhe ndikojnë që të mos kemi një prodhim të kënaqshëm dhe të mjaftueshëm me një prodhim që në të kaluarën e ka pasur ‘Trepça’”, ka thënë Syla, i cili ka shtuar se draft-statuti është hartuar dhe është dorëzuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Syla: Paga mesatare e punëtorëve është përafërsisht 750 euro

E ndonëse minatorët e “Trepçës” kanë hyrë në grevë me kërkesën kryesore - rritje të pagave, kryetari i Bordit të “Trepçës” Ardian Syla ka thënë se paga e minatorëve është e dinjiteshme dhe se për ngritje të pagave mund të flitet vetëm pas regjistrimit të ndërmarrjes, pas transformimit në shoqëri aksionare dhe pas studimit të fizibilitetit dhe studimit të gjendjes aktuale. “Do të shohim në të ardhmen, do t’i shikojmë edhe prioritetet që do t’i ketë Qeveria.

Paga mesatare e punëtorëve është përafërsisht 750 euro, që është pagë e dinjitetshme, së paku ne si Bord Mbikëqyrës ashtu mendojmë dhe mjaft më e lartë duke e krahasuar me vendet në rajon, mirëpo duhet potencuar edhe kushtet e punës nuk janë edhe aq të lehta, kushtet e punës aktualisht në prodhim, puna në prodhim është e rëndë dhe mendojmë që është një pagë e dinjitetshme dhe mbi mesataren e asaj në Kosovë”, ka thënë kryetari i Bordit të “Trepçës” Ardian Syla për gazetën “Zëri”.

Në anën tjetër kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturor, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha-Shala, ka thënë se ka marrë një informacion nga ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka se draft-statuti i “Trepçës” është dorëzuar në Kuvend. “Fillimisht kur ka ardhur statuti i ‘Trepçës’ në Kuvend nga Qeveria deputetët e opozitës nuk i janë bashkëngjitur grupit të punës për të punuar për statutin e ‘Trepçës’, në mënyrë që ta funksionalizojnë ‘Trepçën’.

Ndërkohë që ka pasur pakënaqësi nga sindikata e punëtorëve të ‘Trepçës’ dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka e ka tërhequr në njëfarë forme statutin nga Kuvendi dhe është marrë vesh, e ka bërë një marrëveshje me Sindikatën e ‘Trepçës’ dhe prej asaj kohe nuk e kemi pasur në Kuvend statutin. Tani kam dëgjuar, ende nuk e kam marrë zyrtarisht si kryetare e Komisionit, kam marrë informacion nga ministri se e ka dorëzuar në Kuvend statutin”, ka thënë ajo./ZËRI